30 Nëntori

Pak para fillimit të Lojërave Olimpike në Londër, Kryeministri britanik e shpalosi planin e tij të veprimit, duke i habitur të gjithë ata që ishin të preokupuar me kritika serioze ndaj udhëheqësisë shtetërore për shkak të lëshimeve të thella. I vetëdijshëm për rëndësinë e Lojërave Olimpike që u kthyen në Londër pas pothuajse 100 viteve, Dejvid Kamerun e shpalli si prioritet shfrytëzimin e momentit olimpik për ngritjen e frymës sportive në vend. Do të thotë – kremtimi dhe euforia vijnë pa dallim gabimeve ekzistuese, por që tani duhet menduar se çka pason përtej festimit. 

Kjo është arsyeja për titullin e këtij shkrimi. 28 nëntori është padyshim moment i merituar kremtimi, i shoqëruar me një ditë plus për akomodim në realitet dhe zbutje të trupit nga pija dhe dëfrimi. Me gjasë, me 30 nëntor do të mbetemi krenar për atë që e kemi arritur gjatë shekullit të kaluar si komb dhe shtet, kryelartë për kontributin që ia kemi dhënë njerëzimit, kokëngritur për personazhet e spikatura që kanë lënë gjurmë pa dallim vështirësive dhe sfidave që sot nuk mund t’i imagjinojmë. 

Por, kjo do të jetë datë edhe për vetë-refleksion. Të pyetemi se deri ku jemi dhe ku synojmë të arrijmë. Në qoftë se nuk kemi ide ku dëshirojmë të shkojmë, do të arrijmë pikërisht aty – askund. Me pak objektivitet dhe dozë të nevojshme vetë-kritike, mund t’ia lejojmë vetes të mendojmë përtej folklorizmit të xhamave të zeza, koreografisë së viteve të nëntëdhjeta dhe mentalitetit të oxhakut.  

Për fillim, mund të jemi shumë krenarë dhe të kënaqur me ngritjen që e kemi bërë gjatë njëzetë viteve të fundit, një hark kohor mjaft i shkurtë për ndryshimet thelbësore. Rënia e diktaturës enveriste dhe fillimi i rrugëtimit të gjatë në demokraci, krijimi i Kosovës së pavarur dhe Shqipëria në NATO janë disa prej përfitimeve historike, duke ia shtuar këtu rikthimin shqiptar ndaj miqësisë së shumëkultivuar me Shtetet e Bashkuara, si aleat besnik ndaj të cilit mbetemi përjetësisht falënderues. 

Por, assesi nuk mund të anashkalohet mjerimi që mbretëron pothuajse në të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Është e tmerrshme të mendohet që shekulli XXI na gjen me probleme uji dhe rryme, me institucione të zhytura në korrupsion, me arsim dhe shëndetësi të mjerueshme. Nuk ka mjaft flamuj për ta fshehur perspektivën e hidhur, kur pjesa dërmuese e të rinjve kërkojnë çfarëdo mundësie për një jetë dinjitoze jashtë vendit, aty ku vlerësohet krenaria e njeriut. Të ballafaquar me bizaritetin kur sunduesit e huaj zëvendësohen me despotë që kanë gojën plot integrime, vërtetë do të materializohet ëndërra për bashkim në Evropë – diku larg, në kërkim për një jetë dinjitoze. 

Ironike sa nuk bëhet, ka edhe një ndjenjë tjetër përveç gëzimit kur shihen të gjithë ata që kanë pasur sukses jashtë – duke filluar nga Faik Konica dhe Ismail Kadare, deri tek Rita Ora dhe Rene Rexhepi, si dhe shumë tjerë, emrat e të cilëve nuk do të dihen kurrë. Është kjo pyetja se vallë në cilën çajtore ose degë partiake do të vriteshin aftësitë e tyre, po të mos e kishin bekimin e të jetuarit në një botë normale ku njerëzit cilësohen sipas cilësive që i bartin. Realitet i hidhur, por që nuk mund të ndryshohet pa e njohur atë që të gjithë e shohim ndër vite dhe fytyra të ndryshme.  

Si edhe shumë herë kur momentet e kremtimit shëmtohen nga idetë bombastike të çastit, gjërat e vogla e tregojnë nivelin e rëndësisë që ia japim datave. Këtu medoemos duhet cekur plani mizor për therrjen e 1000 deleve e qengjave për shënimin e shekullit të parë të shtetit shqiptar. Çka kanë faj kafshët e shkreta, me çka e kanë merituar ato ta paguajnë megalomaninë e paaftësisë? Fatkeqësisht, kur nuk hapen njëqind shkolla të reja si obligim moral ndaj kombit, çmimi paguhet nga ata që nuk mund të mbrojnë veten nga kasapi. Për më tepër, ka gjasa që këto dele e qengja ta paralajmërojnë therrjen tonë kolektive, për ta furnizuar gostinë e udhëheqësve të pazgjedhur. 

30 nëntori mbase do të jetë më i vështirë për eksportuesit e fjalëve boshe dhe patriotët profesionalë, që në mungesë të aftësive tjera, nuk ju mbetet tjetër pos përfitimit të zhurmshëm nga ngjarjet mbarëkombëtare. Të shkretët, harrojnë që në hapësirat tona të vogla dihet se kush sa peshon dhe pa fije turpi i degjenerojnë edhe monumentet e personaliteteve historike, tashmë kur kanë korruptuar dhe shkatërruar pothuajse gjithçka. Në ndërkohë, ne tjerët mbetemi të përkushtuar ndaj luftimit të provincializmit dhe promovimit të injorancës si standard. 

Atë ditë, le t’i kujtojmë të gjithë ata që kishin përkushtim jetësor idealin që e festojmë tani. Sa afër janë pushtetarët aktualë ndaj përkushtimit të tyre? Sa punojnë për bashkim dhe ngritje, e sa për interesat personale-klanore? Përgjigjen e di secili prej nesh. Kjo jemi ne. As më pak e as më shumë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button