Bajram trimi

Kjo trimëri e fundit e doktor Bajram Rexhepit u bë në shërbim të rezolutës së PDK-së për “normalizim marrëdhëniesh” me Serbinë. Doktori që dikur ishte frikacak, tash u bë trimi më i madh në Kosovë. Kësaj radhe ai jo vetëm se u barazua me Rankoviqin e Millosheviqin, por madje edhe i kapërceu ata, duke ua dëshmuar se punët e pista dhe luftën kundër lirisë së Kosovës mund ta bëjë edhe dikush që i thotë vetes shqiptar.

Eh, çka paska qenë kjo puna e Rankoviqit. Si Ministër i Punëve të Brendshme i Titos ai e pati shndërruar Kosovën në një vend ku nuk jetohet, por mbijetohet. E pati shndërruar shqiptarin në të burgosur, armën në sinonim për policinë, e lirinë në diçka abstrakte. Në teori, për Rankoviqin pata mësuar në shkollë, e në shumë shkrime e libra. Në praktikë po mësoj për Rankoviqin nga Dr. Bajram Rexhepi, Ministri i Punëve të Brendshme i Thaçit.

Para disa vjetësh, sa isha më i ri, nuk kisha ditur për këtë Bajram Rexhepin superhero. E njihja si një njeri që rrethohet me truproja e shoferë me pistoleta, e që udhëton me makina të blinduara. Ky Bajrami, i shndërruar nga mjek synetish në mjek të luftës e më vonë në politikan, ishte më i traumatizuar sesa shumë qytetarë tjerë të Mitrovicës. Aso kohe ishte e kuptueshme dhe normale kjo frikë e tij ndaj gjithçkaje, sepse i tërë qyteti e njihnim, e të gjithë e dinim se doktori kishte vuajtur.

Frika në palcë i ishte futur Bajramit gjatë luftës në Kosovë, kur çdo ditë dridhej më shumë, e çdo ditë shpresonte se lufta do të përfundonte më shpejtë. Si kirurg që mjekonte ushtarët e plagosur të UÇK-së, ai pothuajse tërë kohën kishte punë me gjak, e pandërprerë e kishte para syve vdekjen dhe rrezikun nga ajo. Shoku i tij i luftës me të cilin kishte ndarë një sfungjer për të fjetur, për tre muaj rresht, e përshkruan doktorin në atë kohë si një njeri me probleme dhe trauma të thella. Bajram Rexhepi aso kohe nuk donte të ishte aty, por nuk kishte më si të largohej.

Megjithate, frikën e vuajtjen psikologjike të Bajram Rexhepit gjatë luftës, Hashim Thaçi e shpërbleu me përfundimin e saj. Bajram Rexhepi u bë Kryeministër, më vonë Kryetar i Komunës së Mitrovicës, e sot Ministër i Punëve të Brendshme. Të njëjtin privilegj nuk e gëzuan ata luftëtarë të UÇK-së që me të vërtetë luftuan me trimëri, sepse Thaçi i do vetëm ata që janë të kontrollueshëm, të shantazhueshëm, e frikacakë. Mbase Thaçi thjesht ka dëshirë të rrethojë veten me njerëz të njejtë me te.

Ishte data 6 Dhjetor 2003 kur Bajram Rexhepi, për herë të parë në jetën e tij, tentoi të tregohet trim. Atë ditë Kryeministri Rexhepi bashkë me mysafirë të tij, përfaqësues të Bankës Botërore, u nis për në veri të qytetit. Ai shkoi pa paralajmërim, pa eskortat e zakonshme të armatosura deri në dhëmbë, dhe u ul në një restoran atje. Pas pak çastesh kriminelët e strukturave paralele e ilegale të Serbisë në Kosovë sulmuan restoranin dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore. 

Serbët hodhën gurë në drejtim të restoranit, rrahën brutalisht pjesëtarët e delegacionit nga Banka Botërore, dogjën një autobus të UNMIK-ut e dy makina të ShPK-së. Por Bajram Rexhepin nuk e preku askush me dorë! Ate as nuk e rrahën, as nuk e maltretuan. Jo se nuk deshën ta bënin këtë, por sepse doktori tashmë kishte ikur.
Duke ju kthyer instinkteve të tij origjinale, si një frikacak që është, Bajram Rexhepi shpëtoi mirë, duke ikur vrap si lepur nëpër rrugica të veriut të Mitrovicës. Rexhepi madje krenohej se “duke i ditur mirë rrugicat” arriti të shpëtojë. Nuk di për ndonjë rast tjetër kur një Kryeministër ikën sikur lepuri nga një grumbull kriminelësh, dhe kështu poshtëron veten, por edhe vetë institucionin dhe shtetin që ai drejton.

Disa vite kaluan, dhe doktori siduket harroi këtë incident. Harroi edhe sjelljen e tij në kohë lufte, dhe u trimërua prap. Fillimisht u trimërua me fjalë, duke u thënë liderëve opozitarë se të gjithë mund “t’i fusë në xhep”, e pastaj edhe me vepra duke urdhëruar Policinë e Kosovës që të rrahë, arrestojë e maltretojë deputetë të zgjedhur të Republikës së Kosovës. Ky ishte rasti i dytë kur tregoi trimërinë e tij doktori, e kësaj radhe ai këtë trimëri e tregoi duke shkelur me çizme policore deputetët shqiptarë, e duke ia hapur rrugën Serbisë dhe mallrave të saj.

Mbase Bajrami e ka vlerësuar se duke qenë se nuk ka guxim të tregojë trimëri e patriotizëm përballë Serbisë e strukturave të saj ilegale në veri, atëherë të paktën mund të bëhet “gangsteri i mëhallës” duke ushtruar dhunë mbi shqiptarët. E di edhe ai se shqiptarët janë të padhunshëm dhe represionin e tij e kundërshtojnë paqësisht.
Më pak se një vit nga kjo “trimëri” e doktor Bajramit, ai u trimërua prapë. Kësaj radhe ai nuk kishte më problem vetëm me opozitën dhe atë pjesë të qytetarëve që nuk e kishin votuar partinë e Thaçit. Jo! Këtë herë doktor Bajram Rexhepi vendosi të përvetësojë më shumë nga përvojat e Rankoviqit. Duke qenë se një shtet mund të jetë ose shtet demokratik, ose shtet policor, e asnjëherë tëdyjat, Ministri Rexhepi vendosi që t’ia zgjërojë vetes kompetencat dhe ta shndërrojë shtetin tonë në shtet policor, duke i shërbyer kështu më mirë vetes dhe shefit të tij.
Ai dje urdhëroi Policinë e Kosovës që ta shkel ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, duke ua ndaluar deputetëve hyrjen në hapsirat e Qeverisë, e më vonë duke ua ndaluar madje edhe hyrjen në seancë të Kuvendit të Kosovës. Rankoviqi do të krenohej po të ishte gjallë, e të shihte se si Qeveria e Kosovës vihet në shërbim të shkatërrimit të demokracisë dhe mbrojtjes së interesave të Serbisë. Bajrami i tregoi prapë dhëmbët, dhe e kafshoi demokracinë mirë.
Amerikanët thonë shpesh se pushteti të prish, e pushteti absolut të prish absolutisht. Pas incidentit të djeshëm, doktori i prishur u prish edhe më shumë, dhe vendosi të ndërmarrë trimërinë e tij të radhës. Trimërinë e tretë gjatë jetës së tij. Këtë herë ai rrethoi Kuvendin e Kosovës me policë, dhe futi brenda në Kuvend policë në rroba civile të cilët shantazhuan deputetët dhe institucionin e legjislativit.
Kjo trimëri e fundit e doktor Bajram Rexhepit u bë në shërbim të rezolutës së PDK-së për “normalizim marrëdhëniesh” me Serbinë. Doktori që dikur ishte frikacak, tash u bë trimi më i madh në Kosovë. Kësaj radhe ai jo vetëm se u barazua me Rankoviqin e Millosheviqin, por madje edhe i kapërceu ata, duke ua dëshmuar se punët e pista dhe luftën kundër lirisë së Kosovës mund ta bëjë edhe dikush që i thotë vetes shqiptar.

Historia na mëson se as Rankoviqi e as Millosheviqi në afat të gjatë nuk patën sukses të mbajnë popullin shqiptar të shtypur. Është dëshmuar se ky popull i durimit të tepërt, e ka durimin të harxhueshëm. E kur durimi harxhohet, atëherë ky popull do të shpërthejë, e në shpërthimin e tij do të shkatërrojë çdo padrejtësi e pushtet të padrejtë. Bajram Rexhepi, Hashim Thaçi, e tarzanët tjerë në pushtet nuk duhet ta harrojnë këtë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button