Zaev, Vuçiq dhe Rama në Ohër: Iniciativa jonë është vlerë shtesë e asaj që kërkon BE-ja

Sot pas takimit të tyre në Ohër, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftuan edhe njëherë që iniciativa e tyre për bashkëpunimin rajonal është vlerë shtesë e asaj që kërkojnë vendet evropiane, dhe mbi të gjitha ka rëndësi pasi vjen si iniciativë e brendshme nga vetë ata, transmeton Portalb.mk.

Zaev tha se kjo është ndoshta hera e parë që një iniciativë e tillë bëhet, nga vetë ata dhe që mund të jetë vetëm vlerë shtesë e asaj që institucionet evropiane e kanë punuar bashkë me të gjithë, për ta përmirësuar ambientin ku jetojmë dhe perspektivat në këtë pjesë të kontinentit të Evropës.

Ai tha se plani aksionar parasheh funksionim 24/7 të kufijve, ju mundëson qytetarëve qarkullim me kartelë identiteti në tërë këtë rajon, mundëson kushte për kalim më të shpejtë të kamionëve kur kalojnë nëpër kufij, mundëson plan aksionar me qëllim kryesor që të njihen të gjithë dokumentet nga ana e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, nga ana e të gjithë institucioneve tjera që i punojnë dokumentet. E gjitha kjo me qëllim që të mundësohet lëvizshmëri më e lehtë, si për mallrat, ashtu edhe për kapitalin, dhe të gjitha shërbimet tjera, dhe të gjithë ato që janë të parapara në katër liritë evropiane.

“Kemi punuar një plan konkret si ndërmjet vete t’i njohim diplomat, si mund investitorët vendor dhe ato të jashtëm të kenë parasysh një ofertë më të kompletuar dhe të gjerë të kuadrove të kualifikuar të të gjithë këtij regjioni. E gjitha kjo do të sjellë jetë më të mirë para së gjithash për qytetarët tanë këtu por edhe do të hapë një perspektivë të re”, tha Zaev.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq nga ana tjetër tha se e gjithë kjo iniciativë nuk ka të bëjë me krijimin e “Jugosllavisë” por me mundësimin e një jete më të mirë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Njerëzit gabimisht e referuan atë si “mini Shengen”. Jam i shqetësuar sepse kjo nuk është shumë e popullarizuar në vendin tonë. Ne kemi bërë diçka që është një punë e madhe, dhe shumë njerëz nuk e kuptojnë atë. Rama është nën presion. Në fushatën politike, unë u akuzova se bëra autostradën për në Shqipërinë e Madhe. Ata që më akuzuan morën 11 herë më pak vota se unë. Jam krenar për marrëveshjen e bërë nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Këtu nuk ka Jugosllavi, ka vetëm një jetë më të mirë për qytetarët tanë këtu”, tha Vuçiq.

Ai tha edhe se kjo do të jetë shumë pozitive për ekonomitë e të gjitha vendeve.

“Kur do të prezantojmë detyrat e inspektimit kufitar, lëvizjen më të shpejtë të kamionëve, kursimet totale do të jenë 229 milion euro. Për të mos përmendur se sa më e lehtë është tani për prodhuesit shqiptar të domates, që të eksportojnë stokun e saj prej 40% në Serbi. Inxhinierët, punëtorët mund të shkëmbehen. Në më pak se një vit do të shihni rritje. Deri në fund të këtij viti, Serbia dhe Shqipëria do të jenë në gjendje të hyjnë dhe të dalin me një kartë identiteti”, tha Vuçiq.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se e rëndësishme është që kjo iniciativë është e brendshme. Ai tha se mbledhja e radhës do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës.

“Nuk është ideja të ndajmë Ballkanin Perëndimor, që edhe kështu është i vogël në dy pjesë më të vogla, por është ideja të përfshijmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e miratuar nga të gjashtë vendet në takime të një pas njëshme por është e pazbatuar, kjo është nismë për të shtyrë më tutje procesin dhe karakteristika e saj është se është nismë që vjen si vullnet i brendshëm jo si një diçka nga jashtë. Nëse ky ndryshim shqetëson dikë apo disa, ky nuk është absolutisht problem në vetvete i nismës. Dua të them poashtu që më 21 dhjetor të zhvillojmë mbledhjen e radhës në Durrës”, tha Rama.

Para Samitit të Ohrit, të shtunën u zhvillua takim trepalësh

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, zhvilluan një takim trepalësh përpara takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua dhe u konfirmua deklarata me një listë të përparësive dhe masave për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal.

Kjo deklaratë me një listë të përparësive dhe masave vjen pas takimit të tyre të mëparshëm të përbashkët në Novi Sad.

“Baza e deklaratës është bashkëpunimi, angazhimi i përbashkët dhe eliminimi i të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si një kontribut për qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit në arritjen e një qëllimi të përbashkët përfundimtar, anëtarësimin e plotë në BE”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Angazhimi për intensifikimin e bashkëpunimit në bazë të një deklarate të miratuar bashkërisht pritet në pikat e kalimit kufitar, përveç kontrolleve të përbashkëta doganore, pritet të ketë bashkëpunim të përbashkët për kontrollet fitosanitare, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në të tre vendet me karta identiteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button