Shqiptarët e harruar: Ahmed Rami

Duke marrë si shkas festimin e njëqind vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar mendova rreth asaj se si njëra prej gjërave që neve si shqiptarë na mungojnë është edhe shënimi i krejt njerëzve, librave, ngjarjeve dhe shumë gjërave tjera që ende denjësisht nuk i kemi evidentuar në kujtesën tonë kombëtare.

Një kësi listë sigurisht se do ishte e gjatë dhe puna rreth saj e madhe por ja vlen që diçka nga këto të harruara të nisen të shkruhen. Vend të posaçëm në këtë listë do duhej të kishte një poet i madh i shekullit XX nga Egjipti.

Ahmed Rami i lindur në Kajro në vitin 1892 ishte me prejardhje shqiptare. Fakti se kjo prejardhje denjësisht është e shënuar gati në gjitha referencat për te në arabisht, flet se kjo ka qenë një fakt që është cekur edhe nga vet poeti madje edhe e potencuar. Mungojnë ende studime të veçanta për relacionin e këtij poeti me shqiptarinë e tij dhe kjo është temë e denjë edhe për kërkime akademike. 

Ahmed Rami (vdiq me 5 qershor 1981), përmbledhjen e parë poetike e botoi në vitin 1918 që ishte qasje dhe trend i ri në poezinë e atëhershme arabe. Diplomoi në Sorbonë, Francë me specializim për gjuhën persisht dhe ishte përkthyesi modern që solli në arabisht Rubairat e Omer Hajjamit.

Nga puna e palodhshme e tij si përkthyes janë edhe dramat e Sheksipirit të cilat Rami i pari i përktheu në arabisht. Edhe vet shkroi shumë drama të cilat u veçuan dhe u luajtën shumë në teatret kombëtare të shumë shteteve arabe dhe në vendlindjen e tij Egjiptin. Në vitin 1924 ai u njoh me këngëtaren më të famshme arabe Ummi Kulthum. Ai ishte i fascinuar nga zëri i saj dhe shkroi një këngë për te. Kjo këngë ishte e para që ajo këndoi si këngë origjinalisht e performuar nga ajo. Ahmed Rami shkroi edhe për këngëtarë tjerë të njohur egjiptas si Muhamed Abdulvehab dhe Abdulhalim Hafidh që njihen si themeluesit e muzikës moderne arabe.

Ky poet u vlerësua shumë nga gjithë arabët me çmime të posaçme kombëtare prej Libanit e deri në Maroko, por vlerësim të veçantë iu bë në vendin e vet në Egjipt ky njihej si “poeti i rinisë”.

Atij, pos shumë mirënjohjeve kombëtare iu dha edhe një doktoraturë nderi në arte, nga vet presidenti i atëhershëm egjiptas Enver Sadati. Ishte një kohë edhe kryetar i shoqatës së shkrimtarëve dhe punoi në bibliotekën kombëtare dhe në mision diplomatik të Egjiptit. Por ajo që ia vulosi popullaritetin e tij ishte se ky poet ishte shkruesi i këngëve të Ummi Kulthumit. Këngë këto, që vazhdojnë të ndëgjohen nga miliona arabë anembanë botës. Kritikët letrar arab dhe të huaj e shohin Ahmed Rami-n si njeriun që ruajti gjuhën letrare arabe duke e bërë të kapshme edhe për gjeneratat moderne. Poezia e tij ishte dhe mbeti kthesë në lirikën dhe epikën moderne arabe. Kjo pasi ai pos temës së tij kryesore dashurisë shkroi edhe shumë këngë patriotike.  

Ahmed Rami ishte karakteri që përshkoi edhe historinë urbane të Kajros moderne. Ai ishte i njohur për tifozerinë e tij për klubin futbollistik Zemaleek (klubi që mban emrin e një distrikti të Kajros i cili është i emërtuar sipas një fshati shqiptar, Zemlaku në Korçë). I njohur për teshat e tija të bardha dhe mindilin e tij e kuq, që gjithmonë e mbante. Por ende më shumë për lidhjen me këngëtaren e famshme pan-arabe. Flitej se ata dytë ishin dashur dhe se kishin menduar edhe për martesë. Flitej se këngëtarja nuk u martua më shumë që të mos ia ndalte inspirimin poetik kurse për vet Ahmed Rami-n flitej se e kishte kushtëzuar e motra e tij që ai të mirrte një zonjë shqiptare, me të cilën mandej pati tre djem. 

Por, në varrimin e Ummi Kulthumit dhe në elegjinë rrëqethëse që ai vet lexoi me atë rast, ishte vërejtur më së shumti dendësia e ndjenjave dhe respekti që ky poet kishte patur për ikonën e muzikës arabe. Por ende më shumë u vërejt pas vdekjes së këngëtares në vitin 1976. Ahmed Rami për te kishte shkruar 110 këngë. Pas asaj, ai nuk shkroi këngë më, për askend. Për pesë vitet e mbetura ai jetoi në një depresion. Në një film dokumentar për këtë bard të kulturës moderne arabe thuhet se Ahmed Rami ishte ai që na tregoi se dashuria nuk ishte vetëm fjalë. Ky, me të pathënat në lidhje me Ummi Kulthum, edhe ua dëshmoi këtë gjë arabëve. Shqiptarët do ta mësojnë këtë, kur ndonjëherë do përkthejnë diçka nga opusi poetik i këtij shqiptari të famshëm.

RAMADAN RAMADANI

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button