Tenxherja – Agron Tufa

Tenxherja – fragment romani nga autori Agron Tufa. Rekomandim për dashamirët e librit.

I

Më ka qëlluar që gjatë këtyre dhjetë viteve të gabohem jo pak herë. Kur dilja në qytet, ndodhte të ndiqja të panjohur të ndryshëm, të cilët më shëmbëllenin në Filipin. Ata të panjohur të rastit mbase nuk i ngjanin dhe aq, por zemra ime regëtinte prej një shkëndije të beftë, se mos ndoshta i panjohuri, të cilit i shquaja herë profilin, herë fytyrën esmere me kripin e dendur të kaçurrelave, herë ecjen disi të lëkundur e herë tjetër shpinën, paksa të kërrusur në shpatulla, duhej të ishte Filipi. Ai, mendoja unë teksa shpejtoja hapin pas të panjohurit, ka gjasë të jetë liruar nga burgu dhe ja, tash, sillet vërdallë, i vetmuar, i drojtur, paksa i hutuar… i panjohur prej askujt. 

Çfarë më bënte të mendoja kështu? 

Dihet se fytyra të ngjashme ndeshen gjithandej; atëherë siguria ime niste të dobësohej dhe tek e mbramja, pandehma shuhej, derisa hiqja dorë nga ajo ndjekje e pakuptimtë, i mundur nga arsyetimi, i mundur nga mungesa e motivit për ndodhi të tilla, i mundur nga mungesa e shkakut në atë vargan ditësh, muajsh e vitesh, që sillej e pështillej rreth gishtit të diktatorit. 
Pas kësaj lajthitjeje, zbarazëtia hapte vend me thonj, hakmerrej brenda meje, kruante, gërmonte egërsisht rropullitë, si fundin e një tenxhereje varfanjakësh, duke m’i mbushur ato me një përmbajtje tjetër, me diç të papeshë, inerte e të verbër, që më bënte të ndjehesha si një hije e pikëlluar, si të kisha nxjerrë shëtitje fantazmën time në trotuaret e mbushura me luzma njerëzish absurdë. Po prapë vinte rasti tjetër i ngjashëm me të parët dhe sërish, me një vullnet e shpresë të fshehtë, i ndiqja të panjohurit e ngjashëm me Filipin, duke shpresuar më kot për ndonjë mrekulli mahnitëse, edhe pse turbull e dija se vendin e kësaj pritjeje do ta zinte shumë shpejt çmeritja.

 
Tevona, në një prej çmeritjeve të mia të radhës, mendova se, edhe sikur mrekullira të tilla të ngjanin dhe Filipin ta lironin, pa na lajmëruar, pra edhe sikur Filipi i liruar tashmë, të kalonte mu para këmbëve të mia, a do të kisha qenë vallë në gjendje ta njihja? 
Ja, për këtë nuk kisha asnjë grimë sigurie. 

Në kujtesë më kanë mbetur vetëm ato brofje dhe rrahje të zemrës, duke e hedhur dëm ngjashmërinë e vëllaut tim pas ndonjë të panjohuri. Atëherë pse i ndiqja të panjohurit që më dukeshin si Filipi? Kam përshtypjen se brenda meje kishte filluar një lloj alarmi, një frikë apo ankth, që pak e fije po shndërroheshin në panik, se mos përgjatë atyre viteve të pasosura në kujtesë kanë filluar të zbehen pa kthim tiparet e vëllaut tim të madh. Ja se çfarë gjëje e ulët! Ja se çfarë gjëje kriminale! Si mund të ma bënte kujtesa ime këtë pabesi? Si mund ta harroja palcën e butë të fëmijërisë time, idealin të cilit kisha dëshiruar t’i ngjasoj, krenarisë që më bënte të ndjehesha i veçantë? Sigurisht, me emrin e Filipit tani unë nuk mund t’i kërcënoja, si dikur ata që më binin në qafë dhe as nuk isha në gjendje ta mbroja tash nga njerëzit që i binin më qafë. Është thjesht çështje kujtese, nën hijen e së cilës u rrita unë për vitet e gjata të miturisë sime. Atëherë Filipi ishte ngushëllimi, mbrojtësi dhe mundësia e vetme për t’u hakmarrë ndaj fyerjeve dhe lëndimeve që më shkaktonin të tjerët.

Kanë kaluar më shumë se nëntë vjet nga dita e gjyqit, kur Filipin e pashë për herë të fundit. Ndërsa vras mendjen se ç’mund të bëjë koha me njeriun për nëntë vjet, ndjej të rrënqethura nga ideja se si rriten njerëzit dhe unë, bashkë me ta – pjesë e pyllit të tyre -, se si plaken një palë tjetër, si ikin nga bota një palë e tretë dhe se si popullohen visoret tona me njerëz krejt të tjerë, të sapolindur, fatin e të cilëve një Zot e di se ç’erë e pret. Përse vallë kjo tokë e marrtë dhe ky qiell i vranët dimëror nuk është në gjendje t’u krijojë të gjithëve një mundësi të barabartë për të qenë ata që duan të jenë, të jenë me ata që dëshirojnë, të kenë kujtimet që u takojnë? Përse nuk ndërhyn në këtë lumë keqkuptimesh njerëzore një vullnet tjetër, i pamatë, për të shmangur katrahurën njerëzore, errësirën e udhës së gjithëcilit dhe këtë rraskapitje shpirtërore, që s’na lë t’i gëzohemi për asnjë çast habisë së ekzistencës sonë? Përse nuk po arrijmë më të gjejmë asnjë pasqyrë të vërtetë ku të mund të shohim projektimin tonë tek gjërat që deshëm, tek gjërat që jemi, por gjendemi gjithnjë e më fort të kredhur në një terrinë pa referenca?

Kanë kaluar nëntë vjet. Tash ndjej një turp të parrëfyeshëm për pasigurinë time. Herë-herë kam përshtypjen se tiparet e Filipit më janë ngulitur pashqitshëm në kujtesë, herë tjetër nuk arrij të kujtoj thuajse asgjë.

Kam dalë në qytet që në orët e para të mëngjesit për të pritur mbërritjen e Filipit nga burgu i Spaçit. Makina me të burgosurin e liruar duhet të ndalet para Degës së Punëve të Brendshme të qytetit, andaj në xhirot e parreshtura përgjatë shëtitores kryesore përpiqem ta mbaj në fushëpamje atë godinë, të kontrolloj çdo makinë që i afrohet asaj. 
Dita është e kthjellët, por e acartë dhe dëbora – e ashpër dhe e pashkrirë -, kërcet poshtë shuajve si kripë e thatë..

Lajme të ngjashme

Back to top button