Kë vjeshtë të qaj më parë?

Çdoherë e dija se gjatë shkrimeve javore do të kem problem me rregullshmërinë, para se gjithash, për shkak të rrezikut që të jem bajat. Por, nuk ishte më i vogël problemi edhe nga ndonjë pauzë apo çrregullim. Posaçërisht, kur dëshiron t’i shënosh, rregullisht, gjërat të cilat ndodhin, posaçërisht këtu në Maqedoni. Këtu, ku ngjarjet dhe njerëzit ndoshta janë të vegjël, por janë me një intensitet të madh dhe me mundësi të pashtershme për koment.

Kështu, me parregullsi nga vetëm një shkrim javor, doli se ka shumë gjëra, dukuri dhe ndodhi, të cilat me të vërtetë ia vlenin të shënohen. Ngjarja më e madhe, sigurisht, ishte interpelanca. Në debatin në lidhje me të, shqiptarët u ndjenë si vajza apo djem të cilët morën një refuzim nga ato më të rëndat. Ndërsa refuzimi më i vështirë në rini ishte kur të jipte “dysh” ndonjë vajzë të cilës as që i ke propozuar gjë! Kështu, shqiptarët pa ofruar kryeministër, disa aty e refuzonin atë!

Por, ky refuzim ishte edhe më i rëndë. Epo, në vitet e rinisë njeriu kishte miq dhe mikesha, të cilët gjithandej refuzonin propozime të këtilla, “vetë dhëndër, vetë nuse”. Ndërsa atë natë në Parlament nuk  kishte asnjë shqiptar, as nga qeveria, as nga opozita, që të vë në pah padobishmërinë e refuzimit të një oferte inekzistente! Por, si është e mundur të mos ketë shqiptarë në Kuvend, kur në parlament ka edhe njerëz me emra aq të komplikuar, si Bexhihudin Shehabi? Epo, është e mundur  për shkak të mospërfaqësimit politik të shqiptarëve. Mospërfaqësim i cili, nga statistik dhe tematik, dalëngadalë po bëhet edhe cilësor. Nga ajo se në çdo përbërje të re të parlamentit, po rritet raporti në dobi të njerëzve dembelë dhe analfabetë. Prandaj Talat Xhaferi është në atë pakicën cilësore. I njëjti, duhet edhe të flasë edhe të heshtë! E edhe ta lexojë Aco Shopov-in! Duke treguar se shqiptarët këtu e njohin atë, dhe duke dëshmuar se popujt njihen me njëri-tjetrin, në qoftë se njohin poetët e njëri-tjetrit.

Pas asaj interpelance, vazhduan apo filluan, edhe shumë gjëra tjera të vlefshme për t’i mbajtur mend: si gabimet e Andrej Petrov. Ai gabon rëndë dhe ndryshe. Bën gabime si makinist, ndërsa në të  vërtetë ai drejton autobus! Edhe opozita shqiptare, e cila sikur është “Kramer vs. Kramer”, përleshet mes vete, njëra me tjetrën, kurse me këtë rast fëmija i vetëm i cili është i lumtur nga kjo përleshje është çdoherë vetëm ai i huaji: BDI.  Pikërisht e njëjta BDI e cila me përmendoren e Hasan Prishtinës vetëm se vërteton tezat e shkencëtarëve të cilët i ndjekin ngjashmëritë e bashkëshortëve gjatë lidhjeve apo martesave të gjata. Edhe këta u bënë si të njëjtit me partinë DPMNE. Por, dallimi mes Hasan Prishtinës dhe disave që këto ditë e përmendin emrin e tij është mu e kundërta: Hasan Prishtina mes tjerash ka shpenzuar para dhe pasuri familjare për shqiptari kurse këta qelepura vetëm me “shqiptari” kanë pasur mundësi të fitojnë ndonjë pasuri.

Pastaj Ivanov i cili po stoliset me pupla të huaja nga “Komandant EUta”, e cila disi e ktheu mbiemrin e humbur “maqedonas” në raportin e KE. Mbiemër ky i cili kishte humbur në kohën kur Teuta Arifi nuk ishte zv/kryeministër, por Ivanov ishte kryetar shteti. Dhe në fund: goli i Ibrahimit pas një penaltie të bërë mbi Hasanin, në fitoren e parë historike të Maqedonisë ndaj Serbisë në futboll! Penalti sipas Badenterit, gol sipas Marrëveshjes Kornizë! Thjesht: shumë ngjarje, pak vargje. Më së shkurti e thënë nga poeti shqiptar Frederik Rreshpja, vetëm në një varg: Kë vjeshtë të qaj më parë?

Në fakt, i tëri ky shkrim duhej që, sipas njëfarë rendi, të ishte në lidhje me diçka krejtësisht tjetër. Dhe ajo ishte, të mundohem të shkruaj diçka rreth asaj që mendoj se duhet të jetë strategji e opozitës në Maqedoni. Ndoshta kjo do të vijojë ndonjëherë, por tani më mbetet vetëm një mënyrë për t’u shprehur dhe për të qenë i kuptuar. Dhe ajo është; o me anekdotë, o me barsoletë. Kështu zgjodha një anekdotë, qesharake sa një barsoletë, të cilën ma ka treguar poeti më i madh shqiptar Ervin Hatibi:

Në Luftën e Dytë Botërore, gjermanët i kanë rrethuar nja tre partizanë, diku në Shqipëri. Ata, duke mos ditur nga të shkojnë, kanë hyrë në një pus. Gjermanët i kanë locuar shumë afër dhe kanë arritur madje deri te bunari. Kështu, kryesori nga gjermanët është afruar edhe mbi pusin për ta kontrolluar dhe ka filluar të bërtasë në bunar: Ku janë partizanët? Ata që ishin brenda bunarit, duke e ditur se një bunar i zbrazët duhet  të bëjë jehonë, kanë përsëritur: …zanët, zanët. Gjermani ka vazhduar: ndoshta kanë shkuar. Dhe këta përsëri: …uar, uar. Herën e tretë gjermani ka filluar që me tërë zërin të bërtasë në bunar: Mos janë fshehur te pylli? Partizanët pas tij: …ylli, ylli. Në fund, për atë gjermanin veç më ishte çdo gjë e qartë, mu sikur kjo barsoletë opozitës sonë, dhe ka vazhduar, përsëri me tërë zërin e tij: apo ndoshta janë te pusi? Tre partizanët, nga fundi i bunarit kanë kthyer: …ylli, ylli!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button