Besart Berisha nuk i përgjigjet ftesës për Kombëtaren

Besart Berisha e vlerëson që përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi, po e përcjell vazhdimisht dhe thotë fjalë të mira për të. Por Berisha nuk planifikon t’i përgjigjet pozitivisht ndonjë ftese eventuale të De Biasit për të luajtur për Kombëtaren kuqezi. Berisha e lë të hapur mundësinë e kthimit në Kombëtaren e Shqipërisë, kur të kthehet për të luajtur në Evropë. Për sa kohë do të luajë në Australi, sulmuesi kosovar thotë se nuk ka mundësi të grumbullohet me Kombëtaren.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, italiani De Biasi,ka thënë të mërkurën se Berisha është lojtar që i pëlqen.

“Respektoj shumë De Biasin dhe e falënderoj për fjalët e mira që ka folur për mua. Mirëpo unë qëndroj prapa vendimit që tash për tash nuk kam mundësi të bashkohem me Kombëtaren. E vlerësoj lart Kombëtaren dhe shpresoj që një ditë të jem më afër Shqipërisë dhe të jap kontributin për Kombëtaren tonë. Shpresoj që edhe drejtuesit e Kombëtares të kenë të njëjtin mendim dhe të më thërrasin kur jam duke luajtur diku në Evropë”, ka thënë Besart Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button