Sa të varfër që jemi!

Është kjo jeta jonë e përditshme ajo që të bën me qajë, njerëzit me qëllime dhe pa qëllime, me inat, vrull dhe vulgarizim.  Disa prej tyre janë të mirë dhe të dashur, disa të tjerë janë njerëz që jetojnë me synime të tmerrshme. Koha jonë nuk është vetëm një kohë për të jetuar, është kohë ku të jetuarit ka një koncept tjetër tragjik. Injoranca është stimul për të vazhduar jetën rinia, dhe financimi në edukim për ta është rreziku më i madh që mund t’ju kanoset. Ne nuk kemi rini, ne nuk kemi të moshuar, ne nuk kemi as prindër se po të ishte e kundërta, “shokët e mi” sonte do të vlerësonin dhe respektonin një djalë të panjohur të moshës sonë me nacionalitet tjetër në autobusin tonë të përditshëm. 

Sot jeta në diverzitet dhe multikulturë do kishte një lulëzim të zbukuruar me erë që nuhatet nga larg në vendin tonë po të donim te gjithë po që se këta shokë ti kishin pasur të qartë qëllimet e tyre të jetës, patriotizmin me një koncept tjetër e jo të vdekur dhe rolin e moralit e të etikës në çdo pjesë të veprave tona. Pse vallë pakica e kësaj shoqërie nuk ngrit zërin dhe të kërcënon shumicën për shpirtin e thatë që kanë e për zemrat qe u rrahin në kotësi, për të vetmin qëllim ndryshime. Pse ne nuk dimë të kënaqemi dhe të jemi falënderues për gjitha të mirat që kjo jetë na ofron, po e nxjerrim nga konteksti këtë mirësi dhe e ngjyrosim me koncepte dhe ideologji të gabuara. Fillimi i shkatërrimit të një shoqërie shihet nga dështimi i rinisë dhe gjendjes së mjerrishme të saj.

Sonte ishte koha me shi, si duket edhe qielli vajtonte për moralin e prishur të krijesave të këtij rruzulli tokësore. Kur e mira të kishte mbështetjen edhe nga mekanizmi më i fortë që luan rolin kyç në çdo shoqëri mediat, atëherë do ishte gjithçka më ndryshe, duke i dhënë theks të veçantë ironisë automatike në mes këtyre fjalëve. Të gjithë e dimë dhe e shohim se mediat për momentin janë mekanizmi kryesor që ta bën jetën të tmerrshme, dhe që luajnë rrolin më destruktiv në shoqëri. Të paktën të kenë një transmetim të sinqertë dhe real, eh sa i hidhur është ky realitet.
 
Një lojë futbolli sa eufori të madhe ringjalli në gjithë popullin, e këta të tjerët, dërgojnë mesazh nga shteti fqinjë që do vinë dhe të pastrojnë disa punë që askush nuk din gjë për ta, vetëm se është punë dhe duhet pastruar me ardhjen e tyre, me metoda dhe mënyra që vetëm kafshët i dinë, po çudi edhe këta i kishin mësuar tani. Naiviteti i tyre ju bëri dëm dy të rinjve sot nga shteti fqinjë-verilindor duke menduar se do të lëndojnë dhe të shkatërrojnë një popull duke i fyer me ironi dhe fjalë te dobëta morali, e si rezultat ishin ata që pësuan lëndime. Nuk me gëzon ky fakt i pastrimit të punëve, kjo është edhe një fakt tjetër se sa të varfër që jemi ne …dhe ata që mendojnë në këtë mënyrë të njëjtë. U kuptua qëllimi i ardhjes në Maqedoni përveç lojës së futbollit mes shtetit tonë dhe fqiut verilindor dhe nuk thonë kot se kur përgatit një grackë për dikë tjetër, bien vetë në të. Në anën tjetër, trupat policor e bëjnë jetën edhe më të tmerrshme, duke menduar se ne jetojmë në demokraci, në një demokraci të një shteti duke i shqetësuar gjithë qytetarët e saj. Vallë cili është definicioni modern i demokracisë?! Disorganizime në çdo vend, për një moment jemi në demokraci, në tjetrin jemi një perëndimi i egër.
Grindjet e ditës së sodit nuk ishin më tepër se një dobësi e një shoqërie. Kyçesh në Facebook dhe shef plot fyerje dhe sharje për nacionalitetet tjera, gëzohen me gjakun e një djali të ri që kanë përplasur për toke, e për një moment të duket se nuk gjendesh në botë me rregulla dhe kodeks moral. Për një moment shef gjithkënd patriot duke sharë dhe fyer dikë për diçka të pa vlerë. Nuk është e rastësishme thënia “njeriu për njeriun është ujk”. Nëse aq ju trazojnë ndjenjat patriotike, ja ku i keni tifozët e lojës që ishin në stadium, le të urdhëroni dhe të shkoni e ti pastroni punët të paktën në një mënyrë të ndershme. 

Ndjenja e pasigurisë kaploi gati se gjithkënd për vetëm një ditë, shiu e vështirosi këtë ndjenjë duke pritur autobusin e fundit të fshatit për tu kthyer nga mësimet dhe ligjëratat e kësaj dite. Gjithçka ishte në rregull përderisa një djalë i ri me nacionalitet tjetër u fut në autobus pa vërejtur euforinë negative të një grupi të rinjsh që nuk dinë çka është moral dhe ndershmëri në jetë. Mos, mos, mos ju lutem…. Ishin fjalët e djalit që posa hyri në autobus dhe ku ndesh me disa egërsira e pa ndjenja. 

Ndodhi shumë shpejtë nga gjithë ajo eufori, e ndërhyrjet e mëvonshme ishin të kota, dëmtimet ishin veç më të dukshme në trupit e djalit të panjohur, që me siguri nëna e tij  në vend se ta presë në shtëpi për ti dhënë ushqim me buzëqeshje, ajo e ka pritë me lot në sy, e kush janë këta huliganë që i japin vetes aq autoritet të lartë e me i marrë lumturinë një familjes. Ashtu siç më priti mua nëne ime sonte nga ngjarjet e ditës, me lot në sy, se ku gjendej djali i saj, i cili tërë ditën ishte në kërkim të diturisë e kur të kthehej ta shef me gjak në fytyrë. Çka nëse un isha në vend të atij djalit, me sa shpirt do më priste nëna ime tek dera e shtëpisë apo me sa gëzim që jam kthyer në shtëpi. Çka nëse motra ime dhe e jotja do ishin në këtë autobus dhe do alivanoseshin nga gjithë ajo ushtimë që u krijua nga grindjet ndaj një të pafajshmi. Çka nëse un dhe ti do ishim të përgjakur sonte, për një vrull që shoqëria dhe ideologjitë e dështuara ia kanë krijuar kësaj rinie. Çka nëse dikush që do ti më se shumë në këtë botë, do ishte në atë gjendje të mjeruar, në mes disa huliganëve që nuk dinë se çfarë të bëjnë për të treguar zotësinë e tyre. Rini e mjeruar. Rini pa synime. Rini pa ardhmëri…
Eh sa të varfër që jemi…
PS. Bëhu prej njerëzve që kur të shohin të tjerët rrugës të thonë për ty: “Bota ka akoma njerëz të hairit”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button