Nëse bie shi në ditën e zgjedhjeve…

Në atë ditë të caktuar qe moti, qyteti i cili sapo mbijetoi epideminë e verbërisë së përgjithësuar dhe gjithpërfshirëse, duhej të dilte në zgjedhje. Agimi në ditën solemne u veçua nën shiun dhe qiellin e përhimtë mbi po ashtu vendvotimet e zbrazëta e të përhimta. Ftyrat e nëpunësve shtetërorë zbeheshin në kohën e pakëndshme, të habitur nga mungesa e votuesve. Në orët e pasdites shiu pushoi, ndaj qytetarët këmbë pas këmbe dhe duke iu shmangur shiut ecnin drejt vend-votimeve në barakat e vogla, për të kryer obligimin dhe nderin e tyre për të perzgjedhur një nga partitë e ofruara për votim.

Duart e hareshme të nëpunësve të futura në grumbullin e fletëvotimeve shpejt filluan të dridhen nga nervoza dhe parehatia, derisa duke numëruar votat për tre partitë politike nuhatën epilogun përfundimtar – mbi 70 për qind e votuesve kanë hedhur fleta bosh pa zgjedhje të rrethekuar.

Një javë më vonë, në mëshirë të pushtetit, qytetarëve u mundësohet që ta përmirësojnë gabimin e tyre, sigurisht të paqëllimtë. Por ja, përsëri, fleta bosh në kutitë e drurit, kësaj radhe madje edhe më shumë – gjithsej 83 për qind e votuesve refuzuan të prononcohen për cilëndo parti të dhënë në ofertën.

Ky është komplot, ulërisnin fytet e alarmuara të ministrave qeveritarë. Komplot fare dhe goditje kundër rregullit demokratik kushtetues! Nëse është ashtu, e ndryshe as qe mund të jetë tjetër, instikti i urtësisë së fuqisë urdhëron reagim të shpejtë dhe të palëkundshëm ndaj “forcave të pamendësisë dhe kaosit”. Autoritetet shpallin gjendje të jashtëzakonshme, pas çka pushteti i përgjithshëm braktis qytetin. Së shpejti, agjentët qeveritarë depërtojnë në qytet për ta hedhur në erë stacionin hekurudhor, duke shpresuar se qytetarët do të shohin se sa e rëndësishme është pushteti pa të cilin të gjorët do të bien në fatin dhe pamëshirëshmerinë e terroristëve apo agjentëve të huaj. E pastaj…

E pastaj, nëse ju intereson epilogu, urdhëroni në librari dhe blijeni novelen “Vizioni” nga Hose Saramago, e cila në mënyrë sureali i përshtatet gjendjes në vendin tonë dhe prej të cilës është marrë një pjesë e shkurtër si fillim i kësaj kolumne. Përndryshe libri në fjalë është vazhdim logjik i veprës së tij maestrale “Verbëria” sipas të cilës është incizuar edhe filmi me po të njetin emër.

Mbase shumë prej lexuesve në këtë hyrje të gjatë do të paramendojnë fatin e mundshëm të vitit të vijon dhe zgjedhjet në të, si një nga shumë shembujt në të cilat arti e imiton jetën e cila imiton artin. Por, kjo megjithatë do të ishte vetëm një gjysëm porosi e kuptuar nga i urti i Portugalisë, e cili përmes pendes evokative na përcjell vetëm një episod të zhvillimit natyror të vetëdijes shoqërore, nacionale, tejkufitare, mbireligjioze.

“Demokracia sipas natyrës së vet gjithmonë është e përkohshme dhe nuk mund të ekzistojë si formë e vazhdueshme e sundimit. Ajo do të vazhdojë deri në momentin kur votuesit do të kuptojnë se ata vetvetiu mund të votojnë dhurata të pasura nga fondet publike. Nga ky çast e më tutje, shumica gjithmonë do të votojë për kandidatët të cilët do të premtojnë më së shumti dhurata. Rezultati përfundimtar është se çdo demokraci në fund pashmangshëm bie për shkak të politikës së papërgjegjshme fiskale, pas të cilës çdoherë pashmangshëm vijon diktatura”.

Formulimi i tillë i saktë dhe paralajmërues i paqëndrueshmërisë së demokracisë është shkruar në vitin e 1887 nga ana e profesorit skocez Aleksander Tajler në analizën e tij për rrënimin e Republikës antike të Athinës. Atij i takon edhe formula për ngritjen dhe rënien ciklore dyshekullore të trendeve historike të civilizimeve të mëdha botërore. “nga robëria drejt besimit shpirtëror, nga besimi shpirtëror drejt guximit, nga guximi drejt lirisë, nga liria drejt pasurisë, nga pasuria drejt indiferenca, nga indiferenca drejt plogështisë, nga plogështia sërish në robëri”.

Nëse e bartim këtë formulim historikisht të konfirmuar në rrethanat tona, ajo që fillimisht bie në sy është mungesa e shpirtërores, guximit, lirisë, pasurisë, si dhe dominim i përgjithshëm i indiferencës dhe plogështisë, si fund-fillim i diktaturës gjithnjë e më të sigurtë. Imazhi bëhet i plotë nëse këtij konstatimi ia shtojmë edhe momentin e “dhuratave nga fondet publike”, të cilët në vokabularin modern emërohen si korrupsion i përgjithshëm horizontal edhe vertikal. Para opinionit shoqëror korrupsioni i tillë i përgjithshëm mbulohet përmes mediumeve të cilat, sërish sipas Saramgo-s, “përmes egzibiocinizmit të çfarëdo skandali dhe intimiteti e luajnë lojën e vjetër të promovimit të moralit publik me qëllim të fshehjes së amoralitetit personal, si pjesë karuseli të hareshëm në të cilin amoraliteti personal ngritet deri në status të moralit publik”.

Qëllimi i qasjes së tillë nuk është aktiv, por politikë thelbësore reaktive drejt karakteristikave të rëna vlerësuese të qytetarëve dhe dekadencë sistematike e konsummizmit të zbrazur. “Pasi qytetarët e këtij vendi nuk kanë shprehi të shëndosh të kërkimit të respektit konsekuent të të drejtave të tyre të përcaktuara në Kushtetutë, është logjike, madje edhe plotësisht natyrale, se ata edhe nuk e kanë vërejtur se këto të drejta tashmë janë pezulluar”, konstaton vëzhguesi i paemëruar nga “Vizioni”.

Gjykuar sipas jehonës së daljes së qytetarëve në zgjedhjet tona, ne tashmë një kohë të gjatë jetojmë në mot me shi pa motivacion për t’u lodhur me hedhjen e fletave me emra të cilëve nuk u besojmë, që nuk kanë rëndësi për ne dhe nuk nxisin besim, madje edhe as urrejtje.
Atë që me lehtësi e emërojme si plogështi, në fakt është vetëm se indiferencë e theksuar e qytetarit ndaj besimit në politikën si një erë e lehtë që periodikisht largon kundermimin e të vjetres dhe qelburës. Nëse deri para do kohe votonim, nëse jo për diçka tjetër, atëherë të paktën për t’i ndëshkuar pushtetmbajtësit, tanimë jemi në gjendje të përballjes me partite doppelganger, me emra pa porosi, me pushtetmbajtës të vetëkënaqur dhe me të ardhme tashmë të parë, me politkka private të shkëputura nga nevojat e votuesit dhe parti opozitare të cilët sikur janë tmerruar nga mendimi – “ç’bëjmë nëse fitojmë?”.

Gjykuar sipas gjithë asaj që u përmend, koalicioni qeveritar ka arsye të besoj në volitshmërinë e epilogut në zgjedhjet e radhës. Por, rregullat ekzistojnë që të shkelen, ndërsa shpirti njerëzor për të befasuar, apo sipas ministrit të veprës së Saramago-s i cili vonë kuptoi se “po ngjan diçka që tejkalon mirëkuptimin tonë të gjërave, madje edhe vet ekzistimin tonë të shkretë. Por ne sillemi sikur gjithça është bërë nga brumi i njëjtë, me miellin e njëjtë dhe e pjekur në furrën e njëjtë. Kjo thjeshtë nuk është e saktë!”.

E pushtuar nga arroganca e vërbër dhe vetmashtruar nga gënjeshtrat e ëmbëla dhe kredive të shtrenjta, edhe kjo qeveri sikur edhe ato me pare po tenton t’i injorojë paralajmërimet gjithnjë e më të zëshme, aq herë të injoruara në histori si tipar për politikat e dështuara.
Kujdes nga Idat e Marsit. Ata tashmë janë nisur drejt jush.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button