Kosovë, Partitë politike kundër modelit të dy Gjermanive

Aplikimi i modelit të dy Gjermanive në rastin e Kosovës dhe Serbisë, nuk parapëlqehet nga përfaqësuesit e partive politike.

Ideja e një traktati të tillë, besohet se do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë që pa e njohur njëra-tjetrën të krijojnë një normalizim marrëdhëniesh duke i mundësuar Kosovës të anëtarësohet edhe në Kombet e Bashkuara.

Por, përfaqësuesit e partive politike, duket të jenë kategorikë se nuk e pëlqejnë këtë model.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, thotë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë duhet të respektojë Kushtetutën dhe Rezolutën e Kuvendit, duke mos e komentuar nëse një traktat i tillë do të ishte në kundërshtim me këto akte. 

Modeli i dy Gjermanive, së fundmi, ishte cilësuar si mjaft interesant nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Por, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se nuk sheh ndonjë arsye për aplikimin e një modeli të tillë, sepse “ne e kemi Kushtetutën që ka buruar nga Pakoja e presidentit Ahtisaari. Kosova e ka rregullimin e saj kushtetues dhe nuk shohim asnjë arsye që tash të zbulojmë modele, sepse del nesër dikush e na tregon edhe për ndonjë model tjetër”.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tërheq vërejtjen për kujdesin që institucionet e Kosovës duhet të kenë kur mbështeten eventualisht në aplikimin e modeleve në rastin e Kosovës dhe Serbisë, marrë parasysh pasojat që mund të përcjellin më pas procesin e nisur të normalizimit të marrëdhënieve reciproke.

Se bashkësia ndërkombëtare do të dëshironte të shtynte përpara idenë e aplikimit të modelit të dy Gjermanive në rastin e Kosovës dhe Serbisë, këtë së pari e pati përmendur para dy vitesh Ilir Deda, ndërsa edhe sot, ai thotë se njerëzit duhet ta kenë të qartë fillimisht që ky model në rastin e dy Gjermanive nuk ishte aplikuar për bashkimin, por ndarjen e tyre. Traktati i aplikuar në fillim të viteve të 70-ta, vijon Deda, u ka mundësuar të dy Gjermanive që të anëtarësohen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera pa e njohur njëra-tjetrën dhe duke funksionuar me një rregullim normal të raporteve reciproke.

“Në kontekstin Kosovë – Serbi, ky model do të shfrytëzohej që Serbia dhe Kosova të mos njihen njëra me tjetrën, por të kenë marrëdhënie si dy shtete të pavarura, dhe të hapej rruga që Republika e Kosovës të bëhet pjesë e OKB-së dhe e gjitha organizatave tjera ndërkombëtare. Por, që të mbërrihet deri te kjo pikë nevojitet konstruktiviteti i Serbisë”, thotë Deda.

Marrë parasysh qëndrimin kategorik të Serbisë për mospranimin e shtetit të Kosovës, Ilir Deda e sheh si shumë të vështirë aplikimin e këtij modeli në rastin Kosovë – Serbi. Ky model, ka kuptim për Kosovën vetëm nëse ajo bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, thotë ai. Aplikimi i një marrëveshjeje të tillë, sipas tij, mund të arrihet vetëm me një trysni të madhe ndërkombëtare mbi Serbinë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button