Lamtumirë puthjes së natës së mirë

Rreth 80 për qind e çifteve flenë pa shkëmbyer përkëdhelje dhe puthje para gjumit. Rutina ka humbur shumë prej zakoneve të mëparshme të çifteve.

Puthja e natës së mirë, simbol i brishtësisë, intimitetit, besimit dhe dashurisë, po zhduket e kërcënuar nga përditshmëria, nga zakonet, madje edhe nga kriza ekonomike që mesa duket tani futet në çdo sferë të jetës. Puthja e natës së mirë, e shoqëruar dhe nga urimi për një gjumë të ëmbël dhe natë të qetë, nuk është më pjesë e zakoneve të mbrëmjes. Alarmi vjen nga një studim britanik që nuk kufizohet vetëm për të treguar fenomenin, por bën edhe një portret të çifteve të sotme, duke nxjerr në pah anën gjithmonë e më pak romantike, me disa surpriza dhe shumë risi.

Studimi
Sondazhi në fjalë u krye nga rrjeti anglez i hoteleve “Travelodge”, me qëllimin e vetëm për të studiuar shoqërinë dhe çiftet përmes zakoneve të mbrëmjes. Studimi përfshiu më shumës se dy mijë çifte dhe arriti në përfundimin se në tetë nga dhjetë çifte puthja e natës së mirë është diçka që i përket të kaluarës. Për më tepër, 25 për qind ka deklaruar haptazi se nuk e duron dot faktin e të prekurit nga partneri, ndërsa 90 për qind e të intervistuarve pranuan se nuk thoshin as “të dua”. Në fund, 46 për qind e vullnetarëve kanë treguar se flenë duke i kthyer shpinën njëri-tjetrit. Ashtu siç bën me dije autorja e studimit Corinne Sweet, “pozicioni më i zakonshëm i gjumit është ai anash dhe i mbledhur, që flet për pafajësi dhe të vërteta”. Por fakti që bashkëshortët apo shokët e jetës flenë duke kthyer shpinën njëri-tjetrit flet qartë edhe për një lloj shkëputjeje dhe një farë pavarësie qoftë edhe në krevat.

Skena filmi
Burri që përqafon gruan teksa ajo i vendos kokën në shpatull, me nevojën për të ndier siguri, është tashmë një skenë nga ato të filmave të vjetër të Hollivudit. Edhe pse është një përqindje shumë e vogël, rreth një për qind e dy mijë çifteve deklaron se flenë pikërisht në të njëjtin pozicion të nxjerrë nga filmat amerikanë. Në përgjithësi sondazhi nënvizon se si koha e frekuentimit ndryshon edhe dëshirën e kontaktit fizik, duke e bërë zakon që çlodhja e natës duhet parë si një moment për t’u rigjeneruar dhe nisur një ditë të re. Lista e intolerancave të vogla dhe të mëdha mes çifteve është e gjatë: në një në katër çifte, njëri prej partnerëve thotë se qëndron zgjuar natën për shkak të tjetrit, ndërsa shumë të tjerë, pjesa më madhe e tyre, sidomos meshkujt, ndiejnë peshën e mungesës së dashurisë, duke mbështetur se duan më shumë përqafime, më shumë përkëdhelje, madje edhe ndonjë raport më shumë. Në fund, një në katër çifte nga ato të intervistuarat, me moshë nga 33 deri në 44 vjeç, deklarojnë se flenë në dhoma të veçanta.

Një emër për çdo pozicion

Shakila Ahmed, zëdhënëse e “Travelodge”, tregon se si zakonet e gjumit tregojnë shumë aspekte të çifteve moderne: “Zgjedhja e krevateve të veçantë mund të shpjegohet nga nevoja praktike, ndërsa është më e trishtuar nëse nuk i thonë më njeri-tjetrit të dua”. Por nëse mënyrat e vjetra intime të shkëmbimit të dashurisë janë drejt zhdukjes, është e vërtetë se po lindin mënyra të reja për shkëmbimin e dashurisë, intimitetit, premtimeve. Për shembull, një nga pozicionet që po afirmohet gjerësisht në çiftet e mijëvjeçarit të tretë është e ashtuquajtura “Cherish”, ku burri dhe gruaja flenë me kurriz ndaj njëri-tjetrit, por preken vazhdimisht dhe kanë kontakt fizik gjatë gjithë natës. Kjo është zgjedhja e 21 për qind të të intervistuarve dhe tregon besim dhe intimitet. Ndërsa vetëm 8 për qind është po të ashtuquajturës “Pillow talk”, ku çifti drejtohet me fytyrë nga njëri-tjetri dhe secili fle i përqafuar me jastëkun e vet. Kjo lloj mënyre tregon dëshirën për të biseduar dhe diskutuar gjatë. Përcaktimet janë të shumta për secilën prej mënyrave se si një çift sillet në krevat gjatë natës.

E njohur është edhe “Lovers Knot”, ku çifti i kthyer me fytyrë nga njëri-tjetri kryqëzon edhe këmbët për rreth dhjetë minuta, pastaj ndahet gjatë gjithë natës. Ky lloj pozicioni tregon pavarësi, intimitet, dashuri dhe aktivitet intim./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button