Hapet në Moskë ekspozita e ikonave shqiptare

Në një nga sallat e Muzeut Qendror të Kulturës Antike dhe Artit Mesjetar rus në Moskë, “Andrei Rubljov”, u hap më 10 tetor ekspozita e ikonografisë shqiptare.

Në këtë ekspozitë u prezantuan ikona të shekujve 14 – 18-të të epokës sonë, marrë nga koleksioni i ikonave të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës. Ikonat përfaqësonin punime të Nikolla Onufrit, Vëllezërve Zografi, të David Selenicës, të Jeromonakut, anonime etj. Spikasnin ikonat “Pakëzimi i Krishtit, “Shën Maria me Shenjtorë”, “Shën Maria me Krishtin”, “Johan Theologu”, “Ngjallja e Llazarit”, “Prekja e Thomait”, “Dyert e Bukura” etj.

Folësit në këtë ceremoni vunë në dukje vlerat e veçanta historike, kulturore, artistike dhe fetare të ikonografisë shqiptare. Përfaqësuesit e institucioneve ruse përshëndetën hapjen e kësaj ekspozite të veçante në Moskë, e cila i bën më të prekshme vlerat kulturore, artistike dhe religjioze të popullit shqiptar. Kjo ekspozitë, sipas tyre, transmeton mesazhet e kohës, por me ngjyra shqiptare, raporton BW.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi dhe të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ekspozita e ikonografisë shqiptare në Moskë do të qëndrojë e hapur për vizitorët rusë deri më 9 nëntor. Më pas, ajo do të transferohet në qytetin e tretë më të madh të Rusisë, Nizhni Novgorod, ku do të qëndrojë e hapur deri më 11 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button