Vija hekurudhore Maqedoni-Shqipëri në binarë qorre për shkak të rutës së zgjedhur gabimisht

UNESKO ka dhënë propozim të drejtpërdrejtë për ndërtim të tunelit alternativ nga Struga deri në Prenjas, me të cilin traseja e ardhshme do të shmangë Liqenin e Ohrit. Shteti do të duhet të vendos a do ta pranojë këtë propozim të UNESKO-s

Ruta e papërshtatshme që është zgjedhur për lidhje hekurudhore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rreziku më i ri për realizim të vonuar të këtij projekti strategjik në Korridorin 8. Tash më dy vite, UNESKO ka paralajmëruar që Liqeni i Ohrit mund të gjendet në listën e trashëgimisë së rrezikuar botërore nëse vazhdon të realizohet projekti infrastrukturor nëpër trasenë ekzistuese. Projekti për realizim për linjën hekurudhore drejt Shqipërisë ka përfunduar në vitin 2017, me mjete nga BE-ja në shumë prej 7,7 milionë euro, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk

Dy vite më vonë, institucionet shtetërore përgjegjëse për këtë projekt po heshtin rreth problemit më të ri me të cilin ballafaqohet lidhja hekurudhore me Shqipërinë. Ndërmarrja publike për infrastrukturë hekurudhore Hekurudhat e RMV-së më shumë se një muaj nuk po iu përgjigjet pyetjeve të parashtruara për këtë projekt. UNESKO ka dhënë propozim të drejtpërdrejtë për ndërtim të tunelit alternativ nga Struga deri në Prenjas, me të cilin traseja e ardhshme do të shmangur Liqenin e Ohrit.

Shteti do të duhet të vendos a do ta pranojë propozimin e këtillë të UNESKO-s, aktivistët e shoqërisë civile ashpër kundërshtojnë ndërtimin e projekteve të reja infrastrukturore përgjatë brigjeve të liqenit, derisa ekspertët paralajmërojnë që para projektimi i trasesë do të nënkuptojë edhe shtrenjtim të mëtutjeshëm të çmimit përfundimtar për ndërtim të hekurudhës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Trase e gabuar për hekurudhën e ardhshme drejt Shqipërisë

Nga iniciativa qytetare “Ohrid SOS” qysh në fillim të letërkëmbimit ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe UNESKO-s kanë thënë që rekomandimet e paraqitura në Raportin e misionit reagues duhet të merren parasysh shumë seriozisht. Që të mos gjendet në listën e trashëgimisë së rrezikuar botërore, UNESKO ka kërkuar nga Qeveria ta anashkalojë trasenë e hekurudhës që duhet të kalojë përreth bregut të Liqenit të Ohrit. Mbetet e paqartë përse pushteti qendror nuk i ka pranuar rekomandime e UNESKO-s që janë prezantuar qysh në dokumentin e parë në qershor të vitit 2017.

Vija hekurudhore në Radozhdë do të duhet të kalojë afër bregut të Liqenit të Ohrit, që është e papranueshme për UNESKO. Foto:Bojan Bllazhevski
Vija hekurudhore në Radozhdë do të duhet të kalojë afër bregut të Liqenit të Ohrit, që është e papranueshme për UNESKO. Foto:Bojan Bllazhevski

Nga “Ohrid SOS” theksojnë se deri në maj 2019 Qeveria me ngulm ka mbajt qëndrimin se traseja e hekurudhës nuk do të ndryshohet. Nga iniciativa qytetare thonë që kryetari i komunës Ohër Konstantin Georgievski është funksionari i pari, i cili në fillim të korrikut të këtij viti publikisht ka deklaruar që Qeveria e ka braktisur planin për ndërtim të vijës hekurudhore përgjatë rutës së deritanishme.

– Shkaku i vetëm që traseja të kalojë përreth liqenit është kostoja që është tregues i qartë për atë se sa Qeveria e vlerëson rajonin – theksojnë nga “Ohrid SOS”.

Ata konsiderojnë që traseja e hekurudhës duhet të ndryshohet, ashtu që në të ardhmen e njëjta do të kalonte jashtë kufijve të Liqenit të Ohrit si trashëgimi botërore.

– Ngarkesë shtesë me infrastrukturë të përmasave më të mëdha edhe atë në vet bregun nuk mund të ndodh dhe kjo duhet të bëhet rregull për menaxhim me rajonin edhe në të ardhmen – konstatojnë nga “Ohrid SOS”.

Ky qëndrim i aktivistëve është në pajtim me rekomandimin e qartë nga UNESKO lidhur me ndërtimin e lidhjes së ardhshme hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në raportin e hartuar që u shqyrtua në Sesionin nr. 43 të Komitetit për trashëgimi botërore kulturore në Baku u propozua ndërtim i tunelit alternativ nga Struga deri në qytetin Prenjas të Shqipërisë. Me këtë trase do të shmanget mundësia që trenat në të ardhmen të kalojnë përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit.

Në pikën 7 të vendimit përfundimtar të Komitetit të UNESKO-s theksohet që ekziston shqetësim për shkak të faktit se shteti ende nuk i ka shqyrtuar rekomandimet lidhur me vijën hekurudhore në Korridorin 8 pavarësisht kërkesës së tyre për të shqyrtuar ruta alternative jashtë kufijtë të zonës së e UNESKO-s. “Prandaj, Qendra e përsërit kërkesën ndaj shtetit anëtar që urgjentisht të gjejë zgjidhje optimale për këto projekte me çka do të shmangej ndikimi mbi vlerën e jashtëzakonshme universale të kësaj pasurie”, theksohet në vendimin e UNESKO-s.

Padëgjueshmëria mund të na kushtojë shtrenjtë

Përkundër propozimeve të këtilla të UNESKO-s, ekspertët pohojnë që ri projektimi i trasesë së vijës hekurudhore do të kushtojë edhe më shumë kohë edhe më shumë para, ndërsa do të rritet edhe kostoja totale për realizim të projektit. Profesori Darko Mosllavac nga Fakulteti i ndërtimtarisë pranë UKIM thotë që ri projektimi i vijës hekurudhore nga Struga drejt Shqipërisë do të kushtonte prej 3 deri 4 për qind të vlerës së trasesë së re të projektuar, me ç’rast projektuesve do t’u nevojitej së paku një vit për ta përpunuar rutën alternative sipas rekomandimit të dhënë nga UNESKO.

– Propozimi i UNESKO-s për të ndërtuar tunel alternativ nga Struga deri në Prenjas si zgjidhje teknike është i mundur, por kuptohet që duhet pasur parasysh që çmimi i kostos së këtij objekti do të ishte në kufijtë prej 15 deri 30 milionë euro për kilometër – thekson profesori Mosllavac.

Ai shton që në periudhën 2010 – 2011 fillimisht është përpunuar para-projekt, ndërsa pastaj edhe projekt ideor për vijën hekurudhore nga Kërçova deri në Lin.

– Në atë para-projekt shqyrtohen më shumë variante për trasenë e ardhshme ku në bazë të analizave teknike dhe ekonomike miratohet vendim për zgjedhje të trasesë më të volitshme – thotë Mosllavac.

Për variantin e miratuar më të përshtatshëm të trasesë në projektin ideor, pastaj është hartuar Studim për vlerësim të ndikimit të kësaj rute mbi mjedisin jetësor, pas së cilit ka vijuar edhe hartimi i projektit themelor. Projekti për realizim ka përfunduar para dy vitesh dhe në të është konstatuar që vija hekurudha do të shkojë nga Struga drejt Radozhdës, ku përgjatë bregut të Liqenit është paraparë të bashkohet me vijën ekzistuese hekurudhore në qytetin e Shqipërisë Lin.

Rruga Via Egnatia ka kaluar nëpër Radozhdë qysh në periudhën romake. Foto:Bojan Bllazhevski
Rruga Via Egnatia ka kaluar nëpër Radozhdë qysh në periudhën romake. Foto:Bojan Bllazhevski

Për ndërtim e trasesë së plotë, të gjatë 63 kilometra, ndërmjet Kërçovës dhe Linit është paraparë të ndahen 500 milionë euro, por tuneli i ri ndërmjet dy vendeve nën malin Jabllanicë mund ta bëjë projektin më të shtrenjtë për dhjetëra miliona euro. Për

momentin autoritetet shtetërore nuk e bëjnë publike kush do të mbajë përgjegjësinë për miliona eurot e ndara për përgatitje të dokumentacionit të projektit me rutën problematike, si dhe për vitet e harxhuara në projektimin e të njëjtës.

Shteti hesht për nevojën për para-projektim

Nga Ministria për transport dhe lidhje, për “Meta”, thonë se për pyetjet lidhur me projektimin e vijës hekurudhore drejt Shqipërisë, si organ kompetent, duhet të përgjigjen nga Ndërmarrja publike për infrastrukturë hekurudhore Hekurudhat e RMV-së. Ne parashtruam pyetje në këtë ndërmarrje që nga fundi i qershorit, por deri më sot ende s’kemi marrë përgjigje. Arsyetimet për të cilat nuk i kanë dërguar të dhënat sipas kërkesës sonë janë nga ajo për shkak të agjendës tepër të ngjeshur të ndërmarrjes gjatë fatkeqësisë hekurudhore në Kumanovë e deri në pritje të emërimit të drejtorit të ri në këtë ndërmarrje publike.

Megjithatë, UNESKO në të dy raportet e publikuara për progresin në implementimin e rekomandimeve thekson që Qeveria ka këmbëngulur në qëndrimin për të mbajtur trasenë ekzistuese të Korridorit 8. Arsye kryesore për qëndrimin e këtillë e qeverisë ka qenë domosdoshmëria për të nënshkruar marrëveshje të re ndërshtetërore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për lidhjen e ardhshme kufitare.

Në anën tjetër, në Programin nacional për infrastrukturë hekurudhore për periudhën 2019-2021 të miratuar para pak kohe, aspak nuk është paraparë të fillohet ndërtimi i vijës hekurudhore drejt Shqipërisë, me çka lihet hapësirë e mjaftueshme për rishqyrtim të trasesë ekzistuese të miratuar në periudhën që kaloi.

Në këtë drejtim Qeveria në seancën e mbajtur më 11 qershor këtë vit miratoi vendim për të formuar grup punues të përbërë nga funksionarë prej të gjitha institucioneve të përfshira, obligim i të cilit është të veprojë sipas vërejtjeve të UNESKO-s për analizë të rutës alternative për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë. Propozim zgjidhjet duhet të dorëzohen në Qeveri më së voni deri më 15 janar 2020 dhe më pas do të miratohet vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Në Strategjinë nacionale për transport në vend për periudhën 2018-2030 theksohet që ruta drejt Shqipërisë duhet të përfundojë deri më vitin 2030 që është konfirmuar me disa deklarata në media edhe nga Ministria për transport dhe lidhje.

Shifra dhe fakte për vijën e ardhshme hekurudhore ndërmjet dy vendeve

Vija hekurudhore nga Kërçova deri në Lin do të jetë e gjatë 63 kilometra. Fillimi i trasesë është nga stacioni hekurudhore në Kërçovë. Vija hekurudhore e elektrifikuar me një binar do të ketë stacione në Përshtani, Slivovë, Presekë, Izdegllavje, Mesheishtë dhe Radozhdë, si dhe stacion hekurudhor në Strugë. Ekziston mundësi për ndërtim të një krahu për lidhje të Mesheishtës me aeroportin “Shën Pali” dhe me Ohrin. Shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave do të jetë 100 kilometra në orë.

Korridori 8 edhe në Shqipëri nuk është aspak më i mirë

Shqipëria e Ndërpreu komunikacionin hekurudhor ndërmjet Librazhdit dhe Pogradecit në Korridorin 8 qysh në vitin 2012 për shkak të amortizimit dhe sigurisë së pamjaftueshme të vijës hekurudhore. Për momentin, vendi fqinjë ka përpunuar fizibiliti studim për rehabilitim të vijës hekurudhore Durrës – Pogradec – Lin, të gjatë 152 kilometra, si dhe për ndërtim të një krahu me gjatësi prej 2,8 kilometra nga Lini deri në kufirin Shqipëri-Maqedoni. Projekti ideor për rehabilitim të kësaj vije hekurudhore është hartuar vetëm për pjesën nga Durrës deri në Rogozhinë, me ç’rast është përllogaritur që investimi do të kushtojë rreth 80 milionë euro.

Shqipëria ka hartuar edhe fizibiliti studim për lidhje hekurudhore me Greqinë edhe atë pikërisht përmes vazhdimit të vijës hekurudhore nga Pogradeci deri në kufirin Shqipëri-Greqi, thuhet në dokumentin më të ri të Ministrisë së Shqipërisë për infrastrukturë dhe energjetikë në lidhje me infrastrukturën hekurudhore të vendit. Prapë se prapë, projekti i vetëm i Korridorit 8 që është sjell në nivel të realizimit konkret të punëve ndërtimore është rehabilitimi i vijës hekurudhore ndërmjet Durrësit dhe Tiranës, që është paraparë në të ardhmen të lidhet edhe me aeroportin ndërkombëtar në Tiranë.

LEXO: Nëse dëgjohet UNESKO, së paku 1 vit duhet për ta riprojektuar hekurudhën prej Struge në drejtim të Shqipërisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button