Farë nga djalli

Një anegdotë fillon me atë se si një burrë, duke vozitur kishtë vërejtur se nga ana e kundërt i afrohet një veturë me shpejtësi të madhe. Vetura  që vinte drejtohej nga një grua. Posa zonja u afrua afër veturës së burrit të panjohur, ajo me tërë zërin që kishte brohoriti “KALI – KUJDES”, kurse ai menjëherë ia ktheu “PELA”. Nuk kaluan as njëqind metra, kur vetura e tij fuqishëm goditi një kali të ngordhur që ishte shtrirë në mes të rrugës.

Lehtë do të përkujtojmë thëniet e vazhdueshme të krerëve të BE-së, se duhet shumë pasur kujdes në “kuajtë e ngordhur”, por udhëheqsit tanë në vend që t’u falenderohen atyre për udhëzimet qëllimirë, ata ua këthejnë me ofendime e shantazhime (sikur që ia bënë Talerit, Shacimarkakis, Oli Renit…). Këta me qëllimin më të mirë sugjeronin që të mos humbim kohë dhe ta bëjmë atë që tani domosdo do të duhet ta bëjmë, por tani me humbje të mëdha të kohës dhe gjithçka që lidhet me të. Kjo pasi pushteti në vend që t’i jep pushim gjuhës kurse punë duarve ajo bënte të kundërtën. Dhe tani humbëm korridore në vlerë prej disa miliarda eurove. Lëshuam nga dora investime strategjike. Humbëm edhe ate pak respek që kishim. Humbëm ardhmërinë e gjeneratave të reja. Gjithë këto humbje me qëllim të fitimit të një historie të rejshme. Kot na premtuan se do të na e ngrohin jetën, kurse në fakt na i dogjën kulmet. Por, fakt është se lehtësia me të cilën disa veprime qeveritare aq lehtë u shndërruan në kahje të përgjithshme politike, ndodhi jo nga ajo se projektet qeveritare ishin aq kualitative, por nga ajo se projektet opozitare ishin pa kurfar kualiteti.

Fakt është se tani pas më shumë se gjashtë vite, kthehemi në pozitat e njëjta që i patëm në vitin 2006, kur pritej të merrej vendimi për negociata. Atëbotë në Bashkimin Evropian mbizotëronte optimizmi se Maqedonia do të bëhet anëtare e saj më së voni deri në vitin 2012. Kurse çështjen e emrit asaj kohe askush nuk e përmendte. Por, viti 2012 tashmë shkoi, e ne jemi kthyer gjashtë vite prapa. Pas ardhjes së Gruevskit në pushtet, u lansua qëndrimi politik se nga emri nuk do të ndryshojë madje as një germë. Me këso manipulimi, në kontinuitet janë fituar një varg zgjedhjesh. Ndodhën shumë gjëra të mjerueshme dhe bizare që më në fund të kuptojmë se problemi i heshtur me emrin të cilin në fakt qeveria e provokoi duke u fryrë erërave antike – tani domosdo do të duhet të zgjidhet. Por tani me çmim shumë më të lartë për shkak të asaj që humbëm.

Tani si duket problemi i emrit të shtetit do të zgjidhet në dy etapa. Në etapën e parë do të miratohet njëfarë dokumenti, i cili do të dëshmojë se përfundimisht palët kanë vullnet që problemin ta zgjidhim në kuadër të korrnizave të caktuara. Ndërsa në etapën e dytë do të definohen të gjitha detajet lidhur me emrin e ri. Faza e parë pritet të ndodhë së shpejti, kurse e dyta – pas zgjedhjeve lokale. Madje, do të mbahet llogari që zgjedhjet sërisht t’i fitojnë partitë në pushtet që të kenë kondicion që t’i përfundojnë bisedimet lidhur me emrin. Edhe ashtu zgjedhjet tashmë janë shndërruar në procedura për shkelje të dinjitetit të votuesve.
Prej këtu, nuk është e rastësishme klima e tillë e ashpërsuar politike dhe ndëretnike, e cila është evidente se artificialisht është krijuar. Qëllimi është që gjatë gjetjes së zgjidhjes së emrit ajo në opinion të mos përjetohet sikur një disfatë kolektive, por si shpëtim kolektiv.

Ndërsa shpëtimi ka edhe shpëtimtarin e vet, për të cilin nuk jemi aq të sigurtë nëse shpëton nga ferri apo nga parajsa. Mbase nuk është normale që nga ferri të na shpëtojnë ata që na kanë futur në të. Megjithate, ne kënaqemi edhe me shpëtime të rrejshme dhe vështirë e kemi të kuptojmë se ky shpëtim është i ngjashëm sikur konsumimi i kërpudhave helmuese, për të cilat kur të kuptojmë se kanë qenë helmuese, bëhet shumë vonë.

Këtyre ditëve sërish më rra në dorë të lexoj rrëfimin e njohur hindus, për gruan e cila kishte pa në ëndër Zotin në rolin e shitësit. “Çka shisni?, e kishte pyetur gruaja. Zoti i ishtë përgjigjur se tek Ai mund të gjejë gjithçka që i dëshiron shpirti. Gruan e kishte kapluar një lumturi e madhe, meqë çkado që të blinte nga Zoti, vetvetiu doemos do të ishte e përkryer. Mendoi se përfundimisht është para lumturisë së përhershme. Do të blejë dashuri të përhershme, mirëqenie të përhershme shpirtërore, kënaqësi, respekt dhe një varg frytash tjera të ngjashme dhe definitivisht do t’ju jepte fund fatkeqësive dhe vuajtjeve, urrejtjes dhe varfërisë. Por, kur ako kishte pyetur për çmimet e këtyre frytave, Zoti ia kishte kthyer: “Zonjë më keni keqkuptuar. Ne këtu shesim vetëm fara për këto fruta”.

Rrëfimi përfundon me porosinë hyjnore se për t’u shndërruar fara në fryt të pjekur dhe të shishëm, nevojitet shumë vullnet, kohë, punë dhe ideal. E ne për nga natyra nuk disponojmë shumë me këso vyrtitesh. Por, as që kemi aq durim që përmes rrugës hyjnore të vijmë deri te frytat shpirtëror. Shumë më lehtë e kemi të mbjellim farë e cila do të qelë brenda natës, me ndihmën e djallit, e cila menjëherë shndërrohet në fryt të pjekur. Farët e tilla bëjnë që urrejtja të jetë më e afërt se dashuria, vuajtja më e afërt se lumturia, konflikti më i natyrshëm se paqeja, rrena më e afërt se e vërteta. E ne kënaqemi duke mbjellë fara të tilla, mbase kemi edhe truall të pjellshëm për to. Dhe kështu, brenda një çasti fitojmë fryte të pjekura, tejet atraktive nga jashtë, por në brendi përplotë me helm. E tani habitemi se sa shume zbraztira paska në shpirtat tonë. E si mundet ndryshe kur vet mbështesim njerëz me shpirta të zbrazët, me moral të zbrazët, por me xhepa të mbushur. Ne vet preferojmë prijës – të pasur materialisht, ndërsa të varfër shpirtërisht, të cilët me lehtësi mund të mashtrojnë masën e zakonshme njerëzore, të cilët kapen lehtë sikur edhe peshqit e vegjël, pra vetëm me një thërrim buke. Nga kjo nuk duhet çuditur pse kemi qeverisje të tillë, i cili aspak nuk dallon nga robërimi. Derisa ne vet nuk bëjmë ndryshime radikale, ne do të vazhdojmë të krenohemi me liderë me të cilët bota normale turpërohet. Kurse ne, gjithë kohës do të vazhdojmë t’i demolojmë veturat tona duke hasur në kuajt të ngordhur. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button