Autori i masakrës së dyfishtë, në varrimin e çiftit që vrau

Ka vrarë, u ka vënë flakën dhe të nesërmen ka marrë pjesë në ceremoninë mortore, duke qëndruar në shtëpi deri para se trupat pa jetë të niseshin për në banesën e fundit. 19-vjeçari Xhevit Malkaj nga Belishova e Mallakastrës ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të Enver dhe Hazbije Myftarajt, të cilët, sipas policisë, ka pranuar se i kishte vrarë pasi viktima e kishte fyer.

Fakti i pranisë së tyre në këtë ceremoni është bërë i ditur nga bashkëfshatarë të viktimave.

Këta të fundit kanë rrëfyer se si Bajram Malkaj, ashtu edhe i biri kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore të çiftit Myftaraj. Po të njëjtat burime saktësojnë se ata nuk kanë marrë pjesë në ceremoninë e dërgimit të trupave të pajetë për në banesën e fundit. Të pranishëm ata kanë qenë deri në momentin kur trupat kanë dalë nga shtëpia ku ishte organizuar morti.

Bajram Malkaj dhe i biri Xheviti tepër të qetë në pamje kanë ngushëlluar familjarët e viktimave të tyre, e më pas janë rikthyer në shtëpi. Prangosja e tyre ka ndodhur disa orë më vonë, në orët e para të mëngjesit të së dielës. 19-vjeçari tani dyshohet si autor i ngjarjes makabre, ndërsa i ati akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.

Një gëzhojë e shkrehur nga arma e gjahut në pronësi të babait të tij, nuk është djegur krejtësisht, duke i siguruar kështu policisë dhe prokurorisë provën kryesore për vënien para përgjegjësisë penale. Vetëm pasi specialistë të grupit hetimor dhe oficerë të policisë gjyqësore kanë vënë përballë tij provën kryesore, gëzhojën e saçmave të qitura nga arma e gjahut në pronësi të babait të tij, 19-vjeçari Xhevit Malkaj është detyruar të pranojë sipas burimeve nga grupi i dëshmitarëve, autorësinë në vrasjen e dyfishtë të çiftit Myftaraj. Ai ka deklaruar se ka shkuar me qëllim që t’i vriste, kjo pasi, sipas tij,  nuk mund të duronte ofendimet e bëra nga Enveri në drejtim të personalitetit të tij.

“Më thoshte se bridhja si rrugaç rrugëve e nuk punoja. Përherë më fliste në këtë gjuhë, sa herë më takonte në rrugë. Ndihesha i fyer, sepse ai nuk ishte familjar i imi dhe nuk duhej të më shante. Ndaj kisha vendosur t’i vrisja” – ka pohuar 19-vjeçari.

Grupit hetimor ai i ka deklaruar se e kishte marrë pa dijeni armën e babait të tij dhe se me të kishte qëlluar Enverin. Nga ana tjetër, lidhur me gruan, vrasjen e kishte kryer duke e qëlluar, sipas tij, me hanxhar. Pasi i kishte vrarë që të dy, kishte menduar të grabiste kasafortën, por nuk ia ka arritur dot. Ai ka shtuar se në fund, para se të largohej, i ka vënë flakën banesës, duke spërkatur më parë orenditë me raki të gjetur në banesë, me qëllim që të humbiste gjurmët./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button