Buxheti 2013, opozita akuzon për shkurtimin e projekteve shqiptare

Propozim Buxheti për vitin 2013 hyri në procedurë parlamentare sot në Komision për Buxhet. Opozita shqiptare ishte e zëshme në akuzat për mungesën dhe shkurtimin e projekteve shqiptare dhe jo proporcion në ndarjen e buxhetit.

“I nderuar ministër, për mua si RDK opozitare është e papranueshme që sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit nga buxheti qendror të ketë 0.4%, ose keni faktikisht zvogëlim të mjeteve. Në vitin 2012 sekretariati ka pas 11 milion euro, ndërsa për vitin 2013 ka 9,5 milion euro. Ajo që është indikative është pikërisht ministritë e partnerit tuaj qeverisës. Të gjitha ministritë kanë zvogëlim të buxhetit. A thua ministrat e BDI-së nuk kanë invencion, nuk kanë ide, nuk janë kreativ të propozojnë projekte apo Qeveria i shkurton projektet dhe paratë e partnerëve të koalicionit?” – tha Izet Zeqiri nga RDK.

Ministri i Financave Zoran Stavrevski thirri deputetin e RDK-së që mos ti jep ngjyrë etnike.

“Mendoj se në mënyrë të panevojshme dhe të rrezikshme përpiqeni në një dimension etnik ti shihni të dhënat dhe buxhetin dhe ta prezantoni diskutimin në atë mënyrë që dikush i merr diçka dikujt ose  dikush i jep diçka dikujt. Mendoj se është tezë e rrezikshme politike dhe nuk duhet të mbetet pa komentuar sepse nuk është e saktë. Qeveria e Maqedonisë e cila fitoi besimin e qytetarëve fitoi program të përbashkët, ky është dokumenti i vetëm për mes të cilit udhëhiqet qeveria në konceptimin e Buxheteve çdo vit. Në atë program bashkërisht u takuan  projektet të cilat i shin në programin e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit tonë dhe programi i BDI-së. Aty janë përfshirë të gjitha prioritetet dhe sipas atyre prioriteteve punon qeveria dhe ka formuar Buxhetin” – tha Ministri i Financave Zoran Stavrevski.

Deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili potencoi se ka edhe ministri që i udhëheq BDI ku është rritur buxheti, duke shtuar se megjithatë nuk duhet që buxheti të analizohet në këtë prizmë.

“Ju flisni se ka ulje të mjeteve në ministritë të cilat menaxhohen nga BDI dhe përmendni vetëm ato ministri ku sipas jush ka ulje të buxhetit, kurse argumentet e mija janë se në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Ambientit Jetësor në krahasim me vitin 2012 ka rritje të buxhetit. Në ministrinë e mbrojtjes për vitin 2012 janë paraparë 5.538.553.000 denarë, kurse për vitin 2013 ka rritje, sa do që të jetë e vogël është rritje, 5.563.201.000 denarë. Për ministrinë e ambientit jetësor në vitit 2012 5.535.160.000 denarë, në vitin 2013 janë paraparë 5.577.390.000. Drejtori I Fondit për sigurim pensional është kuadër i BDI-së dhe ka buxhet prej 49 miliardë ose 40% e buxhetit të shtetit ose 30%, ku na shpien kjo logjikë?” – tha Rexhail Ismaili.

RDK ka propozuar 400 amendamente për buxhetin, ndërsa pritet që edhe LSDM të propozon numër të ngjashëm amendamentesh./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button