(Video) Reali eliminon Cityn, Dortmundi – Ajaxin

Real Madridi ka luajtur baras, 1-1, kundër Manchester Cityt për të fituar një pikë, e cila i mjafton të kualifikohet në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

Los Blancos luajtën shumë më mirë në pjesën e parë, të cilën e mbyllën me një gol epërsi, por avantazhi ka mundur të jetë shumë më i lartë.

Një harkim të bukur të Angel Di Marias e priti në zonë Karim Benzema për epërsinë e mysafirëve (10’).
Vendasit e nisën më mirë gjysmën e dytë duke krijuar më shumë raste në përpjekje për të shënuar.

Përmendim dy raste të mrekullueshme për Sergio Agueron, i cili ishte i pafuqishëm përballë Iker Casillas.

Nga ana tjetër, arbitri nuk akordoi penalti në një ndërhyrje të gabuar në dëm të Cristiano Ronaldos në zonë.

Disa minuta më pas, u akordua penalti në favor të vendasve, ndërsa Arbeloa u përjashtua me karton të kuq. Përgjegjësinë e mori Kun Aguero për ta barazuar rezultatin (73’).

Në takimin tjetër të Grupit D, Borussia Dortmundi e ka mposhtur Ajaxin me rezultat 4-1.
Reus (8’), Goetze (36’) dhe Lewandowski (41’ dhe 67’) ishin realizues për gjermanët, ndërsa golin e nderit për vendasit e shënoi Hoesen (86’).


Pas xhiros së pestë, Borussia Dortmundi numëron 11 pikë, ndërsa Real Madridi tetë pikë. Ajaxi dhe Manchester City do të kërkojnë një vend në Europa League. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button