Ja na erdhi Raporti i Ri

Ndonëse jemi larg ndërrimit të motmoteve, periudha gjatë publikimit të Raportit të Progresit në mënyrë të pakuptueshme asocon në këngën e fëmijëve, titulli i së cilës është huazuar për këtë artikull. Në shiqim të parë, Viti i Ri dhe Raporti kanë shumë pak gjëra të përbashkëta. Por, në fakt, disa prej veçorive kyçe janë po të njëjta. Për fillim, meqë ardhmëria jonë është Bashkimi Evropian dhe fëmijët janë e ardhmja e kombit dhe shoqërisë, lidhja mes tyre është më se e natyrshme. Së dyti, si edhe Viti i Ri, edhe Raporti për progresin e shënuar vjen vetëm një herë në vit dhe në periudha të caktuara. Më tej, dy ngjarjet e përcaktojnë përmbylljen e një kohe dhe fillimin e mundësive të reja, që së bashku me premtimet që ia japim vetes natën e 31 dhjetorit, na bëjnë të dukemi më të përgjegjshëm ndaj vetes duke u ngushëlluar që çka nuk është arritur gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar – do të realizohet në një prej 365 ditëve në vijim, madje me më tepër entuziazëm. Së katërti, Raporti dhe Viti i Ri perceptohen ndryshe, varësisht nga rrethanat ku dikush i pret me padurim kurse tjerët luten që rituali i radhës të kalojë sa më shpejtë për tu kthyer në përditshmërinë rutinore. Për fund, pavarësisht nga fakti që disa nuk e festojnë fundin e dhjetorit për arsye personale ose fetare, forca e kohës e sjell numërimin e ri duke na i përkujtuar të arriturat dhe dështimet me të cilat plakemi.

Për fat, në Maqedoni edhe pushteti edhe opozita – të paktën deklarativisht – pajtohen që anëtarësimi në BE është ardhmëria e vendit, që përputhet me synimin e Brukselit për integrimin e rajonit brenda strukturave të saj. Pas raportit të katërt, Komisioni përfundimisht e shpalli trajtimin e mundësisë që negociatat për anëtarësim të fillojnë pa përmbylljen e çështjes së emrit, që është lajm i mirë dhe lajm i keq. Është i mirë, meqë teoretikisht hapet mundësia për nxitje drejt zgjidhjes sa më të shpejtë, pa dallim dështimeve të panumërta të inkurajimeve të këtilla në të kaluarën. Nga ana tjetër, ky lajm nuk mund të trajtohet si i mirë, për arsyen e vetme se është Këshilli i BE-së dhe jo Komisioni ai që vendos për hapjen e negociatave. Andaj, pa dallim vullnetit të mirë të Komisionit dhe optimizmit në doza të shtuara deri në dhjetor, vendimi kryesor do të merret aty ku secili shtet-anëtar ka nga një votë dhe ku cilido prej tyre mund ta ndryshojë rekomandimin që çdo herë në vete ngërthen gëzim për të arriturat.

Duke i parashikuar vështirësitë që i bart në vete procesi i anëtarësimit, nënkuptohet që nevojiten shumë miq për tejkalimin e vështirësive objektive dhe sfidave tjera me të cilat ballafaqohemi. Por, gjykuar nga trajtimi i kaluar i mbështetësve tanë, parashtrohet pyetja se sa janë në gjendje të na ndihmojnë ata që edhe më tej e kanë ruajtur orientimin pozitiv ndaj nesh. Për shembull, euro-deputeti nga Sllovenia Jellko Kacin në cilësinë e anëtarit të Komitetit për politikë të jashtme, njihet si një prej mbështetësve më të mëdhenj të integrimit evropian të Maqedonisë. Megjithatë, në fushatën parazgjedhore të vitit 2008 ai u bë pre e kritikës së Kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili parashtroi pyetje ironike gjatë një mitingu partiak, se si është e mundur që Kacin t’i ndihmojë Maqedonisë për anëtarësim, kur as Kryetari i atëhershëm amerikan Xhorxh W. Bush nuk e ka arritur këtë. Së këndejmi, duke mos i harruar kritikat e Kryeministrit për bashkësinë ndërkombëtare të shqiptuara në intervistën e tetorit 2011 për Agjencinë MIA, mbetet shpresa që nuk do të fyhet ndonjë Kacin tjetër për mossuksesin e Maqedonisë.

Anash personazheve dhe rregullimit institucional që edhe pa nuancat politike është mjaft i ndërlikuar, ekziston një absurd tjetër në rrëfimin e reformave të realizuara nga koalicioni ‘të dua nuk të dua’. Në fakt, është etabluar si përvojë evropiane që partitë politike të cilat implementojnë reforma gjatë qeverisjes, e humbin mbështetjen dhe me kalimin e kohës edhe pushtetin, si rezultat i ndryshimeve radikale që duhet bërë për anëtarësim në BE. Në Maqedoni kjo nuk ndodh, që lë të hapura tre mundësi: rejtingu dhe rezultatet e zgjedhjeve të mos jenë reale, reformat të mos jenë aq të suksesshme si që proklamohet, ose së fundmi – Maqedonia të jetë një rast që bën përjashtim nga ky model. Cilido prej opcioneve të jetë i vërtetë, vështirë besohet progresi që lexohet në qoftë se nuk shihet me sytë e qytetarëve. Kjo për faktin që gjendja e mjerueshme ekonomike dhe liritë e ngulfatura qytetare e politike nuk mbulohen dot as nga fushatat e pafund të reklamimit dhe as nga rrugaçëria e përfaqësuesve që e kanë gojën plot Evropë, por që me sjelljen e tyre primitive nuk janë të denjë as për qoshet më të pandritura të kontinentit.

Mbi të gjitha, duke e jetuar sezonin e optimizmit të stërzmadhuar para aterimit në realitet, që zakonisht ndodh në dhjetor, ka një pyetje që duhet t’ia parashtrojmë vetes: kur një ditë të bëhemi anëtarë të BE-së, a dëshirojmë të anëtarësohemi si Sllovenia apo si Rumania? Të dy këto shtete janë anëtare, por dallimet janë më se të dukshme, duke filluar nga përqindja e emigracionit brenda BE-së e deri tek niveli i shfrytëzimit të fondeve kohezive. Deri atëherë, raportet pozitive të BE-së për gjendjen tonë ngjasojnë me ndjenjën kur gjatë pritjes në aeroport, prolongimi i pafund i fluturimit kompensohet me vauçerët e ushqimit që i jepet falas pasagjerëve. Duke mos pasur alternativa tjera ndaj destinacionit ku duhet arritur, kuponi për ushqimin gratis nuk e ndryshon faktin e vonesës, por vetëm e blen ngopjen momentale me një gëzim çasti.

Në ekonomi dihet që nuk ekziston diçka e tillë si drekë falas. Pra, kush do ta paguajë drekën tonë?

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button