104 vjet nga Kongresi i Manastirit

Procesi i formësimit dhe konsolidimit nacional të grupeve të caktuara etnike, fiseve, popujve apo kalimi i tyre në një fazë më të lartë të zhvillimit shoqëror – stadin e kombit shtet, nuk mund të realizohet pa ngritjen kulturore të vetë grupit. Në funksion të ngritjes kulturore dhe me rëndësi kruciale në vetëdijesimin kombëtar të shtresave të gjera popullore është mësimi i detyruar i gjuhës amtare nëpër shkolla si dhe përdorimi i institucionalizuar i saj në aparatin shtetëror dhe sferën publike në përgjithësi.

Kombit shqiptar të gjendur për periudha të gjata historike së pari nën sundimin bizantin e më vonë nën atë otoman i është mohuar vazhdimisht nga lart një emancipim i këtillë kulturor. Periudha e iluminizmit e cila përfshiu Evropën duke formësuar atje kulturat kombëtare që njohim sot, nuk preku fare territoret etnike shqiptare. Absolutizmi dhe despotizmi totalitar oriental i cili sundonte në Shqipëri e Ballkan nuk toleronte mjete që do të nxisnin lëvizjet kombëtare të popujve ballkanikë e sidomos të shqiptarëve. Qeveritë e ndryshme otomane ishin konsistente në një pikë: Nuk lejonin assesi zyrtarizmin e gjuhës shqipe në viset ku shqiptarët ishin shumicë e popullsisë. Ndaloheshin me ligj dhe pengoheshin me dhunë policore edhe përpjekjet vullnetare të rilindësve tanë për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Një politikë e tillë shtetërore turke ishte në sinkronizim te plotë me qarqet nacionaliste greke të cilat luftonin me të gjitha mjetet kundër emancipimit kulturor të kombit tonë. Kështu, në provincat shqiptare të Janinës dhe Manastirit për nxënësit shqiptarë të përkatësisë ortodokse ekzistonin vetëm shkolla greke, sllave e në raste edhe arumune, kurse për masën shqiptare të përkatësisë islame shkollimi ishte vetëm në gjuhën turke. Politika e këtillë arsimore e qeverisë turke e shtyu për dekada me radhë zgjimin kombëtar të popullit tonë, duke e lënë atë zbuluar para synimeve ekspansioniste dhe gjenocidale të fqinjëve ballkanikë.

Duke parandjerë një katastrofë kombëtare në bërje e sipër, qarqet patriotike shqiptare filluan përpjekjet e tyre iluministe për ndriçimin e komuniteteve shqiptare nëpërmjet shkollimit në gjuhën shqipe. Një pengesë e rëndësishme në këtë drejtim u bë mungesa e një alfabeti të vetëm dhe unik me të cilën do të shkruhej gjuha shqipe. Për të evituar dobësimin e lëvizjes kombëtare si rezultat i përdorimit të alfabeteve të ndryshëm që ishte synim publik si i qeverisë otomane ashtu edhe qeverisë greke, elita kulturore shqiptare vendosi organizimin e Kongresit ku në mënyrë përfundimtare do të vendosej për alfabetin unik me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe.

Qyteti që u përzgjodh për këtë detyrë imediate kombëtare nuk ishte i rastësishëm. Manastiri, si një qendër e njohur politiko-ushtarake dhe ekonomiko-kulturore në pjesën evropiane të perandorisë së atëhershme otomane, ishte në qendër të intrigave antishqiptare ballkanike. Aty kryqëzoheshin interesat imperialiste të pushtuesit turk dhe synimet pushtuese të monarkive ballkanike me përpjekjet çlirimtare progresiste të popullit të robëruar shqiptar. Greqia dhe Bullgaria ishin në një garë të ethshme mes tyre për përfitimin e popullatës ortodokse të qytetit e cila në pikëpamje nacionale ishte e përzier me një dominim të lehtë të elementit etnik shqiptar. Për të përfituar popullsinë ortodokse shqiptare përdoreshin shkollat, teatrot, kishat dhe koercioni ekonomiko-financiar. Pushteti turk duke qenë në aleancë të plotë me planet e këtilla greko-serbe, pengonte nga ana e tij zgjimin kombëtar të pjesës myslimane të banorëve të Manastirit, duke detyruar shqiptarët që të shkollohen turqisht dhe duke mos pranuar assesi shkollimin kombëtar.

Në këtë situatë të rëndë për shqiptarët e Manastirit, vendimi i marrë nga Rilindësit tanë për të organizuar Kongresin e alfabetit pikërisht në këtë qytet, ishte i një rëndësie epokale. Me këtë i dërgohej mesazhi si pushtuesit otoman ashtu edhe shovinistëve ballkanikë së Manastiri është qendër politike, administrative dhe kulturore e popullit shqiptar dhe si i tillë në çdo rregullim të mundshëm territorial në të ardhmen, ai do të duhej të jetë pjesë e një shteti shqiptar.

Vetë Kongresi u mbajt në datat 14-22 nëntor nën udhëheqjen e një pinjolli të shquar të Frashëllinjve, Mit’hatit me pjesëmarrjen e 150 delegatëve nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë në Ballkan si dhe të delegacioneve nga diasporat e atëhershme të shpërndara nga Rumania deri në botën e re. Kongresi vendosi unanimisht që në pajtim me synimet historike të popullit tonë për pavarësimin kulturor dhe politik nga sundimi shekullor dhe rikthim në identitetin tonë të vjetër evropian, gjuha shqipe të shkruhej me alfabet latin. Me këtë iu dhanë një goditje e rëndë përpjekjeve djallëzore turke, greke dhe sllave për të imponuar për gjuhën shqipe alfabete arabe, greke apo sllavocirilike, që me automatizëm nënkuptonte përçarjen, copëtimin dhe zhdukjen definitive të kombit si njësi e veçantë dhe e pavarur nga skena ballkanike.

Ky vendim është historik dhe i rëndësishëm në shumë drejtime.

Së pari, në aspekt politik, vendimi për të shkruar gjuhën shqipe me alfabet latin kishte rëndësi kruciale në procesin e pavarësimit të kombit nga sundimi i huaj shumëshekullor. Shqiptarët ndaheshin nga pushtuesit e vjetër përfundimisht duke iu rikthyer bashkësisë evropiane të popujve të lirë.

Një arsye e dytë shumë e rëndësishme ishte rënia morale e popullsisë shqiptare e cila e gjendur për periudha shekullore nën sundimin dhe influencat e huaja, thjesht e kishte humbur ndërgjegjen etnike dhe nuk besonte se mund të shkruhej në gjuhën shqipe. Edhe kur filloi në raste të veçanta shkrimi i gjuhës sonë dhe shkollimi në gjuhën shqipe, përsëri përdoreshin alfabete të ndryshme që shtonin konfuzionin dhe mosbesimin e masave tona popullore për zhvillimin e gjuhës në një nivel më të lartë kulturor.

Parë në dimension teknik, gjuha shqipe duke qenë shkruar që në mesjetën e hershme me alfabet evropian latin, kishte krijuar një traditë dhe kontinuitet me të cilin ishin familjarizuar shtresa të gjera të popullsisë dhe elitës kulturore. Publikimi i materialeve në gjuhën shqipe bëhej në Evropë, ku alfabetet tjera përveç atij latin kishin një përhapje shumë të kufizuar, për të mos thënë nuk përdoreshin fare. Me këtë evitoheshin probleme të theksuara të natyrës teknike në shtypjen e materialeve të shumta për gjuhën tonë.

Kongresi i Manastirit me vendimet historike që mori, trasoi rrugën për një zhvillim të lirë, të drejtë të gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar. Brezat që erdhën më vonë jetësuan në vepër idetë dhe idealet e rilindëve tanë për arsim në gjuhën shqipe dhe vetëm shqipe për kombin shqiptar. Sot në një gjendje shumë më të favorshme për zhvillimin e lirë e të papenguar kulturor të kombit, gjendja e arsimit kombëtar është e pakënaqshme. Niveli i përgjithshëm i cilësisë së arsimit ka rënë dukshëm sidomos në zonat periferike dhe në viset shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë.

Hapja e kolegjeve greke dhe turke, të cilat kanë për qëllim përhapjen me metoda moderne të gjuhëve dhe kulturave të tyre në dëm të kulturës dhe gjuhës tonë, me lejen e qeverive qe veten e quajnë “shqiptare” është në një ekspanzion të pandalshëm. Në raport simetrik me këtë zgjerim të tyre, bie numri i shkollave në gjuhën shqipe dhe ngushtohet hapësira e kulturës shqiptare. Qeveritë tona kanë plane akoma më të tmerrshme për zyrtarizime gjuhësh të huaja në territoret tona etnike. Tashmë vërehen veprime të tilla totalisht të çakorduara dhe thellësisht antikombëtare të zyrtarizmit të gjuhëve greke apo turke në zona të pastra etnike shqiptare. Procesi i asimilimit etnik të shqiptarëve vazhdon akoma sot në shekullin e XXI në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Greqi. Këtë nuk do ta kishin besuar kurrë rilindësit e Manastirit. Ata nuk do të kishin besuar kurrë se në shtete moderne të pavarura shqiptare ku sot qeverisin individë, grupe, klane që veten e quajnë shqiptarë etnikë, shkollat shqipe do të reduktohen kurse shkollat greke e turke do të vijnë gjithnjë e duke u shtuar.

Shpresa e vetme për rregullimin e këtyre raporteve të sëmura dhe për një zhvillim normal të arsimit kombëtar mbetet largimi i kësaj klase para politike të korruptuar materialisht dhe mendërisht dhe përpilimi i politikave moderne publike në fushën e arsimit. Këto politika evropianiste do të siguronin njëherë e përgjithmonë mbijetesën kulturore të kombit duke evituar krijimin e kushteve për realizimin e planeve djallëzore dhe shoviniste greke, turke, sllave për asimilimin e pjesëve të popullit tonë dhe modifikimin e ndryshimin e botëkuptimit shqiptar mbi jetën. Aplikimi i modeleve të avancuara evropiane të arsimit publik të bazuar në themele thellësisht kombëtare dhe humaniste njëkohësisht, është mënyra e vetme për shpëtimin e arsimit shqip, të gjuhës shqipe dhe në instancë të fundit të vetë kombit shqiptar, si një komb-shtet i pavarur, i integruar, i kulturuar dhe i barabartë me sivëllezërit e tij evropianë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button