(Intervistë) Sela: BDI-ja i ka lënë shqiptarët në mëshirën e fatit!

Shqiptarët tani më e dinë se vetëm PDSH mund t’i nxjerrë nga situata e rëndë që gjenden sot me proceset e montuara politike, kur u rrihen fëmijët nëpër autobusë ndërsa as gjumin s’e bëjnë të qetë duke u frikuar nga bastisjet, e gjithë kjo kur është BDI në pushtet. Kështu në një intervistë ekskluzive për Portalb shprehet deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare njëhërit dhe kandidati për komunën e Strugës në zgjedhjet lokale të marsit 2013, Ziadin Sela.

Intervistoi: Aneta Dodevska

PORTALB:Jemi në prag të zgjedhjeve lokale, cila do të jetë arma më e fortë parazgjedhore e partisë tuaj: nacionalizmi, patriotizmi apo ekonomia?

Z. SELA: Në Maqedoni nuk ka pasur platformë politike nacionaliste nga kushdo qofte lider apo koncepti politik shqiptar. Këtë pyetje natyrisht u duhet drejtuar subjekteve politike maqedonase të cilat vrapojnë dhe muskujt e vetë i masin në varësi se cila nga këto të dyja ka diskriminuar shqiptaret. Që ironia të jetë më e madhe, Maqedonasit edhe pse kanë arritur të krijojnë një shtet nacional në një shoqëri multietnike, nuk pushojnë së konkurruari në zgjedhje qoftë parlamentare qoftë lokale me politika nacionaliste.

Në mënyrë që ta keni më të qartë se pse e mohoj në mënyrë kategorike t’ju mvishen shqiptarëve këto epitete dua t’ju përkujtoj definicionin për termin nacionalist! Nacionalizmi është aspirata për pavarësi nacionale te një popull që është nën okupim të huaj. Tani në qoftë se ju jeni dakord me konstatimin se shqiptarët në Maqedoni janë të okupuar atëherë edhe unë jam dakord të flas për politika nacionaliste të subjekteve politike shqiptare.

Ne flasim për drejtësi dhe paqe për konsensus në vendimmarrje dhe për bashkëjetesë dhe për mua është e pakuptueshme që këto vlera universale të demokracive te mirëfillta perëndimore nga subjektet politike Maqedonase përkthehen si Nacionalizma.

Në mënyrë që ta keni më të qartë se pse e mohoj në mënyrë kategorike t’ju mvishen shqiptarëve këto epitete dua t’ju përkujtoj definicionin për termin nacionalist! Nacionalizmi është aspirata për pavarësi nacionale te një popull që është nën okupim të huaj. Tani në qoftë se ju jeni dakord me konstatimin se shqiptarët në Maqedoni janë të okupuar atëherë edhe unë jam dakord të flas për politika nacionaliste të subjekteve politike shqiptare.
Kështu siç shkojnë punët në Maqedoni ndoshta ndonjë ditë edhe do të flasim për nacionalizëm por në kuptim të plotë të fjalës.

Më thoni cili subjekt politik shqiptar ka në statutin e vet apo në platformën politike të saj ndarjen apo shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve në Maqedoni që të flasim për nacionalizmin si koncept? Zaten kjo është e ndaluar edhe me kushtetutë,që domethënë nuk mund të regjistrosh subjekt politik i cili nuk respekton tërësinë territoriale të shtetit. Meqë nacionalizmi është i suspenduar për shqiptarët në Maqedoni atëherë pak mund të flitet për patriotizmin ndërsa pa vendimmarrje konsensuale politike vështirë se mund të flitet edhe për ekonomi dhe zhvillim të barabartë për komunat në Maqedoni.
Edhe ekonomia hë për hë shihet nën prizmin etnik. Prandaj, në zgjedhjet lokale PDSH nuk do e harrojë platformën e saj politike respektivisht “Marrëveshjen e re politike”. Theks të veçantë do ju vendojë halleve të qytetarëve natyrisht sepse bëhet fjalë për pushtet lokal që është kryesisht teknik dhe aspak politik. Do t’ju sqarojmë atyre se s’ka të bëjnë me patriotizmin interesat e ngushta të jo më shumë se 20 biznesmenëve që po uzurpojnë hapësirat publike, shëtitoret dhe plazhet e qytetareve. Që nuk janë prioritet përmendoret kontroverse por rrugët dhe jo parkingjet në rrugë, se nuk kanë rendësi makinat luksoze me të cilat shëtitet kryetari i Komunës dhe paratë për reprezentacion që tejkalojnë një të katërtën e milion eurove.. por kanë rendësi kushtet normale për shkollim me ngrohje e ujë të pijshëm. 

Se politizimi i shkollave dhe i kuadrit arsimor e vret ardhmërinë e fëmijëve tanë si dhe ruajtja e ambientit jetësor është primar dhe i pazëvendësueshëm. Do ti bindim se keqmenaxhimi që u është bërë deri tani parave nga buxheti i komunave të tyre nuk janë para të zbritura prej qielli por janë paratë e tyre,  janë rruga, ndriçimi, qendra për rekreacion,çerdhet e fëmijëve,shkolla të nxënësve, ujë për pije.

PORTALB: Çfarë prisni nga zgjedhjet lokale?

Z.SELA: PDSH pretendon të korrë fitore në shumicën e komunave ku do të garojë dhe përfundimisht të shpallet fituese e zgjedhjeve lokale në komunat ku shumicë janë shqiptarët. Rruga e PDSH ka qene e vështirë por e sigurtë dhe tanimë opinioni, mbi të gjitha ai shqiptar është i bindur për këtë. Natyrisht nuk do e kemi të lehtë sepse pushteti ka mjetet e saja. E kam fjalën për shantazhet që i përdor ndaj të punësuarve, premtimet për punësim, blerjen e votave etj. Bashkimi Demokratik për Integrim në këtë dhjetëvjeçar ka prodhuar shqiptarë të varfër dhe funksionarë të pasur të tyre të cilët një ditë përpara zgjedhjeve blejnë votat. Por natyrisht shqiptarët janë fisnikë, ato dinë të shpërblejnë dhe të dënojnë. Ata sot më janë të vetëdijshëm se legjitimiteti qe ia dhanë BDI-së i ka lënë ata në mëshirë të fatit,pa mbrojte dhe objekt eksperimentimi i epsheve të kuzhinave të errtë që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. 

PORTALB: Fyerjet, nënçmimet dhe fjalët e rënda janë pjesë e vokabularit të përditshëm në Kuvend. A është ulur niveli i debatit?

Z.SELA:  Nuk ka rënë niveli i debatit por ka rënë niveli i lirisë së qytetarit, ai është i mashtruar dhe vazhdon të mashtrohet në çdo cikël zgjedhor. Është gjëja më beninje që mund ti ndodhë shoqërisë sonë që fjalët e rënda të thuhen në parlament dhe jo në rrugë. 

Është e pakuptueshme se si deputetët shqiptarë të përbërjes së parë parlamentare me Kushtetutwn e 1991 lejuan aq lehtë t’u hiqen të drejtat e elektoratit tw tyre tw garantuara me atë të vitit 1974 (gjuha, flamuri, decentralizimi i mirëfilltë).Për ju kjo mund të quhet nivel komunikimi por për mua është tradhti dhe qyqarllëk. 

Ajo që vjet u festua nga BDI-ja dhe Ali Ahmeti në mbledhjen solemne të parlamentit (PDSH e bojkotoi këtë seancë dhe çdoherë do e bojkotojë) për 20 vjetorin e Kushtetutës së parë të Maqedonisë së pavarur, për mendimin tim duheshe të jetë 20 vjetori i djegies së parë të Parlamentit nga ana e deputetëve shqiptar të përbërjes së parë parlamentare. 
Kur të shihni se edhe ajo pak e drejtë që e ka deputeti për të folur shqip, e njëjta dublohet dhe te qytetari përfundon zëri i përkthyesit në maqedonisht, nuk respektohet rregullorja dhe me tjetër sy shihen deputetët e opozitës dhe mazhorancës nga kryetari i parlamentit. Mazhoranca merr vota për të qeveris dhe sillet si opozitë. Pastaj, çfarë prisni që unë ti them atij që në vitin 2001 mori gjakun e të rinjve shqiptar në emër të një kauze dhe më pas doli dhe tha se lufta u bë ngaqë shqiptarët diskriminoheshin me kushtetutën e vitit 1991 dhe që pastaj më 2011 po i njëjti festoi 20 vjetorin e po kësaj kushtetute. 

Niveli do bie akoma më tepër deri në ditën kur shqiptarët nuk do të mbivotohen më në Parlament .Si duhet  të quhet një ministër i cili mban përgjegjësinë për mbytjen e qytetarëve bullgarë në liqenin e Ohrit, si duhet të quhet i njëjti i cili është përgjegjës për mbytjen nga rryma elektrike e tre qytetarëve të Strugës dhe akoma mban postin e ministrit? Si duhet të quhet një ministër dhe një zëdhënës ministrie i cili përdor si version zyrtar vrasjen e dy të rinjve në Gostivar bazuar në deklaratën që dha vrasësi. Me njerëz që s’kanë moral nuk duhen të zgjidhen fjalët.

PORTALB: Zyrtarisht u promovuat si kandidat i PDSH-së për kryetar të Strugës. A prisni mbështetje të plotë nga partitë maqedonase opozitare?

Z.SELA: Pres përkrahje nga të gjithë ata të cilët duan ta ndryshojnë Strugën dhe t’ia kthejnë dinjitetin dhe imazhin. Nga të gjithë që duan që kaosi të zëvendësohet me rregull pa marre parasysh se cilës parti politike apo etniteti janë. Fatkeqësisht ditëve të fundit u dëshmua se individë dhe subjekte politike të cilat duan të bindin opinionin sidomos atë shqiptar se kanë ndryshuar nuk është ashtu. Vazhdojnë të funksionojnë mbi principin e ndarjes së hises dhe që pastaj serish të hyjnë në negociata për hisen tënde. Por harruan se nuk kanë të bëjnë as me Abdurraman Halitin e as me Ali Ahmetin me të cilët kanë hyrë në marrëveshje për të ndarë pronën e shqiptareve. Harruan se tani më bëhej fjale për PDSH-në dhe ne nuk lejojmë që objekt marrëveshjesh të jenë interesat e shqiptareve vetëm.
Pak a shume LSDM donte të njëjtin princip të cilin e themeloi Ali Ahmeti dhe BDI-ja në zgjedhjet lokale të vitit 2009 me Nikolla Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në, ndanë komunat mes ndërsa Struga u la në mëshirë të fatit.

Shqiptarët e humbën Strugën në vitin 2009 por ishte PDSH e cila i dhuroi edhe një mandat BDI-së për të, megjithëse kurrë nuk e kanë merituar. Por këtë nuk e bëmë për hir të Merkos apo BDI-së po për hir të faktit që Struga ka 65% shqiptarë dhe duhet të menaxhohet nga një shqiptar. PDSH nuk mund të hyjë në kështu marrëveshjesh të turpshme sepse për të, të gjitha qytetet ku jetojnë shqiptaret janë të së njëjtës rendësi.

PORTALB: Vlerësim i përgjithshëm në lidhje me raportin e Komisionit Evropian?

Z.SELA: Kur i lexon gjërat të cilat janë të shkruara në raport fiton përshtypjen se raporti nuk i përket Maqedonisë por ndonjë vendi tjetër i cili aspak nuk i ka problemet e njëjta me të cilat ballafaqohen qytetarët çdo ditë. Sidoqoftë, e vërteta për raportin është se evropianët na duan  në bashkësinë e tyre, atje ku edhe përkasin qytetarët e RM-së, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tyre. 

Shumë gjëra nuk përmenden në raport dhe unë atë e kuptoj si porosi deri te qytetarët se qeveritë, e sidomos kjo e tanishmja, janë të përkohshme dhe të ndryshueshme dhe vazhdon të jetë e pandryshueshme rruga drejt demokracitë e vërteta, drejt vlerave të vërteta. Ajo që mund të lexohet mes rreshtave është se Bashkimi Evropian ka shembuj për shtet multietnik të cilët mund të shërbejnë si shembull se si duhet të organizohet si shtet edhe Maqedonia. Me fjalë tjera, raporti i mbron qytetarët nga qeveria e papërgjegjshme e cila po luan lojëra politike në llogari të nxënësve, fëmijëve, të moshuarve dhe qytetarëve tjerë, dhe që është më e rëndësishmja, me raportin na vënë në dije se Bashkimi Evropian nuk do të japë dorëheqje nga Maqedonia, edhe pse e dinë se situata vazhdon të jetë shumë e vështirë.

PORTALB: Reformat në gjyqësorin, lufta joselektive me kriminalitetin, si dhe përforcimi i mekanizmave për luftë kundër korrupsionit përsëri u gjetën në këtë raport?

Z.SELA: Reformat?! Çfarë thoni ju të flasim për një grua 60 vjeçare e akuzuar së pari për terrorizëm e pastaj e liruar nga akuza e tillë dhe pas asaj e akuzuar për armëmbajtje pa leje e cila me siguri nuk ka lidhje për këtë gjë! Çka mendoni të flasim për së paku 20 të akuzuar për terrorizëm islamik në një konferencë për shtyp nga ana e ministres së Punëve të brendshme pa kurrfarë dëshmi materiale, e pastaj për deklaratat e po të njëjtës ministre dhe prokurorit publik se gjoja se kanë dëshmi të besueshme të cilat do të dëshmonin se bëhet fjalë për fundamentalistë të organizuar dhe se me siguri ata janë autorët e vrasjes në liqenin e Smillkovcit dhe në fund të kalojnë të gjitha afatet për fillimin e procedurës penale dhe të gjitha dëshmitë materiale të cilat i kishin të kthehen në dëshmitar të mbrojtur?

Si është e mundur që po e njëjta gjykatë ta dënojë me 15 vite burg në vitin 2003 të ndjerin Ibrahim Sulejmani kur veç më është e ditur se ekziston ligj  që amniston pjesëtarët e konfliktit të vitit 2001. I  njëjti gjyqësor dhe i njëjti “shtet juridik” nuk ka përgjigje për atë se pse një vit pas interpretimit autentik të ligjit për amnisti nga ana e Kuvendit të RM-së, Ali Ahmeti është i lirë, ndërsa Ibrahim Sulejmani vdiq në burgun e Shtipit… Për fat të keq e drejta në RM  është selektive edhe atë, edhe në plan etnik, edhe në atë politik./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button