Konferenca BE-BP: Shkathtësitë mediatike kanë rol kryesor në luftën kundër keqinformimit 

Në konferencën më të madhe për mediat në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Komisioni Evropian, cila mbahet këto ditë në Podgoricë të Malit të Zi, është thirrur të merr pjese edhe Fondacioni “Metamorfozis”, në kuadër të së cilit është edhe portali Portalb.mk. 

Në diskutimet nëpër panelet e konferencës “Ditët e Mediave BE-Ballkani Perëndimor” përpos lirisë dhe vetqëndrueshmërisë mediale, diskutohet edhe për profesionalizmin e mediave dhe rolin kyç që e ka të menduarit kritik në luftën kundër keqinformimit.

Drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari është i mendimit se mediat fillimisht duhet ta riafirmojnë rolin e tyre si shtyllë e rëndësishme e një shoqërie demokratike si dhe të përmirësojnë kualitetin.

“Interneti e rishpërndan ndikimin politik dhe e zgjeron sferën publike dhe lirinë e shprehjes. Njëkohësisht edhe mundësitë për pjesëmarrje janë më të mëdha dhe në hapësirat e rezervuara vetëm për mediat tani kanë qasje edhe qytetarët dhe grupe të tjera interesi. Kjo përveç mundësive të mëdha dhe ndikimit pozitiv le hapësirë edhe për keqpërdorime dhe promovim të agjendave të ndryshme që rrezikojnë demokracinë. Prandaj, roli dhe përgjegjësia e mediave sot është ende më e madhe. Fillimisht, ata duhet ta riafirmojnë rolin e tyre si shtyllë e rëndësishme e një shoqërie demokratike, pastaj kualiteti i gazetarisë duhet të rritet jo vetëm me ndjekjen e standardeve profesionale të gazetarisë, por edhe me afrimin e punës së tyre me lexuesin/shikuesin – ta bëjnë gazetarinë profesionale të dobishme për njerëzit, ashtu që të zvogëlohet hapësira për përmbajtjet tjera manipuluese dhe të rrejshme”, shprehet Jashari.

Ai më tej thekson se shkathtësitë mediatike dhe të menduarit kritik sot janë më të rëndësishme se kurrë.

“’Konsumatorët’ e përmbajtjeve të ndryshme që shpërndahen nëpër media duhet të kenë aftësitë dhe shkathtësitë e duhura që të dallojnë informatën nga dezinformata dhe gazetarinë nga propaganda. Metamorfozis punon në këtë drejtim që nga viti 2013 – luftojmë dezinformatat me verifikim të fakteve në media, ndërsa me përkrahjen e BE jemi duke realizuar projekt i cili ka pikërisht për qëllim bartjen dhe rritjen e shkathtësive dhe njohurive mediatike”, thotë Jashari. 

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari thotë se përpos informimit, mediat kanë edhe rol edukues.

“Sot më shumë se kurrë mediat duhet ta ushtrojnë rolin e tyre edukues sepse në këtë mori me informata, lexuesit përhumben në përmbajte të ndryshme të cilat nuk i takojnë kategorisë së profesionale. Keqinformimi shpërndahet nëpër kanale të ndryshme dhe platforma online që nuk kanë asnjë standard gazetaresk. Andaj, janë mediat ata që duhet ta mësojnë dhe edukojnë lexuesin se çfarë në të vërtetë është në interesin e tyre”, thotë ajo.

Konferencën e hapi komisari në largim, për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johanes Han i cili theksoi se sigurimi i lirisë së mediave është thelbësore për anëtarësimin e shteteve në Bashkimin Evropian.

“Ky mesazh i yni është i qartë si kristali. Nuk mund të keni përparim në rrugën drejtë Bashkimit Evropian duke mos i respektuar liritë e mediave dhe lirinë e shprehjes”, tha Hani.

Kristian Danielson, drejtor për fqinjësi dhe negociata për zgjerimin në Komision Evropian tha se tani është koha që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë reforma serioze në sektorët e medias dhe me këtë të dëshmojnë përkushtim kredibil ndaj vlerave dhe standardeve evropiane.

“Liria e mediave dhe liria e shprehjes janë themelet e ndërtimit të Bashkimit Evropian. Nuk ka negociata me BE-në pa mos i garantuar të njëjtat” tha ai.

Danielson tha se nga viti 2014 – 2020, BE-ja ka dhënë 20 milion euro për të mbështetur mediat në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button