Berisha: Ta dëgjojmë mirë porosinë e Clinton, Rama të bashkëpunojë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, një ditë pas vizitës së Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton në Tiranë, e vlerësoi këtë ngjarje si tepër të rëndësishme, duke theksuar se kryediplomatja amerikane dha mesazhin e fuqishëm të miqësisë mes dy vendeve.

Duke theksuar se vizita e Clinton hapi edhe siparin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, Berisha kujtoi kontributin e kahershëm të SHBA-ve për Shqipërinë. Po ashtu Berisha kujtoi ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA-të kanë dhënë për Shqipërinë pas ndryshimit të sistemit, ashtu sikurse edhe mbështetjen dhënë shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar vendin e tyre të lirë dhe të pavarur.

“Ky 100-vjeçar ka për arritje më madhore të kombit shqiptar, lirinë. Po ashtu arritje eshte edhe aleanca jonë me SHBA-të. Mesazhi i Clinton për kombin shqiptar ishte për mbështetje te fuqishme edhe vitet që vijnë. Kjo bën krenar cdo shqiptar dhe theksoj se në këto 100 vite, kjo miqësi është një nga arritjet më të mëdha dhe më kryesore në historinë e lirisë së shqiptarëve”, tha Berisha.

Duke kujtuar fjalimin e Clinton në Parlament, Berisha  e konsideroi atë si miqësor dhe të veçantë, si edhe më të bukurin që shqiptarët kanë dëgjuar ndonjëherë në këto 100 vjet.

“Mesazhi i Clinton për shqiptarët në 100-vjetorin e pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese që të bashkohen për interesat kombëtare të tyre. Sekretarja e Shtetit theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme. Unë e garantova se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira, të ndershme dhe brenda standardeve më të mira dhe shpreha bindjen se opozita është e interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu kërkova të kemi sa më shumë vëzhgues nga SHBA-të në zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha.

Sipas tij, Clinton solli mesazhin e një pune të përbashkët për projektin e integrimit në BE, duke premtuar se Qeveria do të bëjë gjithcka duhet për ta çuar përpara këtë proces që i bën qytetarët shqiptarë më të lirë dhe më të sigurtë. 

“Theksoj se janë tre ligje që presin në Parlament. Vetë fakti që nuk po votohen këto ligje që po kërkohen nga KE është i mjaftueshëm për të vënë në dyshim seriozitetin e shqiptarëve në procesin e integrimit. Ne kërkojmë të votohen këto tre ligje demokratike. Unë e ftoj Ramën, te veproje në frymën e mesazhit për bashkëpunim në gjërat që na bashkojnë, siç është integrimi. Qershori është muaji në të cilin do të votohen dallimet. Me të përbashkëtat fitojnë të gjithë, fitojnë qytetarët”, tha Berisha./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button