Qytetarët më shumë kursejnë në denarë

Qytetarët e Maqedonisë kanë besim në bankat dhe në valutën vendore. Tre vite me radhë pjesëmarrja në kursimin në denarë rritet, prej 35 për qind në vitin 2009 në 48 për qind në vitin 2012. Investimet e përgjithshme arrijnë 171 miliardë denarë, u theksua në forumin e sotëm “Bank Ekspo” të organizuar me rastin e Ditës botërore të kursimit.

“Ditën e sotme botërore të kursimit në Maqedoni e pret në mënyrën më të mirë të mundshme, me nivel historik shumë të lartë të kursimit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në fund të muajit të kaluar depozitet e përgjithshme në sektorin bankar arrijnë 238 miliardë denarë. Flasim për kapital i cili momentalisht qarkullon në ekonominë dhe shtohet”, thekson zëvendëskryeministri dhe ministër i Financave Zoran Stavrevski në fjalimin e forumit.

Ai thekson se interesimi për kursim në denarë është përforcuar dhe është rritur interesimi për kursim më afatgjatë. Guvernatori Dimitar Bogov pohon se qytetarët e Maqedonisë kanë besim në bankat. Kursimi i popullatës vazhdon të rritet. Sivjet shënon rritje prej 9.2 për qind në raport me vitin e kaluar.

“Sistemi jonë bankar është stabil, nuk ka probleme të mëdha, përshtatshmëria e kapitalit është në nivel jashtëzakonisht të lartë prej 17 për qind, ndërsa likuiditeti mbahet në nivel historik prej rreth 30 për qind të aktives së përgjithshme. Kjo garanton sistem stabil bankar dhe mundësi që bankat ta mbështesin ekonominë vendore, thekson Bogov. 

Për Gjorgji Jançevski, kryetar i Shoqatës së sistemit bankar pranë Odës ekonomike të Maqedonisë e cila njëherit është edhe organizator i “Bank Ekspo”, edhe përkundër krizës e cila sivjet ka marrë hov më të madh, depozitet nga fillimi i vitit 2012 janë rritur për 5 për qind apo për 140 milionë euro. 

“Kjo tregon se politika e mbajtjes së kursit stabil të denarit, çmimeve stabil, inflacionit të ulët dhe disiplinës fiskale, i jep rezultatet e nevojshme, nënvizoi Jançevski.

Në “Bank Ekspo” që për herë të parë organizohet në Maqedoni marrin pjesë përfaqësues të të gjithë krijuesve relevant të biznes-klimës, bankave, odave, ekonomistë dhe ekspertë. Në rrjedhë është debati për ndikimin e krizës aktuale. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button