Behar në partitë tona politike

Sikur edhe moti u çmend në këtë vend , ne mes te Tetorit përjetojmë herë verën e herë dimrin e hershëm e vjeshta ka humb pa nam e nishan. Thuaj se gjithçka ka humbur rrugën e drejtë të funksionimit normal në shtetin tonë e aq më shumë në mes shqiptarëve. Po t`ju kthehesh të gjitha proceseve shoqërore një e nga një në të gjitha do të gjesh defekte banale me zgjidhje aq të thjeshta sa që të vjen turp që je pjesë e kësaj shoqërie që të paktën 22 vitet e fundit nuk është e aftë t`ju bëj çajre .

Nisu ndash nga arsimi apo kultura, qoftë ekonomia apo infrastruktura, qoftë shëndetësia apo drejtësia dhe gjithçka tjetër që duhet administruar nga njëri për të tjerët – NUK BËN  – dhe unë si gjithë të tjetër çdo ditë për sa jam në mend e mia (bile edhe për më herët duke dëgjuar më të vjetrit) dëgjoj për problemet e njëjta nga njerëz të njëjtë të vendit tim dhe për ironinë e fatit gishti tregues drejtohet nga politika dhe udhëheqësit e saj.  Që ironia dhe idiotësia të jetë edhe më e madhe se kaq, po aq kohë sa dëgjoj për këto probleme të çdo sfere shoqërore po aq kohë dëgjoj edhe premtime për zgjidhjen e tyre nga po këta të njëjtë njerëz që gishti i fajit u drejtohet për më shumë se 20 vjet.

E sikur këtu të përfundonte maskarada jonë ! Por jo, ajo stërmadhohet e bëhet edhe më tragjik-komike kur ndodhin rokadat e pushteteve, e ai që mundte të zgjidhte deri sa kishte pushtetin problemet tona kritikon po të njëjtin që deri dje kritikonte për mos-zgjidhjen e tyre e ky i fundin – si mali që s`bë za` ! Dhe dal nga dal po vjen behari e bashkë me beharin vinë edhe zgjedhjet, herë lokale herë parlamentare apo presidenciale e bashkë me to edhe ,,zgjidhjet’’ e problemeve idiote që i dëgjojmë çdo dit dhe i gjithë populli shndërrohet si një makinë të madhe grindjesh. Makinë e madhe grindjesh e cila si lëndë të parë përdor ,,zgjidhjet e problemeve’’ që servohet 20 vjet nga po të njëjtit furnitor hileqar jokorrekt, e para përfundimit si dekoracion i hidhet vota dhe si produkt final del po e njëjta qeveri e dështuar por ndoshta me ngjyrë tjetër dhe shpresa vazhdon. Vazhdon e ushqyer nga euforia e fitores së njërës ngjyrë derisa për disa javë, së shumti muaj i del prap boja e shpresa shndërrohet sërish në kukuvajkë që qanë në të njëjtat tone e në të njëjtat ritme, me të njëjtat refrene ! 

Faji është kopil thonë, por jo në këtë rast, jo për këto 20 e ca vjet, aq më shumë jo këtë dekadë. Që të bie në nivelin për të replikuar mos mbajtjen   e  premtimeve dhe zgjidhjeve të njëjta që na ofrohen sa herë që afrohet behari në pushtet do të thoja : Jepjani pushtetin një të padituri, një të pashkolluari apo qoftë edhe analfabeti që nuk di të korruptohet dhe problemet do të zgjidhen ! 

Faji është kopil thonë, por jo në këtë rast , ai dihet i kujt është : nënë ka pushtetin e baba ka paranë e fëlliqur që e gjen në xhepin e çdo politikani sot, me shumë shumë pak përjashtime.  Zgjidhje ka, por jo ato që kemi dëgjuar deri më sot. Zgjidhja qëndron brenda popullit, në gjirin më të ngushtë të tij. Nëse politikanët kanë pak vullnet, shumë shumë pak nga ai që dëshmojnë në beharet e pushteteve do ta gjejnë. Do ta gjejnë te njerëzit e pa inkriminuar në netët bujshme të pushtetit me paranë e fëlliqur, ata të cilët i janë përkushtuar shkencës se mirëfilltë , tek intelektualët, tek ata që deri më sot kanë fituar bukën me djersën e ballit, tek ata që nuk kanë zili për pushtet, e më së shumti tek  rinia. Tek rinia por jo tek ata të cilëve ju kanë prerë veshët që këlysh, jo tek ata që bëjnë amin para se udhëheqësi të hap gojën pa menduar me kokën e tyre, jo tek ata që kanë idhull të keqin por tek ata që kanë vullnet e dëshirë për të parë një shoqëri ndryshe nga kjo që kemi, tek ata që kanë mësuar e lexuar, tek ata që dinë të mendojnë me kokë të ftohtë, tek ata që dinë të ndajnë paranë nga populli, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e zhdrejta dhe të tillë ka. Të tillë ka por ato duhet pak vullnet për ti gjetur  nga që ato nuk rinë prapa dyerve të partisë apo forumet e tyre partiake rinore ku grinden që pa hyrë në politikë për një karrige.  Ato mund ti gjesh në biblioteka, në universitete, në forume shkencore (më shpesh jashtë vendit) apo edhe nëpër kafene apo ndonjë butik  duke punuar i demoralizuar për mundin që ka dhënë për të studiuar dhe në fund është tradhtuar nga ndërgjegjja që se ka lënë ti përkulet një politikani apo huligani që është i fortë në parti për ta futur në punë. 

Zgjidhje ka por kërkon shumë pak mend e vullnet për tu arritur dhe ajo mund të filloj mjaft shpejt dhe thjeshtë vetëm me ndryshimin e përqasjes së partive politike ndaj intelektualëve dhe të rinjve, duke ju hapur dyert jo për ti gënjyer me premtime apo për t`ua velur votat por duke i shikuar si t`ua shfrytëzoj potencialin intelektual, shkencor, profesional apo njerëzor që të prodhoj jo një pushtet që nxjerr kopilë por një pushtet që do ti zgjidh njëherë e përgjithmonë këto probleme idiote dhe të garoj me kohën, me vendet e zhvilluara dhe gjithçka kemi humbur në të kaluarën.

Andaj unë e them me zë të lartë dhe të qartë, nuk duhet të presim behar të pushteteve por duhet të kërkojmë me vendosmëri behar ne partitë tona politike, ndryshimi duhet të filloj aty dhe në atë behar duhet të çelin lule të reja që kanë farë të shëndoshë e që bryma e kopilit nuk do ti djeg ende pa çelur !

Lajme të ngjashme

Back to top button