Marinsat amerikanë në portin e Durrësit

Në portin e Durrësit kanë arritur mbi 500 marinsa amerikanë. Marinsat kanë arritur me anijen e marinës ushtarake amerikane “Uss Fort Mchenry (Lsd 43) Fpo 09569-1731”. Anija ushtarake amerikane është ankoruar në portin detar të Durrësit pasdite dhe sipas të dhënave paraprake ardhja e saj është bërë në kuadër të një vizite portuale.

Ardhja e saj është në vijueshmërinë e përpjekjeve të Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar partneritete globale me flotat e vendeve evropiane në kuadër të përmirësimit të sigurisë dhe mbrojtjes së flotave ushtarake të vendeve të Aleancës së Atlantikut, raporton Shekulli online.

Mësohet se anija ushtarake amerikane “Uss Fort Mchenry (Lsd 43) Fpo 09569-1731” me 502 marinsa dhe anëtarë të tjerë të ekuipazhit në bord do të zhvillojë një manovër detare në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët me Flotën Detare të Shqipërisë.

Anija ushtarake do të qëndrojë për gjashtë ditë në portin e Durrësit në kalatën numër 5. Sipas programit paraprak, të hënën dhe të martën për dy ditë me radhë marinsat amerikanë do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në det, me anijet e flotës detare për operacionet e kërkim-shpëtimit në det të hapur, në rast fatkeqësish njerëzore apo incidentesh detare.

Burime nga Kapiteneria e Përgjithshme e porteve bënë me dije se, gjatë 6 ditëve të qëndrimit të anijes amerikane në Portin e Durrësit pritet të ketë edhe vizita nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe autoriteteve të tjera, ndërsa marinsat kanë parashikuar turne vizitash në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës, si dhe në sitet arkeologjikë të vendit.

“Uss Fort Mchenry (Lsd 43) Fpo 09569-1731” është e dyta anije ushtarake amerikane, që vjen për vizitë gjashtë ditore në portin e Durrësit. Në 24 prill, 685 ushtarë amerikanë kanë mbërritur në Durrës përmes anijes ushtarake zbarkuese “Uss Gunston Hall”, e cila qëndroi në ujërat tona për 4 ditë ku dhe u zhvilluan manovra të ndryshme zbarkimi. Anija ushtarake është e gjatë 186 metra. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button