Siti këshillon të rinjtë: Mos u bëni si Baloteli!

Marrëdhënia e Mario Balotelit me Mançester Sitin është përkeqësuar aq shumë, sa klubi anglez ka nxitur futbollistët e akademisë që të mos ndjekin “vlerat e tij të sjelljes”.

E ardhmja e Balotelit të kjo skuadër është vënë në dyshim sepse ai fluturoi drejt Italisë pasi u zëvendësua ndaj Sandërlendit dhe nuk preferoi të qëndronte për të parë ndeshjen deri në fund me shokët e ekipit.

Për këtë arsye drejtori sportiv, Brajan Marvud, ka dhënë si shembull lojtarë të tjerë si Garet Berri dhe Xho Hart, duke nxitur të rinjtë të veprojnë si ato.

I pyetur se cili ishte roli i Balotelit për të ndihmuar në rritjen e lojtarëve të rinj dhe për të dhënë shembullin e mirë, Marvud ishte i prerë në komentin e tij.

“Është e rëndësishme që lojtarët e ekipit të parë të japin një shembull pozitiv. Unë mendoj se do të ketë gjithmonë njerëz brenda sistemit që nuk do të tregojnë këto vlera dhe sjellje, të gjithë e dimë se për këtë bëhet fjalë”, ishte komenti i tij.

“Por mendoj se kemi një grup fantastik lojtarësh si Zabaleta, Kompani, Hart, Berri apo Leskot të cilët mendojnë dhe veprojnë në mënyrën e duhur. Duhet të sigurohemi që ata janë shembujt e duhur”, tha Marvud. (LajmeShqip.com)

Lajme të ngjashme

Back to top button