(Ekskluzive) Berisha: Shqiptarët në Maqedoni duhet të jenë në Qeveri

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur në një intervistë ekskluzive për Portalb, duke thënë se mocioni i Qeverisë ishte konform rregullave demokratike ndërsa një parti në Qeveri nuk voton kundër vetes vetë sepse ka disa rregulla në politikë, marrëdhëniet me partnerët janë çështje debati midis  tyre.  Ai theksoi gjithnjë ka qenë në favor të ekzistencës së shqiptarëve në Qeveri. 

Është në interesin e fqinjë tanë të lirohen nga albano-fobia si një atavizëm e kohës së shkuar dhe të vendosin një bashkëpunim serioz” tha Berisha.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB:Z.Berisha, ju jeni në kontakt të vazhdueshëm me kreun politik shqiptar të Maqedonisë, muaj më parë ishi dhe për vizitë në këtë vend. Si e vlerësoni situatën politike në Maqedoni, gjegjësisht atmosferën në skenën politike pas mocionit të votëbesimit në vend? 

S.BERISHA: Situata karakterizohet nga një gjallëri reale politike dhe një seri problemesh të cilat kërkojnë zgjidhje. Ka pasur disa incidente serioze dhe janë në shqyrtim e sipër, qeveria kishte një mocion të cilin e fitoi konform të gjitha rregullave demokratike. Mendoj se ka një lloj afrimi, sepse krizat, problemet kanë gjithnjë anën e tyre acaruese por kanë dhe anën tjetër të cilat i shtyjnë faktorët dhe forcat politike drejtë një dialogu. Dhe ajo çfarë mund të them është se gjatë këtyre dy muajve për këto arsye ka pasur dialog midis forcave politike shqiptare, atyre shqiptare dhe maqedonase i cili them se ka qenë pozitiv dhe i domosdoshëm.

Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit përbën një kusht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Maqedoni.

PORTALB:Mirëpo marrëveshja e Ohrit kishte një afat i cili skadoi në vitin 2004 ndërsa në vend ende flitet për zbatimin e saj, çfarë mendoni se duhet bërë?

S.BERISHA: Parimet janë po ato. Ajo ishte e bazuar në parimet të cilat shërbejnë dhe janë shumë të dobishme për paqen dhe stabilitetin në Maqedoni. Nuk është letra por janë parimet e saj që duhet ti përmbahen dhe udhëheqin forcat politike të të gjitha etnive për të bërë Maqedoninë një shoqëri multietnike të lirë, të qytetarëve të lirë të barabartë para ligjit.

PORTALB: Si e vlerësoni ju rolin e partisë shqiptare në pushtet, përkatësisht rolin e Bashkimit Demokratik për Integrim, mendoni se vepron mirë për mbrojtjen e interesave shqiptare përkundër nacionalizmit maqedonas?

S.BERISHA: Një parti në Qeveri nuk voton kundër vetes vetë sepse ka disa rregulla në politikë, marrëdhëniet me partnerët janë çështje debati midis partnerëve, por unë dua të theksoj se kam qenë dhe jam në favor të ekzistencës së shqiptarëve në Qeveri, gjithnjë për ekzistencën e tyre në pushtet. Mendoj se përfaqësimi i popullatës shqiptarëve në pushtet dhe Qeveri është në interesin e tyre më të mirë. Unë e kuptoj se jo gjithnjë ai program që premtohet dhe zbatohet, por në mënyrë të vazhdueshme ka një progres drejt objektivave të përcaktuara.

PORTALB: Po roli i opozitës shqiptare?

S.BERISHA: Roli i opozitës shqiptare është po ai i gjitha opozitave. Ajo ato detyra ka , të kritikojë, të promovojë çështje të cilat beson se do ti promovojë më mirë se qeveria dhe unë mendoj se ajo po kryen funksionet e saj shumë mirë.

PORTALB: Z. Berisha ku e shihni ju ardhmërinë e shqiptarëve, si e shihni ju rrugëtimin e shqiptarëve në familjen evropiane?

S.BERISHA: Ardhmëria e shqiptarëve do jetë padyshim e qytetarëve të lirë që me sakrifica të mëdha sublime kanë fituar lirinë dhe dinjitetin e tyre. Është në interesin e fqinjë tanë të lirohen nga albano-fobia si një atavizëm e kohës së shkuar dhe të vendosin një bashkëpunim serioz, luajal dhe perspektiv me shqiptarët ku janë, sepse ata janë në çdo pëllëmbë toke ku ndodhen, janë shumicë etnike dhe vazhdimësi gjeografike. Andaj unë e shoh shumë të mirë ardhmërinë e shqiptarëve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button