Si fitoi Barack Obama

Barack Obama u rizgjodh president i Shteteve të Bashkuara me një koalicion të ngjashëm me atë që e çoi në drejtimin e presidencës në 2008-ën: me gratë, votuesit e rinj, afro-amerikanët dhe latinët. 

Por vota popullore nuk ishte fort në favor të zotit Obama këtë herë, për shkak të rënies së popullaritetit dhe tkurrjes elektorale në disa zona kyçe. 
Votueset femra

Burrat dhe gratë të ndarë mes kandidatëve: 55 për qind e grave votuan pro zotit Obama dhe 44% për zotin Romney. Ndërsa nga burrat, 52% votuan për zotin Romney dhe 45 për qind për Obamën. 

Në 2008-ën Obama siguroi një përqindje më të lartë votash nga votuesit meshkuj, plot 49 për qind dhe një për qindje të ngjashme me atë të grave, 56%. 

Megjithatë, këtë herë pati një ndarje mes grave të martuara dhe atyre beqare: 53 për qind e grave të martuara votuan për republikanin, ndërsa Obama siguroi votat e grave “single”. 

Votat etnike

Zoti Obama siguroi mbështetjen e 93 për qind të votuesve me ngjyrë, një rënie e lehtë se katër vjet më parë. Latinët votuan gjithashtu për demokratët, 71 për qind në total dhe ndoshta bënë diferencën elektorale në Kolorado dhe Nevada. 

Latinët ose hispanikët përbënë 10 për qind të numrit total të votuesve, me 1 për qind më shumë se në zgjedhjet e 2008-ës. 

Zoti Obama humbi një pjesë të votuesve të bardhë që në 2008-ën e çuan në krye të shtetit. Vetëm 39 për qind e tyre votuan për mandatin e dytë të tij, 5 për qind më pak se 4 vjet më parë. 

Elektorati i bardhë, që përbën ende shumicën, ra në 72 për qind në tërësi nga 74% që kishte qenë në 2008-ën dhe 77% tetë vjet më parë. 

Vota e të rinjve

Votuesit e rinj ishin një element kyç i fitores së zotit Obama. 60 për qind e votuesve të moshës nga 18 në 29 vjeç votuan për zotin Obama, ndonëse 6 për qind më pak se kuota e katër viteve më parë. Por për qindja e votuesve në këtë moshë u rrit lehtshëm në 19 për qind të elektoratit. 

Votuesit e moshës nga 30 në 44 vjeç ishin të ndarë, por gjithësesi me një anim të lehtë nga zoti Obama, 52 me 45 për qind. Ndërsa shumica e elektoratit të moshës nga 45 në 64 vjeç shkoi në favor të kandidatit republikan Mitt Romney. 

Votuesit me të ardhura të ulëta

Votuesit me të ardhura të ulëta votuan pa dyshim për zotin Obama. Nga ata që fitojnë më pak se 50 mijë dollarë në vit, 60 për qind e tyre votuan pro mandatit të dytë të presidentit. 

Presidenti nuk qeverisi keq me klasën e mesme dhe atë të pasur, duke marrë nga këto dy kategori përkatësisht 46 dhe 44 për qind të votave. 

Megjithatë, të treja kategoritë janë të ndara në rang elektoral, me grupin e personave me të ardhura të ulëta që përbën 41 për qind të totalit të votave. 

Vota e besimtarëve

Zoti Romney siguroi 62 për qind të votave të protestantëve, ndërsa katolikët dhe të krishterët e tjerë ishin të ndarë mes dy kandidatëve. 

Ata që nuk kanë një besim fetar si dhe hebrejtë ia dhanë votën zotit Obama, duke i siguruar 70 për qind. Zoti Romney, që do të ishte bërë presidenti i parë mormon nëse do të ishte zgjedhur, fitoi gjithashtu shumicën e votës së këtyre të fundit, plot 78 për qind. 

Ata që ndjekin shërbesat fetare të paktën një herë në javë ishin më të prirur të votonin Romney (59%). Por megjithatë, 55% e atyre që thanë se ushtrojnë këtë praktikë pak herë në muaj votuan për zotin Obama. 

Ekonomia

Përgjatë fushatës, të dy kandidatët deklaruan se luftonin vetëm për ekonominë dhe vendimet e votuesve shkuan në favor të atij që ata mendonin se do të ishte më i mirë për zgjidhjen e këtij problemi. 

59 për qind e personave të pyetur në sondazhe deklaruan se ekonomia ishte shqetësimi i tyre kryesor. Mes tyre, një shumicë e lehtë prej 51% shkoi në favor të zotit Romney. 

Atëherë si arriti zoti Obama të fitonte? 54% e votuesve që vlerësuan papunësinë si shqetësimin kryesor të tyre, votuan për mandatin e dytë të presidentit të parë me ngjyrë. 

Presidenti mori gjithashtu shumicën e votave nga ata votues që ishin të shqetësuar për politikën shëndetësore dhe atë të jashtme, ndërsa të shqetësuarit për defiçitin mbështetën kandidatin republikan. 

Mungesa e ndjeshmërisë tek Romney

Çfarë është më e rëndësishme për amerikanët kur votojnë? Të paktën 3 votues në 10 duan një vizion për të ardhmen dhe 3 të tjerë po në 10 duan një president që të ndajë vlerat e tyre. 

Ata që donin një vizion për të ardhmen votuan për zotin Romney, 54% kundrejt 45% për zotin Obama. Megjithatë, dy votues të tjerë në 10 donin një president “që kujdeset për njerëz si unë”. 

Nga këta shumica votuan për zotin Obama, 81 për qind, një sinjal ky që tregon se zoti Romney vuan nga mungesa e ndjeshmërisë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button