Sot në Maqedoninë e Veriut festohet 28 vjetori i pavarësisë së shtetit

Republika e Maqedonisë së Veriut sot e shënon 28-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas formoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Nëm patronazh të KB-së, Shkupi dhe Athina filluan bisedimet për zgjidhjen e problemit dhe përfundimisht pas negociatave shumëvjeçare, vitin e kaluar më 17 qershor në Prespë u nënshkrua marrëveshje mes të dy vendeve për zgjidhjen e kontestit me emrin.

Gjatë 28 viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish.Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza kosovare e refugjatëve dhe konflikti në vitin 2001 ishin sfida të vërteta dhe kërcënime për shtetin e ri të Maqedonisë, që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat euro-atlantike.

Vitet e fundit i shënoi procesi i përshtatjes së legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, decentralizimi i pushtetit, reformat në mbrojtje të nevojshme për anëtarësim në NATO. Edhe krizat e fundit politike shkaktuan ngecje në procesin e eurointegrimeve, por u tejkaluan me marrëveshjen e Përzhinos, zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe formimin e shumicës së re qeveritare.

Edhe përkundër plotësimit të të gjitha kritereve për anëtarësim të plotë në NATO në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të vitit 2008, Republika e Maqedonisë mori vetëm ftesë të kushtëzuar për anëtarësim, pasi Greqia për shkak të kontestit për emrin e bllokoi pranimin.

Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave paraqitëse me Unionin.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës u hap rruga drejtë NATO-s dhe BE-së. Me rrumbullaksimin e procesit të ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e të gjitha vendeve anëtare të Aleancës, pritet që vendi deri në fund të vitit apo fillimin e vitit të ardhshëm zyrtarisht të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian për progresin e vendit, pritjet janë se në tetor Maqedonia e Veriut do të marrë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button