As në 2013-tën nuk do të numërohemi

Regjistrimi i popullsisë mbetet jashtë agjendës qeveritare edhe vitin e ardhshëm. Në Propozim buxhetin e miratuar nga Qeveria dhe të propozuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i cili hyri në procedurë parlamentare sot, nuk parashihen mjete për realizimin e regjistrimit. 
Opozita thekson se mos realizimi i këtij procesi sjell paqartësi si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik. Sipas deputetit të RDK-së Izet Zeqiri, regjistrimi është i domosdoshëm për prognozimin e projekteve ekonomike dhe alokimin e resurseve, duke mos lënë anash edhe rrafshin politik.

“Regjistrimi si operacion statistikor dhe politik duhet patjetër të realizohet sepse si i tillë është shumë i rëndësishëm si për prognozat ekonomike ashtu edhe në aspektin politik. Pa realizimin e regjistrimit do të kemi vështirësi në alokimin e burimeve, prognozimin e projekteve, por edhe në aspektin politik, duke përfshirë dinamikën e rritjes së popullsisë dhe trupit votues. Prej këtu del se deklaratat e kryeministrit Gruevski për uljen e natalitetit të maqedonasit etnik janë deklarata boshe, pasi pa realizimin e regjistrimit të popullsisë nuk kemi një pasqyrë për rritjen apo uljen e natalitetit, kështu që mbetet e paprekshme në letër përqindja e maqedonasve me mbi 60%”- tha Zeqiri për Portalb.

Nga Qeveria zyrtarisht thonë se tema e regjistrimit të popullsisë akoma nuk është prekur as në Qeveri, as mes partnerëve të koalicionit. Sipas tyre, mos parashikimi i mjeteve në buxhetin e vitit 2013 për këtë çështje, nuk do të thotë me doemos që i njëjti nuk do të realizohet.

“Çështja e regjistrimit nuk është prekur dhe nuk është debatuar në Qeveria, nuk është debatuar as mes partnerëve të koalicionit. Po është e vërtetë që nuk janë paraparë mjete në buxhetin e vitit 2013 për realizimin e regjistrimit, por nëse sillet një ligj i tillë vitin e ardhshëm, me rishikim të buxhetit do të sigurohen mjetet. Tani për tani nuk është hapur akoma kjo çështje” – tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Nga Enti Shtetëror për Statistikë theksojnë se ata janë të gatshëm që në aspektin teknik ta realizojnë regjistrimin, nëse sillet një ligj i tillë. Regjistrimi i paraparë dhe i filluar në vitin 2011 dështoi dhe u ndërpe me arsyetim për vështirësi teknike./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button