Futbolli, pasaporta dhe keshi

Me painteresimin kronik për ngjarjet e sportit, veshtirë do ta kisha besuar ndonjëherë që këto të shndërrohen në temë trajtimi. Si shumëçka tjetër, edhe sporti i Ballkanit është pjesë e politikës. Mjafton të rikthehemi në dimensionin kyç të ndeshjes legjendare mes Dinamos dhe Cërvena Zvezdës në Maksimir, si ide për testimin e besnikërisë dhe ndjenjës ndaj shtetit. Por, Ballkani nuk duket i vetëm në këtë fushë. Franca dhe Gjermania tashmë e kanë shijuar momentin kur lojtarët e naturalizuar e refuzojnë këndimin e himnit, duke e sfiduar kështu modelin e integrimit. Interesante, pikërisht këto dy shtete shfaqën dyshimet e para për suksesin e multikulturalizmit, ndonëse e njohin mirë rëndësinë e unitetit në sport.   
 
Në mesin e shiritave parazgjedhorë, java e fundit u shënua edhe me ndeshjen mes Maqedonisë dhe Serbisë dhe incidentet që fatkeqësisht dominuan mbi frymën e sportit. Besnik ndaj traditës së tretjes së informatave në harresën e arkivave, vështirë do të merret vesh se çka ka ndodhur ditën e ndeshjes, ashtu si që asnjë herë nuk u zbuluan dorasit e rrahjeve në autobusë për të cilët u shpenzuan qindra premtime se do të ndëshkohen. Logjikisht, kur adhuruesit-huliganë serbë kërcenohen se do të vijnë në Shkup enkas për të rrahur shqiptarë, ndodh e njëjta sikur shqiptarët të kërcenoheshin se do ta marrin udhën për në Beograd per t’i pasturar hesapet me serbët atje. Madje edhe për standardet e budallallëkut ballkanit, është e tepërt të pritet se kërcënimet e këtilla për dajak në mysafir mund të realizohen sipas premtimeve. Ajo që duhet pritur, megjithatë, është zbardhja e incidenteve, meqë injorimi nuk bën asgjë pos që prodhon më tepër dhunë.

Nata e ndeshjes mbase e fshihte befasinë më të madhe, njëherazi edhe shuplakën më të fuqishme për realitetin super-jemi-taman-për-BE. Miqësia serbo-maqedonase, e trazuar rastësisht me shfaqjen e flamurit grek, u ballafaqua me golin e një lojtari shqiptar. Ironikisht, festimi u bë i vështirë për një moment. Nuk ishte ky viti 2001, kur goli i Artim Shaqirit kundër Anglisë festohej rrugëve të Shkupit me skandimet ‘Ace Shakiri’ të adhuruesve maqedonas. Jo. Tani gjithçka kaloi shpejtazi, duke mos e ditur se çka është më e vështirë: festimi i golit të shënuar nga shqiptari si pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë ose dëshprimi shkaku i suksesit të atyre që ishin më të paktë në stadion.
 
Mozaiku i absurdit do të mbetej i paplotë po të mos shfaqej personazhi që duhet ta simbolizojë unitetin e shtetit, edhe pse me legjitimitet të cunguar. Kryetari i Maqedonisë nuk nguroi aspak që me plot bindje të deklarojë se sporti është simbol respekti – pikë e bashkimit multi-etnik në Maqedoni. Krejt në rregull, me kusht që të injorohet heshtja që e pllakosi Kryetarin në Nish, kur gjëmonte salla nga skandimet raciste se vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë. Për të qenë objektivë, fjalë të këtilla miradie nuk kursejnë as funksionarët shqiptarë, duke harruar se me zbukurimin e tepërt të realitetit nuk arrihet asgjë pos rritjes së problemeve.

Për ata që kanë dyshime, kjo ndeshje futbolli e dëshmoi edhe një herë besnikërinë e qytetarëve shqiptarë ndaj shtetit të Maqedonisë, që i takon të gjithë shtetasve në mënyrë të barabartë. Por, besnikëria që idealisht duhet të jetë e dyanshme, vazhdimisht testohet mbi pasaportat e Maqedonisë, si simbol dhe pronë zyrtare e shtetit. Duke u shfaqur si lojtarë rasti, shqiptarët – por jo vetëm – dalin me pasaporta të ngjyrosura nga pikëkalimet kufitare serbe që i ‘anulojnë’ vulat e Republikës së Kosovës. Për habi, Ministria e jashtme që nuk vonon me reagime për incidentet tek fqinjët tjerë, pa dallim vërtetësisë së tyre, tani hesht. A do të thotë kjo se pasaportat e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë aq të denja për reagim shtetëror, ose kjo është shenjë e dobësisë emocionale ndaj Beogradit? Kuptohet, për këtë fyerje nuk mund të amnestohet as heshtja e partnerit shqiptar të koalicionit, që mbase e ka identiifukuar botën virtuale si terren adekuat për shpërthime patriotike.  
 
Për fund, duhet përshëndetur nisma e promovuar gjatë fundjavës, e ngritur nga Maqedonia 2025 dhe Fondi SEAF. Si edhe në rastin e pasaportave, edhe këtu besnikëria duket se nuk funksionon në dy drejtime. Nëse kjo nismë e parasheh mobilizimin e fondeve dhe përvojës së çmuar të mërgimtarëve nga Maqedonia për t’i ndihmuar vendlindjes, lind pyetja se pse nuk janë përfshirë mërgimtarët shqiptarë? Sipas Bankës Botërore, rreth 400.000 mërgimtarë të Maqedonisë dërgojnë mbi 400 milionë dollarë në vit përmes remitencave. Këtu duhet shtuar edhe ato që nuk kalojnë përmes bankave, si dhe gjeneratën e dytë dhe të tretë të mërgimtarëve. Andaj, ku është logjika që të mbështetet zhvillimi i Maqedonisë duke e injorurar një pjesë bukur të madhe të shtetasve të saj? Amerikanët thonë që dollari çdo herë mbetet i gjelbër, por si duket në Maqedoni, disa dollarë janë më të gjelbër se tjerët. Ky trajtim i dyfishtë jo vetëm që e dëmton konceptin e shkëlqyeshëm të idesë – ai e vërteton edhe trajtimin diskriminues në fushën e biznesit, ku thirrjet për investime nga mërgimtarët nuk kanë të ndalur. Si edhe në dy rastet tjera – heshtja është autogol të cilit nuk i gëzohen bashkëlojtarët, përderisa janë vërtetë në ekipin e njëjtë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button