Shkrimtari Resul Shabani fiton çmimin ‘Dialog mes kulturave’

Poeti Resul Shabani e mori çmimin “Dialogu midis kulturave” për vitin 2012  nga Shoqata e artit dhe kulturës të jetesës “Dialog”  me seli në Shkup.

Shabanit i jepet çmimi për librin me poezi “Ëndërr e falur”  të publikuar në dy gjuhë: shqipe dhe maqedonase. 

Në elaborim, midis të tjerave, shkruhet se libri në mënyrë sugjestive konfirmon se krijimtaria e këtij poeti të njohur ka një vend të rëndësishëm në proceset letrare bashkëkohore tek ne.

“Botimi i tejkalon barrierat gjuhësore dhe mundëson që poezia e Resul Shabanit në mënyrë autentike të tingëllojë me të gjitha veçoritë estetike si në gjuhën shqipe ashtu dhe në atë maqedonase. Resul Shabani është një lirik melankolik me meditim të theksuar. Poezia e tij është e mbushur me hidhërimin e vetmisë, me zgjatjen  e shkurtër të lumturisë dhe madhështinë e dashurisë, me mesazhe që e kthejnë besimin në burime të pashtershme të jetës”, shkruhet në elaborimin e kësaj shoqate.

Resul Shabani (1944) është poet, tregimtar, romancier dhe autor drame nga Struga. Vlerat e tij janë përkthyer në gjuhën maqedonase dhe në disa gjuhë të tjera në botë. Për opusin e tij të pasur dhe të shumëllojshëm është fitues i një sërë çmimesh, midis të cilave edhe “Spektri Letrar” nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button