Shkupi feston 100 vjetorin

Përfundoi manifestimi qendror në Shkup për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Në manifestimin madhështor në sallën “Boris Trajkovski” mysafir ishin kryeministrat e Shqipërisë Sali Berisha dhe Kosovës Hashim Thaçi si dhe përfaqësues të jetës publike si nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

“Ky 100-vjetor na fton, na frymëzon, të vazhdojmë për të bërë realitet ëndrrën e tyre që u flijuan gjatë këtij shekulli për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo ëndërr në të vërtetë, po ta lexosh 100 herë, është ëndrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Këtu, nga Shkupi, dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve, të punojnë çdo minutë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të punojnë për bashkimin e tyre” – tha kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sali Berisha.

“Jemi sonte në Shkup në vilajetin e Kosovës dhe secili prej nesh duhet të mendojmë të kutjojmë ku ishim para 13 vitesh më parë. Ndodhi mrekullia që lindi prej vullnetit të shqiptarëve, lindi Ushtria Çlimtare e Kosovës dhe arriti ta largojë Serbinë nga Kosova, ndaj ajo është e lirë dhe sovrane. Mrekullia UÇK është një mrekulli e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës, por ajo u fuqizua nga mbështetja e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, Maqedoni, diasporë, Shqipëri. UÇK bashkoi shqiptarët”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi. 

“Ne jemi përpjekur sado pak të bëjmë punë dhe të lëmë gjurmë për shqiptarët, që të nderojmë të gjithë ata mësues, që kanë dhënë në jetën e tyre për të na ngritur dhe për ta na mbajtur në këmbë. Askush të mos e keqkuptojë këtë festë kombëtare, sepse flamuri shqiptar është shumë më i vjetër se shteti shqiptar, një nga flamujt më të vjetër të Evropës” – tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Manifestimi u përcoll edhe me program të pasur artistik, për të cilin u përkujdesën Ilir Shaqiri, Alban Skënderaj, Adrian Gaxha, Jericho, Selami Kolonja e shumë të tjerë./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button