Promovohet monografia “Llaca në rrjedhën e moteve”

Të dielën në restorantin Arra në Tetovë, Qazim Kurtishi-Arnori promovoi librin e tij, monografinë me titull “Llaca në rrjedhën e motive”. Libri paraqet një përmbledhje e kulturës materiale dhe shpirtërore të popullatës së fshatit Llacë të Tetovës.

“Librin ia kushtoj gjyshit tim të ndjerë Kurtishit” u shpreh para të pranishmëve Qazim Kurtishi-Arnori. Ai theksoi se dashuria ndaj këtij fshati ku një pjesë të jetës kanë jetuar prindërit e tij ka qenë arsyeja kryesore pse ka marrë përsipër ti përvishej punës së palodhshme të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave të shumta.  

“Gjithashtu, dëshira për të lënë diçka të shkruar për të më ka shtyrë të sjell në dritë këtë libër ngase siç dihet historia e një vendi fillon atëherë kur ajo nis të shkruhet. Veprës i jam përkushtuar me tërë seriozitetin e mundshëm saqë me qindra herë kudo që jam ndodhur, në momentin e lindjes së një ideje për ta pasuruar këtë vepër , e kam shënuar atë në notesin e xhepit, që më pas për ta gjetur vendin e duhur në vepër” tha Kurtishi.

Redaktori i librit Fatmir Sulejmani tha se autori në këtë libër sjell dëshmi të rralla rreth të vërtetave historike të fshatit Llacë.

“Me një fjalë kjo monografi hedh dritë të mjaftueshme mbi të gjitha çështjet e lidhura për njërin prej vendbanimeve shqiptare të Malësisë së Sharrit duke kompensuar më së miri mungesën e literaturës së shkruar për këto çështje” tha Sulejmani.

“Kur e lexon këtë monografi, të sillet ndërmend mendimi se sa libra të tjerë të dobishëm do të kishim nga ky autor sikur të kishte pasur komoditetin e duhur për një shkencëtar që nga rinia e hershme e tij. Me punën e bërë në këtë moshë, jep shembullin se si duhet trajtuar studiuesit e rinj të cilëve  u duhet krijuar kushte të volitshme për punë shkencore që fatkeqësisht  i kanë munguar të respektuarit Qazim Kurtishi dhe fatkeqësisht u mungojnë dhe studiuesve të sotëm” tha mes tjerash publicisti Salajdin Salihu.

Kjo është monografia e dytë e Qazim Kurtishit, e para ishte me titull “Sellca ndër shekuj”. Ai është lindur në vitin 1933. Ai është me përvojë pune në shkollë të mesme dhe universitet, flet disa gjuhë të huaja dhe është ilirolog i pasionuar. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button