Ministri Rexhepi do të jep llogari për dhunën ndaj Vetëvendosjes

Ministri i Punëve të Brendshme do t’i duhet t’i kthehet shumë shpejt edhe një herë ngjarjeve të tetorit.  Bajram Rexhepi është ftuar të raportojë për intervenimin e Policisë në dy protestat e Vetëvendosjes nga Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri. Anëtarët e këtij Komisioni të Kuvendit kanë shqyrtuar raportet informuese të Ministrisë dhe Policisë rreth protestave të Vetëvendosjes, atë kundër privatizimit të distribucionit të KEK-ut dhe kundër bisedimeve. Raportet janë vlerësuar si përshkruese dhe pa detaje rreth ngjarjeve, raporton KTV.

Madje është thënë se raporti i MPB-së ka ndryshime të pakta nga raporti i PK-së.  Kritika të shumta ka marrë ministri Rexhepi, sidomos për urdhrat e tij dhënë Policisë. Përfaqësuesi i PDK-së në këtë komision e ka vlerësuar veprimin e policisë në përputhje me kërkesën e momentit për të vepruar. Komisioni do të kërkojë nga Inspektorati i Policisë që të sjellë një raport rreth masave të ndërmarra ndaj atyre që kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Për datën se kur do të raportojë Bajram Rexhepi do të vendoset në mbledhjen e radhës. Në takim ka munguar Rexhep Selimi nga “Vetëvendosje”.

Lajme të ngjashme

Back to top button