Shqipëri, Berisha fton sërish Ramën

Kryeministri Sali Berisha u shfaq shumë i entuziazmuar nga rizgjedhja e presidentit Barack Obama. 

Përveçse vlerësoi presidentin Obama për shpresën që frymëzoi në kapërcimin e krizës më të rëndë ekonomike të 80 viteve të fundit dhe për krijimin e dimensioneve të reja të paqes dhe stabilitetit botëror, në analizën e kryeministrit Berisha, amerikanët votuan për rizgjedhjen e presidentit të tyre jo për atë që bëri këto katër vjet, por për ato që ofron se do të bëjë në 4 vitet e ardhshme. 

Një slogan ky që kryeministri Berisha po e përdor këto kohë për të kërkuar një mandat tjetër qeverisës. 

“Midis ndryshimit të premtuar në letër dhe ndryshimit operativ, të gjatë, në çdo vend e skaj të Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe në botë, qytetarët zgjodhën vazhdimin e ndryshimit me presidentin Obama, si ndryshimi më i prekshëm, më i besueshëm dhe më i sigurt”, deklaroi Berisha. 

Mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha e shfrytëzoi për të ftuar sërish kreun e opozitës Edi Rama të votojnë së bashku tre ligjet e mbetura pezull, pa miratimin e të cilëve vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk mund t’i japin Shqipërisë në dhjetor statusin e vendit kandidat. 

Duke qenë se socialistët nuk kanë pranuar ofertën e parë të kryeministrit për të votëbesuar kryetarin e këshillit të qarkut, zoti Berisha bëri një ofertë të re, sipas të cilës të gjithë anëtarët e këshillit të qarkut Fier, të votëbesohen në këshillat bashkiake apo komunalë, prej nga vijnë për t’i hapur kështu rrugë votimit në Parlament të tre ligjeve të integrimit. 

“Prandaj unë mendoj të mos lidhim të palidhshmen, por urdhëro të votojmë ligjet në interesin më të mirë dhe meqë ti ke bërë një kauzë të madhe për Fierin, hajde t’i vëmë të gjithë në mocion dhe kjo është oferta më e ndershme. Nuk duhet të kesh frikë nga mocionet. Është absurde të besosh se do të mund të krijosh kapital politik nga bllokimi i tyre. Mos mendo se nuk janë në gjendje shqiptarët të bëjnë dallimin mes këshillit të qarkut të Fierit dhe kërkesës së Komisionit Europian për marrjen e statusit”, deklaroi Berisha. 

Që Shqipërisë t’i shtohen shanset për t’u pranuar në dhjetor si vend me statusin e kandidatit, Parlamenti duhet t’i miratojë ligjet deri në fund të nëntorit dhe, meqë ky është muaji i pavarësisë, kryeministri Berisha ftoi zotin Rama të përfshijë në axhendën e pavarësisë votimin e tyre, duke u frymëzuar nga mesazhi i 100-vjetorit. “Të bashkohemi për interesin më të mirë të shqiptareve”, theksoi Berisha. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button