Edhe (veç) molla po bojka!

Në mëngjes, jam më optimiste se kurrë. Po shëndrriti dhe dielli, atëherë gjithçka më duket e bukur. Madje, edhe kundërmimi i neveritshëm i tregut të improvuzar të pulave, mu në prag të ndërtesave kolektive, arsyetohet me idare. Po edhe të çjerrave të Malit tek refuzon nisjen për në çerdhe, i’u bëjë ballë dhe si gjeneral, nuk pranoj jo-në si përgjigje. Nisem sipas itinerarit të zakonshëm. Me zvarritje, deri në kalimin e rrugës për të pritur taksitë e egër 50 centësh. E vetëdijshme që nuk po i bëj nder trafikut urban, shpejtoj hapin për të arritur te i pari i tillë. Një Audi e kuqe, e stërlyer me gjasë për të fshehur të grithurat e kohës, dhe më një re të tërë plini rreth e rreth.

Edhepse e pavëmendshme për të zënë taksinë, në anën e djathtë timen, më shkuan sytë te një njeri, i cili paralel meje, kalonte rrugën. Ishte i veshur me kostum zyrtar, dhe mbante në dorë një gazetë ose mos ishte rend dite?! Apo mos ishte fjalimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës? Në çast që më kaloi fare pranë, shfrytëzova rastin t’a vështroja më mirë, dhe e vura re se bëhej fjalë për një deputet të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai rendte për të zënë autobusin e qytetit, për dallim nga unë. Kaloi rrugën, dhe po priste në vendin e caktuar, derisa unë me Audi të kuqe, veçmë kisha arritur në gjysmë të rrugës.

Dhe në taksi, e zënë sanduiq midis një burri në moshë dhe një vajze të re, më shumë ktheja kokën kah aroma e lëkurës së pjekur ndër vite, se ajo e parfumit të fortë të spërkatur kushedi sa herë në dhomat e konvikteve studentore. Kisha kohën dhe qetësinë të reflektoja. Deputeti i mëngjesit më kishte dhënë një lloj shprese, se nuk bëhej fjalë për ndonjë ministër Holandez që me biçikletë arrin në vendin e bërjes së politikave për qytetarët, e as për Bloombergun tek pret autobusin në një ndër blloqet e Menhetenit. Në mesin e trumpetimit dhe borive të 00-ve të zeza dhe kushedi sa të shtrenjta, të blera me paratë e mija, del një deputet, që në këmbë, në një mëngjes të bukur vjeshteje të vonë, pret autobusin me numër 4 që me gjasë, do e qoj deri para portave të Kuvendit!

Në fund të ditës, me përfundimin e orarit, edhe gota ime është gjysmë e zbrazët. Dal nga puna dhe njëjtë, pres o taksitë e egra o autobusin. Ky i fundit vjen i pari, para këmbëve të mija, derisa mbrohem nga të shtyrat e atyre me më pak durim. Ngjitem shkallëve përpjetë, për të më ra ftyrës një duhmë i djerrsëve të lëna në vendin e punës, sallën e ligjëratave ose tezgës në treg. Afrohem kah ulëset e fundit, se vetëm aty kishte vend. Dhe them me vete, e tani do kënaqem në qetësi të vëzhgoj njerëzit, e që e bëjë me dëshirë, si një përpjekje e pandalshme për të prekur jetën që po bëjmë çdo ditë.

Ulem pranë një burri rreth të 40-tave i cili midis këmbëve mbante qeset plot perime dhe pemë. Me gjasë më shumë qepë kishte blerë, gjykuar sipas kundërmimit. Në ulësen ngjitur tij, i biri jo më shumë se 4 vjeqar, s’pushonte së foluri, derisa shuplaka e dorës i pushonte qetë në gjurin e babait, si për siguri. Ndër të tjera, në një nga qeset pash banane, të nxirra, të pjekura, të ndenjura disa ditë, me gjasë të blera me gjysmë çmimi.

Dhe i biri e pyet: “Babi, a blejtëm edhe molla?”
Babi përgjigjet: “Jo babi, banane. Naj ditë tjetër blejna edhe molla”.
Djali duket se u mjaftua me përgjegjen dhe lëshoi edhe një herë sytë te qesja me banane sa për t’u siguruar në ishin akoma aty. Dhe vazhduan bisedën në mes vete.Unë nuk i dëgjova më. Mjaftonte ajo pak që kisha dëgjuar.

Jeta nuk na trajton të gjithëve njësoj ashtu siq ne individualisht trajtojmë jetën- me të mirat dhe të këqijat. Ndonjëherë blejmë banane, të tjera herë mollë. Shumë shpesh, dhe kur nuk kërkojmë, na dhurohen edhe limona. Po sa do të dijmë t’i vlerësojmë këto dhurata në jetë? Sa do të dijmë të barazpeshojmë midis nevojave dhe dëshirave? Apo jemi shëndrruar tërësisht në shoqëri konsumuese e cila vlerën e mat me çmime tregu dhe me kg. në peshore?!

Kujtoj me mallëngjim fëmijërinë time. Edhe atëherë fëmijët donin lodra. Edhe atëherë me lakmi shikonim në bankat e shokëve të klasës, goma dhe lapsa aromatikë që bliheshin vetëm në Greqi. Por ama, loja ishte e të gjithëve. Nuk na qonin në qendra tregtare për të na fërëfëllitur pas rrjetave mbrojtëse, por loja bëhej, në mahallë, kur kërkonim mbetjet e tullave tek ndërtoheshin banesat poshtë neve, dhe i thyenim ato për të bërë masat e duhura për të luajtuar “Kulla”. Ndërtonim vetë mjetet e lojës dhe kënaqeshim duke bërër një gjë të tillë. Nuk merrnim as taksinë e as autobusin derisa shkonim në shkollë në Kodrën e Trimave, po ama nuk ndjeknim pastaj kurse tenisi e noti për të shpëtuar nga obeziteti i adoleshencës.
Telefonat mobil as që i kishim dëgjuar ndonjëherë, mirëpo ato edhe nuk na duheshin, se dihej kur ishte koha e drekës dhe kur familja bashkërisht ulej në tryezë, dihej kur niste loja, dhe kur mysafiri na vinte për vizitë. Xhaketat bliheshin dy numra më të mëdhenj, por na mbanin ngrohtë në dimër, për çka dhe ishin bërë.  Nutella më e mirë ishte ajo që e gatitnim vetë, me resurset e pakta për të cilat pritnim rend në Voçar, dhe na kënaqte në rriska të bukës, që jo domosdoshmërisht e kishim blerë të freskët.  

E sot, afron ditëlindja e fëmijës dhe ne na zë panika se nuk na ka mbetur më gjë pa blerë. Kemi blerë tashmë edhe kukullën, edhe topin, edhe librin e preferuar. Dhe, këtu pastaj ndeshen vlerat të cilat pretendojmë t’u mësojmë fëmijëve çdo ditë. Rrezikojmë që të blejmë shumë më shumë gjëra, dhe të krijojmë shumë më pak kujtime. Rrezikojmë të ngopim apetitet sa më nuk do të ketë apetite por vetëm neveri. Rrezikojmë t’u japim shembull të keq fëmijëve që gjëja dhe jo përvoja e bëjnë jetën!

I afrohem shtëpisë, aty ku edhe kisha nisur këtë udhëtim sot në mëngjes. Babi, i biri dhe bananet kishin zbritur më herët. Ndërkaq unë, isha bindur më në fund për përgjigjen ndaj Borës dhe Malit, në kërkesat e lodrave të rradhës.

E dija që tani, se Babadimri do të sjellte vetëm një nga dhe jo tërë listën, dhe se sonte do të hanim vetëm mollë, pas fasules së zier, thjeshtë!

        

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button