Juventusi e pësoi!! (VIDEO)

Juventusi ka pësuar humbjen e parë pas 50 ndeshjesh në Serie A edhe atë nga rivali i përbetuar, Inter, i cili për më keq e ka mposhtur me rezultat 3-1 para tifozëve në Juventus Stadium.

Vetëm 19 sekonda pasi filloi takimi, Bianconerët kaluan në avantazh me anë të Arturo Vidal (1’). Asistimi ishte i Kwadwo Asamoah, i cili ishte në pozitë të dyshimtë jashtë loje kur e pranoi topin nga Mirko Vucinic.

Në minutat e para vendasit ishin dominues duke qenë shumë të rrezikshëm përpara portës. Përmendim një pasim të mrekullueshëm të Andrea Pirlos drejt Claudio Marchisios, goditjen e të cilit e ndali portieri Handanovic. Edhe zikaltrit arritën të shënojnë nga pozita jashtë loje me anë të Rodrigo Palacios, mirëpo kësaj radhe gjyqtarët nuk gabuan duke anuluar golin.

Një gjuajtje e lirë e ekzekutuar nga Antonio Cassano krijoi panik në zonën e vendasve dhe Claudio Marchisio ndërhyri gabimisht në Diego Militon. Arbitri akordoi penalti. Argjentinasi ishte i saktë për t’i barazuar shifrat (59’).

Ndërkohë që te Bianconerët mungonte ajo arroganca e pjesës së parë, zikaltrit e shfrytëzuan momentin për ta shënuar golin e dytë. Buffon mbrojti goditjen e Fredy Guarin, por i jashtëzakonshmi Diego Milito ishte aty për të ndëshkuar (76’).

Në minutat e mbetura vendasit luajtën më mirë duke krijuar raste të shumta në përpjekje për ta shënuar golin e barazimit, por pa sukses. Dhe futbollistët me fanellat e kaltra nga një kundërsulm e vulosën fitoren e tyre. Realizues ishte Rodrigo Palacio (89’). Juventusi do të qëndrojë në krye të kampionatit italian me një pikë më shumë se Inter. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button