A thua vallë, dikush e ka Cecën, hallë?

Maqedonia është një vend unik për shumë gjëra. Por, shumë nga ato gjëra të veçanta nuk janë mjaftueshëm të ekspozuara, kurse nga ato ka edhe sosh që janë aq unike saqë, me siguri, vetëm nëpërmjet ndonjë vepre letrare do mund të spikateshin në mënyrë dinjitoze. Një nga ato gjëra është ajo se; vetëm në Maqedoni është e mundur që në një trekëndësh dashurie të marrin pjesë katër persona. Njëri, ai i katërti, është disi, sipas Marrëveshjes Kornizë dhe shumë herë, s’ka haber se çka në fakt është duke ndodhur në atë trekëndësh përkatës. Ka shumë përvoja të shqiptarëve, të cilët, duke dashur të bëjnë diçka të mirë, për shembull, kanë lavdëruar ndonjë mashkull apo femër para të tjerëve. Por, pikërisht para atyre njerëzve të cilët, ose i kanë pasur ish-të dashur, ose, edhe ish-të dashur edhe dushmanë! Ndërsa ata vetë, asnjëherë nuk kanë kuptuar, pse kjo gjë e mirë, lëvdata, nuk u ka funksionuar për të mirë?! E njëjta ka ndodhur edhe për të keq. Ka ndodhur ndonjë konfrontim i imtë me dikë, kur, del se ai tjetri përballë, hop, tezen e ka një prokurore apo gjykatëse…

Por, kjo mosmarrëveshje që kanë shqiptarët, më shumë se në lidhjet apo grindjet familjaro-dashurore, u përsëritet në marrëdhëniet serbo-maqedonase. Ajo sferë për shqiptarët është një e panjohur totale. Gjegjësisht, nuk mund plotësisht të vlerësoj se sa shqiptarët i njohin maqedonasit, apo anasjelltas, por mund të them se dy popujt e Ballkanit të cilët më së miri njihen mes vete, janë shqiptarët dhe serbët. Këta dy popuj kanë pasur edhe fitore edhe humbje, nga njëri-tjetri, por edhe luftime dhe bashkëjetesë, nëpërmjet të tretëve. Pikërisht popujt e tretë janë ata të cilët duhet të dinë se askush nuk mund të nevrikosë një shqiptar sikur serbi dhe anasjelltas. Them të tretët, për shkak se shpeshherë, pikërisht këta të tretët vuajnë gjatë marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Dhe kjo ndodh për shkak të faktit historik se këta dy popuj funksionojnë mes vete me nënkuptim. Kjo nuk mund të kuptohet duke shikuar serialet turke, por mund të kuptohet në qoftë se lexohen libra turke. 

Mendoj se me këtë jap kontributin tim, sado pak, në qartësimin e kontekstit të kremtimit të betejës së Kumanovës nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Atje ku përnjëherë, partia DPMNE, e përfaqësuar nga ministrja e kulturës, doli se ishte personi i katërt në trekëndëshin mes shqiptarëve, turqve dhe serbëve. Aq. Më tutje duhet këtë gjë duhet vetë maqedonasit ta qartësojnë dhe të pyeten si në titullin monumental të një javoreje boshnjake: Çka na bie neve ta kemi Cecën? (Šta je nama Ceca?)

Shqiptarët akoma nuk e dinë atë, por, besoj se janë shumë të interesuar për përgjigjen, posaçërisht për pjesën se në çfarë lidhje familjare janë disa këtu me Dodikin? Kështu, Milorad Dodik, për herë të tretë nderohet këtu te ne dhe nga ne, ndërsa pikërisht ai është pjesa e mozaikut, e cila zbulon se serbët, në vend të Kosovës kërkojnë një “Plaçimestan” të ri. Një vend të ri për të qarë në vend të Gazimestanit. Një vend evropianisht më korrekt, këtu në Zebërnjak, Maqedoni. Si duket dikush këtu, Cecën e ka, së paku, hallë. Që të ndihmoj të qartësohet edhe më shumë kjo gjë, posaçërisht për shqiptarët, të cilët nuk e dinë këtë, më duhet ta denoncoj një informatë në lidhje me kryetarin e tanishëm të Maqedonisë nga Vallandova. Atje ekzistojnë shumë koloni serbe të ardhura nga Serbia e edhe ai vetë, me siguri është me prejardhje etnike serbe. Të jesh serb nuk është turp, por kjo informatë mund të shkaktojë habi shtesë tek shqiptarët, se, pse maqedonasit kundërshtojnë mundësinë që ndonjë shqiptarë të jetë kryeministër, kur, ja, pas një kryeministri vllah (Hari Kostov), veç më paskemi pasur edhe kryetar shteti, një serb? 

Por, pas aq mungesave të BDI-së, prej mungesave në seanca qeveritare dhe ato parlamentare, e deri te një kësi kremtimi të rëndësishëm “evropian” të betejës së Kumanovës, është pyetje krejtësisht legjitime– cilët shqiptarë? Çfarë kremtimi është ky pa krahun “evropian” dhe “pajtues” të qeverisë, ministrat e BDI-së? Sigurisht që prezenca e tyre në këtë kremtim, do sillte efekt evropian dhe pajtues por, më e rëndësishmja, do t’i shërbente shumë, vet DPMNE-së, përgjatë tentimit të pasuksesshëm për t’u distancuar nga kapelat çetnike dhe nga priftërinjtë serbë, të cilët pa kurrfarë leje qëndronin aty. Dhe në vend të ministres, aty do të mund të ishte dikush si, sekretari shtetëror për kulturë apo Safet Neziri, zëvendës ministër i Arsimit, që të dy këta historianë. Ky i fundit është ai përfaqësuesi qeveritar, rekordmen për nga apelet e drejtuara qeverisë! Çdo të dytën fjali para opinionit e ka me: “duhet” dhe “do të duhej”?! Gjithashtu, nuk dëgjuam asgjë as nga Fazli Veliu, nga Zajazi jugor, i cili para do kohe dëshironte ta çlironte Mitrovicën veriore, ndërsa vetëm para disa ditësh madje, reagoi edhe për vizitën e ministrit serb të punëve të jashtme në Shqipëri.

Por, ja, këta të BDI-së, pasi që totalisht u injoruan në mes të Gjinekologjisë-Çair, kanë qenë të zënë me betejën për shtrëngim duarsh me kryeministrin, aty te ura e Sarajit, por si nuk iu kujtua askujt nga ajo shtëpia e verdhë (selia e partisë DPMNE), se për serbët duhet t’i pyesësh shqiptarët? Kështu, bile edhe Sarkanjac-it iu kujtua Habermasi, ndërsa Pasko Kuzmanit, për pak, do i kujtohet edhe të vishet si Sandokan për Halloween, ndërsa nuk iu kujtua ta shpëtonte ministren nga trekëndëshi, ku ajo duhej të dëgjonte se si zëvendësi i saj paralajmëron se dikush dëshiron ta rishikojë historinë e tërë rajonit! Sigurisht kjo ka qenë porosia evropiane serbe ndaj “fqinjëve” të saj, veç më evropianë: grekët dhe bullgarët, t’i paralajmërojë ata, pikërisht nga ky Pasko Kuzman!

Po të mos vinin serbët, do vazhdoja të jem edhe unë i katërti, ai i habituri. Që edhe personalisht t’u dal hakësh, në frymën e javës serbe të Nedelkoviçit, ja do ta citoj personin me të cilin mbaj mbiemër të njëjtë, Xhej Ramadanovski “E unë naivi, mendoja se…”, Kuzman ishte ai kryesori!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button