U vendos gurëthemeli i sallës sportive në USHT

Me një ceremoni, gjatë ditës së sotme (24.11.2012), në USHT, respektivisht në afërsi të objektit të ri të universitetit, u vendos gurthemeli i sallës së sportit ,,Rinia”. Në këtë solemnitet, përpos një numri të madh të studentëve, profesorëve dhe udhëheqësisë së USHT-së, të kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i RM-së, z. Musa Xhaferi, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, z. Llazar Popovski, zëvendësi i tij, z. Fevzi Mani, ministra, deputetë dhe mysafirë të shumtë. 

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij theksoi se si drejtues të universitetit e kemi mirëpritur këtë vendim të Qeverisë, respektivisht Agjencisë për Rini dhe Sport, për ndërtimin e kësaj salle të sportit, pasi siç tha, në të ardhmen e afërt, Fakulteti i Kulturës Fizike, krahas studimit në fushën e edukimit fizik dhe shëndetësor, do të disponojë të gjitha kushtet e nevojshme për të organizuar edhe aktivitete sportive. 

“Në këtë sallë do të zhvillojnë aktivitete sportive edhe studentët e fakulteteve dhe programeve të tjera studimore të USHT-së. Ngritja e këtij objekti, me sipërfaqe prej 1275 m², për ndërtimin e të cilit do të investohen rreth 600 mijë euro, do të shërbejë për zhvillimin procesit mësimor, sa i përket pjesës praktike”, tha rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Llazar Popovski duke e përgëzuar udhëheqësinë, stafin akademik dhe studentët, tha se dita e sotme është ditë e madhe për sportin universitar në Tetovë. 

“Me vendosjen e gurthemelit, shënojmë fillimin e ndërtimit të sallës së sportit “Rinia”, e cila do të kontribuojë për zhvillimin e sportit universitar. Me sallën e re, studentët, do të fitojnë kushte të shkëlqyeshme që të merren me sport, ashtu siç e bëjnë edhe kolegët e tyre nga universitetet evropiane dhe botërore”, tha z. Popovski. 

Për zv/kryeministrin e Maqedonisë, z.Musa Xhaferi, vendosja e gurthemelit të kësaj salle është dhurata më e bukur që ka mundur t’i jepet USHT-së me rastin e festave të nëntorit në këtë 100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë. 

“Kam kënaqësi që sot jam pjesë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e sallës sportive. Kjo është një motivim për studentët dhe stafin akademik që më shumë të punojnë në ngritjen e cilësisë së studimeve, por kjo është edhe një mundësi e mirë që profesorët të tregojnë edhe aftësitë e tyre në praktikë. Kjo do të bind edhe ata pesimistë të cilët thonë se USHT do të ngel vetëm një objekt i thjeshtë. Dëshmi për këtë është edhe objekti të cilin e shihni dhe së shpejti edhe ai do të inaugurohet. Ne do të mundohemi që edhe në të ardhmen të gjejmë forma dhe mundësi që të financojmë ndërtimin e bibliotekës universitare, në mënyrë që studentët të kenë kushte sa më të mira për të studiuar”, theksoi zv/kryeministri Xhaferi. 

Universiteti Shtetëror i Tetovës, edhe gjatë ditëve të ardhshme do të vazhdojë me përurime në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button