Vendkalimi i ri me Kosovën, një morri premtimesh!

Vendkalimi kufitar Bellanoc – Stançiq që lidh Maqedoninë me Kosovën  deri në këto momente është i mbyllur, në bazë të gjitha gjasave, do të hapet në fillim të vitit të ardhshëm, nëse veprohet komfor marrëveshjes të cilën muajin e kaluar e kanë firmosur zëvendës kryeministrja Teuta Arifi me homologen nga Kosova Vlora Çitaku.

Kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku për Portalb ka thënë se Qeveria i ka premtuar se në fillim të vitit 2013 do të fillojnë punimet.

‘Përveç asaj që bëri nënshkrimin zëvendëskryeministrja Teuta Arifi me Vlora Çitakun, mua më kanë thënë se në mbledhjen e Qeverisë është biseduar dhe kanë planifikuar mjete për 2013 që të fillohet puna që është 17 kilometra e gjatë, e cila ka nevojë për asfaltim. Tash a pritet të ndodh sigurt unë nuk e di, kjo është ajo të cilën ma kanë thënë ministrat pas mbledhjes së mbajtur në Qeveri, tash pa u miratuar buxheti unë nuk mund të di a janë paraparë sigurt për 2013-ën apo jo’ tha Duraku.

Qëndrimi i qeverisë është se janë planifikuar mjete për këtë dedikim, dhe se punimet do të nisin shumë shpejtë, konfirmon zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha.

‘Projekti është në programin e Agjensionit për rrugë, ka kaluar në seancën e Qeverisë, fillimisht janë ndarë 30 milion denar për të zgjidhur disa çështje pronësore juridike që janë në këtë rrugë. Pastaj do të filloj asfaltimi me të vetmin qëllim që dy komisione i Kosovës dhe i Maqedonisë, në bazë të projektit të përbashkët të hapin vijën kufitare Bellanoc- Stançiq që është projekt  i financuar nga IPA Fondet. Do të thotë është dhënë lejë për hapjen e tenderit për zgjedhjen e këtyre çështjeve dhe te filloj ndërtimi i rrugëve, afat konkret s’mund të them, por do të ndodh 2013-tën’ tha Hoxha.

Ndryshe pala kosovare rrugën prej 15 kilometrash e ka asfaltuar që në vitin 2010, ndërsa banorët e fshatrave të  kësaj ane disa herë kanë kërkuar hapjen e kësaj pike kufitare, pasi kjo do të shkurtonte rrugën për të lëvizur nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button