Renova mundi Dritën

Renova ka mundur Dritën me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të javës së 16-të në elitën e futbollit në Maqedoni.

Në takim interesant dhe me raste të mira në të dyja palët, fitorja i takoi skuadrës vendase, e cila ndërpreu serinë prej tre disfatave të njëpasnjëshme, dy në kampionat dhe një në Kupë. Sulmuesi shtatëlartë i xhepçishtasve Boban Jançevski ishte heroi i takimit, pasi realizoi të dy golat në këtë triumf të ‘gjipspunuesve’. Së pari në minutën e 7-të, vendasit egzekutuan goditje dënimi, Jançevski kërceu më lartë në zonë dhe dërgoi topin në këndin e pambrojtur të portës së Basnarkovit, për epërsi 1:0.

Pas golit të pranuar Drita kaloi në epërsi në kërkim të barazimit, mirëpo pa mundur të prekin rrjetën e Zendelit. Renova disi e tërhequr kërkonte rastin për të mbyllur ndeshjen në kundërsulme dhe katër minuta para fundit të pjesës së parë Jançevski përsëri në qendër të vëmendjes, pranon topin në zonë dhe në rrotullim lëshon goditje të pandalshme. 2:0 dhe sinjal që Drita duhet të kërkojë më shumë.

Pjesa e dytë kaloi në tentime të miqve nga Bogovina, por që nuk arrinin të shënojnë, ndërsa në anën tjetër vendasit lëshuan disa raste të mira për të rritur avantazhin, madje një herë edhe shënuan me anë të Bajramit, mirëpo goli u anulua për shkak të pozitës jashtëloje. Mundësia e fundit më serioze ishte në minutën e 82-të kur Shaqiri godet fuqishëm nga distanca, ndërsa me mbrojtje të mirë përgjigjet Suat Zendeli, që s’lejon të kapitulojë.

Pas këtij rasti një duel i panevojshëm verbal solli karton të kuq për Sashko Ristovin e Renovës, që duhej të mbyllë ndeshjen me 10-të futbollistë. Në fund fitorja me meritë i takoi skuadrës vendase, e cila me këto tre pikë tani ka 20 pikë dhe mban pozitën e 8-të. Drita është e 7-ta, por së bashku me Renovën kanë nga një ndeshje më shumë se skuadrat tjera, të cilat takimet e javës së 16-të i zhvillojnë të dielën. Dueli Horizont Turnova-Vardari është derbi i javës, Rabotniçki pret Shkëndijën, Bregallnica takohet me Metalurgun, Napredoku ndeshet me Pelisterin, ndërsa Teteksi në Tetovë përballet me Sileksin. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button