Saraçini shpërbleu ndërmarrjet që zbatojnë përgjegjësi shoqërore

Sot u zhvillua ceremonia e pestë me radhë jubilare e ndarjes së çmimit nacional për praktikat e përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve për vitin 2011-të, që është pjesë e projektit ‘Përgjegjësia shoqërore e ndërmarrjeve në Republikën e Maqedonisë’.

Evenimenti bashkë-financohet nga Komisioni Evropian, ndërsa zbatohet nga Ministria e ekonomisë në partneritet me Fondacionin e Maqedonisë për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe shoqatës ‘Konekt’, me qëllim që të promovohen praktika pozitive për veprim të përgjegjshëm shoqëror, si dhe avancimin e përgjegjësisë shoqërore tek ndërmarrjet në Republikën e Maqedonisë.

Shpërblimet në formë të statujave si dhe mirënjohjet i ndau ministri i ekonomisë z.Valon Saraçini, i cili edhe bëri hapjen solemne të evenimentit, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE në Maqedoni, Ekselenca e Tij, z. Aivo Orav.

“EVN Maqedoni”, “Birraria”-Shkup, “Renova”-Xhepishtë, “American College”-Shkup,  Çimentorja “Usje”, “Makedonija lek”, “Industria Feni”, “Donia” – Prilep,   “ELEM” sh.a, “Makprogres” – Vinica,  “Princess Group” – Gjevgjeli, janë fituesit e sivjemë të shpërblimeve për ndërmarrje me përgjegjësi shoqërore, të ndara dy grupe, kompani të mëdha dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Çmimet u ndanë në pesë kategori: Marrëdhëniet me të punësuarit, etika në menaxhim, mjedisi jetësorë, marrëdhëniet në treg dhe investimi në komunitet.

“Përgjegjësia shoqërore shkakton interesim gjithnjë në rritje tek kompanitë e Maqedonisë.  Kjo dëshmon se ky koncept bëhet pjesë e politikës së tyre të biznesit, duke ndjekur shembullin e kompanive evropiane, duke përmirësuar reputacionin e konkurrencës, imazhin, marrëdhëniet me furnizuesit, konsumatorët dhe investitorët potencialë, si dhe besnikërinë e punonjësve, që është një rrugë e sigurt për sukses afat-gjatë në biznes”, tha ministri i ekonomisë, Valon Saraçini gjatë ndarjes së çmimeve.

Konkursi për çmimet e këtij viti për përgjegjësi shoqërore të ndërmarrjeve u zhvillua nga 11 gushti deri më 28 shtator. Për këto çmime aplikuan 36 ndërmarrje, 13 nga të cilat të vogla dhe 23 kompani të mëdha, me një total prej 59 projekteve.

Për herë të parë këtë vit, çmime për kontribut të posaçëm, çasje dhe përkrahje  fituan edhe disa mediume që kishin aplikuar, dhe atë televizionet “Alsat-M”,  “TV Alfa”, “TV Sitel”, Radio e Maqedonisë dhe të përditshmet  “Kapital” dhe “Dnevnik”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button