Luten vrojtuesit të mos flasin në dorë

Në botëkuptimet tradicionale, një nga arsyet më të mëdha për shkak të së cilës çiftet martesore nuk kanë fëmijë është paniku. Gjegjësisht, kjo është një periudhë kur burri apo gruaja fillojnë të paramendojnë se si të gjithë njerëzit përreth kanë filluar t’ua ngulin sytë në bark apo të interesohen për ftohjet e tyre, e kështu me radhë. Atëherë, thonë pleqtë, nga ky panik i çiftit martesor, apo vetëm i njërit prej tyre, shkaktohet njëfarë shtrëngim dhe pikërisht ajo është arsyeja kryesore për shkak të së cilës, edhe pse të shëndoshë si molla, nëna dhe babi i ardhshëm, ende nuk janë bërë ajo: nënë dhe baba.

Nuk di për ndonjë vërtetim shkencor në lidhje me atë se deri te cilat organe përhapet ky tension dhe shtrëngim, por është e mundur që të ketë të vërtetë në këtë shpjegim të vjetër, sidomos për shkak të asaj se të pasurit e trashëgimtarëve është një proces kompleks psiko-fizik, i cili, kërkon aktivitete të caktuara, aktorë dhe kushte paraprakisht të siguruara dhe i cili në fund, shkurt, emërtohet si: fati!

Në qoftë se tërë këtë do të mundoheshim ta përkthenim në kushtet tona këtu, frika dhe paniku, do të ishin ende më të mëdha. Gjë që nuk është aspak çudi për në një shtet, ku profesioni më i shpeshtë është ai i pensionistit dhe statusi më i  shpeshtë është ai i të papunësuarit. Shtet ku nuk u realizua projekti i vetëm i mirë: gijotinë rregullator, për ligjet dhe dispozitat. Ndoshta ashtu do kishte, shtet juridik, që minimum, disi, do garantonte se shteti nuk do të zaptohet nga partitë, e partitë nga familjet. Këtu, ku nga shkallët e kamatave, sa ato të fajdexhinjve, projekti “Blej shtëpi, blej banesë” u shndërrua në “E humb shtëpinë, nëse blen banesë”. Këtu, po të mos ishte ai procesi kompleks i quajtur fat, njerëzit nuk do të guxonin t’i bënin as ato aktivitetet e caktuara që nevojiten për të krijuar trashëgimtarë. Por, ky proces është fat, i ndërthurur me dashuri, besim dhe shpresë dhe kemi ekzistuar e jemi shumuar edhe në kushte e situata edhe më të vështira. 

Por, derisa të kryhet regjistrimi i popullatës, gjatë çdo insuinimi “po na zhduket popull”, nuk do të dihet saktë se në cilën popull aludohet. Mos vallë në beqarët, apo ndoshta në të martuarit, në ata të cilët po ikin apo në ata që mbesin këtu? Deri atëherë, çdo gjë është vetëm supozim dhe çdo gjë është e imponuar, njëlloj sikurse debatet për martesat dhe lidhjet tjetërfare. Debat ky, i imponuar nga një ministër i të njëjtit kryeministër, i cili, nga dy përmendoret më të mëdha të cilat i vendosi, njëri është me orientim seksual ndryshe, ndërsa tjetri poligamist. Aq imponues dhe jonormal është debati për familjet, martesat dhe lidhjet normale në këtë shoqëri që ende vazhdon ta ketë përqindjen më të madhe të respektimit të vlerave tradicionale familjare, ndoshta edhe në tërë rajonin, që thjesht, e shtynë njeriun të mendojë se mos vallë është ky një artikulim tendencioz i mllefit ndaj një grupi pakicë, promovim jo i drejtpërdrejtë i euroskepticizmit apo një strategji e thjeshtë e tipit “zini hajdutin”.  Strategji e cila veç më u zbatua në shumë shtete evropiane pikërisht nga disa individë me orientime seksuale tjetërfare. Kishte raste të shpeshta të fashistëve dhe nazistëve të cilët vazhdonin me qejfet dhe mëkatet e tyre të çuditshme, por të tjerët i përndiqnin pikërisht për shkak të gjërave të njëjta. Por, pse pikërisht tani ngritje shtesë të panikut dhe futje e frikës? Pse nga ndezja e qirinjve u kalua në mbajtje të qiririt? Pse të zgjerohet imponimi i shtetit, partisë dhe i familjes deri te familjet tona? Vallë nuk u ka shkuar mendja se pikërisht kjo pengon për të pasur pasardhës? Pse, mu tani kryeministri po na flet në dorë dhe në organe tjera të nevojshme për të fituar pasardhës? Dhe në fund, ku janë ata të BDI-së, në gjithë këtë?

Mendoj se përgjigjja është shumë tokësore dhe politike. Kryeministri dhe ata rreth tij, në mitingun e madh të opozitës këtë javë, do ta kenë mundësinë të shohin se popullata e vetme e cila nuk zhduket, por shtohet, është pikërisht populli opozitar. Kjo frikë dhe ky panik çon deri te imponimi dhe tek efektet tjera anësore nga e njëjta frikë. Ndërsa në BDI ka shumë personazhe të cilët që nga momenti kur erdhën në Shkup i mësuan vendet ku shëtitin “vrojtuesit”: si Parkun e Qytetit, pas Kalasë etj. Pasi që janë, relativisht, të gjindshëm, ata gjetën një vend mes Parkut të Qytetit dhe pas Kalasë dhe përfituan statusin: voajerë! Prapëseprapë, kanë rrogë dhe zyre dhe për vete dëshirojnë të besojnë se kanë përkrahje ndërkombëtare, andaj e merituan këtë emërtim internacional!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button