Sekretarja amerikane e Shtetit sot në Tiranë

Në Shqipëri pritet të mbërrijë sot sekretarja amerikane e shtetit Hillary Klinton, në përfundim të turneut të saj diplomatik në rajonin e Ballkanit. Zonja Klinton parashikohet të qëndrojë rreth katër orë në Tiranë, gjatë së cilave do të takohet me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama, ndërsa do ti drejtohet me një fjalim parlamentit gjatë paradites.

 

Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton është e katërta drejtuese e departamentit të Shtetit që vizton Shqipërinë që pas viteve ’90. I pari që shkeli në Tiranë, në 1991 ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker. Ai pati një pritje madhështore në Shqipërinë e sapo dalë nga mbi 45 vjet izolim të plotë komunist. Vizita e dytë do të ishte pas afër 10 vitesh, në 2000, ajo e zonjës Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në 2003 do të vinte sekretari i atëhershëm Kolin Pauëll, vizitë e cila do të vinte bazat e anëtarësimit të mëpasshëm të Shqipërisë në NATO. Ndërsa ngjarja më kulmore në marrëdhëniet mes dy vendeve është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W Bush, i cili nga Tirana paralajmëroi pavarësinë së Kosovës.
 

Vizita e sekretares Klinton është vlerësuar nga kryeminisri shqiptar Sali Berisha si momenti më i rëndësishëm në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ardhja e saj është edhe pjesë e festimeve për këtë ngjarje historike të vendit, por ky nuk është qëllimi i vetëm i kësaj vizite. Sipas departamentit të Shtetit sekretarja Klinton do të theksojë solidaritetin me Shqipërinë si  një vend anëtar i NATO-s, por dhe do të bëjë thirrje për një bashkëpunim më të madh politik si dhe për vendosjen e sundimit të ligjit. Këto duket se do të jenë temat e bisedimeve që do të ketë me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama, por edhe e mesazhit me anë të të cilit do t’i drejtohet parlamentit shqiptar ku pritet të mbajë një fjalim.
 

Shtetet e Bashkuara janë një partner strategjik me të cilat Shqipëria ka ndërtuar një marrëdhënie të vecantë që dallon nga ajo me shtetet e tjera europiane, për shkaqe historike dhe mbështetjen vendimtare që ato kanë dhënë në momente kritike të vendit, por ndoshta edhe për shkak të ndikimit shpesh të drejtpërdrejtë që Shtetet e Bashkuara kanë mbi zhvillimet dhe politikën shqiptare. Për të gjitha këto arsye, vizita e sotme e sekretares amerikane të shtetit ka një interes të vecantë, që shkon përtej vetëm atij të klasës politike.
 

Që mbrëmë rrugët kryesore të Tiranës janë zbukuruar me flamujt shqiptar dhe ato amerikanë. Thuajse të gjitha televizionet sot kanë parashikuar edicione speciale për të shoqëruar hap pas hapi etapat e vizitës së zonjës Klinton. Masa të shumta janë marrë ndërkohë për të garantuar sigurinë e vizitës. Që në mbrëmje në akset qëndrore që lidhin aeroportin me kryeqytetin është ndaluar parkimi i automjeteve, ndërsa sot që nga ora 10 qarkullimi në to do të jetë i kufizuar ose i bllokuar. Të gjitha njësitë policore të kryeqytetit kanë kaluar në një nivel më të lartë gatishmërie që prej dy ditësh, ndërsa të gjithë njësitë speciale të rendit të kryeqytetit, por edhe trupa nga qytete të tjera janë përfshirë në planet për masat e sigurisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button