Albani: As që dëgjoj muzikë greke! (VIDEO)

Kënga fituese e edicionit të sivjetmë të festivalit “Kënga Magjike”, tingëllon mjaft ngjashëm me këngën greke “I agapi mou ena brady” të Petros Mpousoulopoulos, mirëpo në një intervistë për Bluetooth, Alban Skënderaj mohon ta ketë vjedhur baladën e shumëpëlqyer, “Refuzoj”.

“Nuk e di pse nuk flasin profesionistët… Patjetër që unë do flas si profesionist, por duke qenë se bëhet fjalë për këngën time, mirë do të ishte që edhe dikush tjetër vërtet profesionist i kësaj fushe të kishte dhënë një mendim. I kam dëgjuar dhe i kam parë këto aludime dhe sinqerisht ju them se i marr shumë lehtë. Madje do të thosha që gati-gati i marr me dashamirësi. Nga këto komente kuptoj që kënga është aq shumë në vëmendjen e njerëzve, sa analizohet dhe diskutohet”.

“Me gjithë respektin që kam për muzikën në përgjithësi, edhe për atë greke në këtë rast, është një lloj muzike që unë nuk e dëgjoj fare. Për mënyrën dhe vendin ku unë jam rritur, jam shumë më i predispozuar të bazohem te muzika e lehtë shqiptare apo ajo ‘british’”.

“Që një këngë të quhet e kopjuar, duhet të ketë të paktën tetë masa të njëjta me një këngë tjetër. Pjesa e parë, ose më mirë të themi vargu i parë i këngës ‘Refuzoj’ ngjan disi me atë të këngës greke, por kjo është vetëm një masë. Të gjithë ata që kanë studiuar, bëjnë dhe lexojnë muzikë, e kuptojnë shumë mirë”.

“Në gjithë muzikën botërore, ka pafundësisht këngë që ngjajnë me njëra-tjetrën dhe kjo është krejtësisht normale. Kam përshtypjen që ata që flasin, nuk duan ta kuptojnë, zgjedhin të mos e kuptojnë. Pastaj është edhe pak zakon shqiptar ky, që ne gjërat e bukura e të mira e kemi të vështirë t’i pranojmë menjëherë. Si përfundim, mund të them që njerëzit kanë sy e veshë, dhe mund të vlerësojnë vetë”, ka deklaruar Albani./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button