Edhe Osmani si Thaçi, kërkon marrëveshje të re me maqedonasit

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani e thekson të domosdoshme arritjen e një marrëveshje të re paqeje midis maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Kështu është shprehur ai në një intervistë për javoren maqedonase “Kapital”.

“Proceset të cilat rrjedhin në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë munden shumë ta tronditin Maqedoninë, meqë problemi ndërmjet etnikumit maqedonas dhe shqiptar nuk është mbyllur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Prandaj duhet një marrëveshje e re paqësore, në të cilin maqedonasit do të merrnin garanci kushtetuese se shqiptarët nuk do ta përdorin të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, si vërtetim se Maqedonia do të mbetet e tërë, kurse shqiptarët do të fitonin të drejta të reja”, ka theksuar Rufi Osmani.

Kryetari Osmani argumenton se pse opozita shqiptare në Maqedoni nuk arrin të veprojë e bashkuar përkundër frontit të përbashkët opozitar maqedonas dhe se pikërisht ky moment është përparësia konkurruese e partisë shqiptare në pushtet përkundër gabimeve të mëdha që shoqërojnë këtë parti në qeverinë aktuale të Gruevskit.

Kryetari Osmani argumenton rritjen e përkrahjes për RDK nga elektorati shqiptar dhe qasjen vizionare të RDK-së në tejkalimin e problemeve të shumta në plan ndëretnik, ekonomik dhe integrues në interes të gjithë qytetarëve të vendit.
Kryetari Osmani kritikon politikat ekonomike të qeverisë aktuale që kanë kuptimin e rikthimit në kapitalizmin shtetëror nëpërmjet politikave buxhetore megalomane dhe joproduktive.

“Këto politika të shtetëzimit manifestohen nëpërmjet ndikimit qeveritar në alokimin e parave publike, diskriminimin financiar të bizneseve nëpërmjet moskthimit të parave nga TVSH dhe mospagesën e detyrimeve të qeverisë ndaj kompanive që kryejnë pune publike për qeverinë, kontrolleve selektivë dhe gjobave të pajustifikueshme që rrënojnë bizneset private të cilat në masë të konsiderueshme vuajnë nga likuiditeti vijues”, ka theksuar lideri i RDK-së./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button