Rrallë e për mall!

Më datë 22.10.2012 në kuadër të manifestimeve për 100 vjetorin e pavaresisë, në sallën e OBM-së në Shkup, u realizua një nga operat më voluminoze shqiptare “Skënderbeu” nga kompozitori shkodran Prenk Jakova. Ishte kureshtje por dhe një përjetim i rrallë për spektatorët e mbrëmjes të një spektakli të paparë gjer më sot në qytetin e Shkupit – kryeqendër të Dardanisë së dikurshme.  

Ardhja e ansamblit nga Tirana TOB-it (Teatri i Operës dhe Baletit) bëri kurioz çdo shqiptar dhe jo vetëm kaq. Për të parë operën e kompozuar nga Prenk Jakova kushtuar heroit kombëtar – Skënderbeut, atë mbrëmje, salla e Operës së Shkupit ishte e vogël për të nxënë kaq shumë të interesuar për këtë eveniment premierik tek ne. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se shqiptarët e Shkupit dhe në përgjithësi ata që jetojnë në Maqedoni, nuk kanë pasur rast të shohin realizime të këtij zhanri, të veprave muzikoro-skenike dhe siç e tha një mik i imi ( Xhevat Limani), “të mos ishte realizuar kjo mbrëmje – shumëkushi ndoshta do të vdisnin pa parë një realizim operistik”, prandaj këtë  mbrëmje dhe këtë koncert duhet parë dhe përshkruar nga shumë këndvështrime shumëdimensionale e me shumë emocione.

  Pamje nga opera “Skënderbeu” në Shkup

Opera bën pjesë në gjininë e veprave muzikoro-skenike dhe është njëra nga veprat më të ndërlikuara për t’u shkruar dhe realizuar. Është një gërshetim i shumë fushave vepruese të arteve: të kënduarit, solistik, në duete në grupe, në kor ose kore, aktrim, skenografi, kostimografi, koreografi, tekste, regjizurë dhe shumë efekte e elemente tjera. Në artin e muzikës ajo shfaqet në periudhën e humanizmit e renesancës, fillimisht në Itali e më vonë edhe ndër qendra e popuj tjerë të Europës. Opera nacionale–kombëtare shqiptare lind nga mesi i shekullit të kaluar –më 1956. Po i njëjti kompozitor, Prenk Jakova kompozoi operën “Mrika”, një vepër me përmbajtje sociale-realiste, premiera e së cilës u mbajt më 1 dhjetor, 1958 në vendlindjen e tij-Shkodër. Ndonëse kjo operë llogaritet si vepër e parë  muzikore skenike shqiptare, ka të dhëna se që nga viti 1918 kompozitori Lec Kurti shkroi një vepër me primesa operistike, që mban titullin Arbëria.

Ca fjalë për figurën frymëzuese të Skënderbeut

Personaliteti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –Skënderbeut ishte figurë frymëzuese e shumë krijueseve letrar, skulptorëve të ndryshëm, si dhe kompozitorëve të periudhave të ndryshme, e në veçanti gjatë  periudhës së barokut.

Kompozitori italian Antonio Vivaldi, me porosi të njërës nga shtëpitë më me renome të asaj kohe në Firencë “Teatro della Pergolla”, shkroi operën “Scanderbeg” e cila u realizua gjatë tërë një sezoni koncertal gjatë vitit 1718. Kjo opera u realizua me rastin e hapjes së sezonit koncertal dhe pas një renovimi dy vjeçar të këtij objekti, siç quhej teatral, nga artdashësit e asaj kohe u prit me një dashamirësi të veçantë. Nga ato pak shënime të kohës mund të konstatohet se autor  i lebretos (tekstit) ishte Antonio  Salvi – një shkrimtar i renesancës që i takonte rrymës  përparimtare të libretistëve firentinas të asaj kohe dhe për çudi edhe sot shumë pak dihet.

Që të mundemi pak ca më për së afërmi të njihemi me historikun e këtyre veprave, është e udhës të jepen ca sqarime në kontekst të kohës kur u krijuan dhe si u krijuan këto vepra operistike që lidhen me personalitetin e Skënderbeut dhe historinë e popullit shqiptar. Për Skënderbeun dinte gati çdokush që sadopak ishte i lexuar. Në pika të shkurtëra sa për t’u rikujtuar do t’i përshkruaj ca momente.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte bir i familjes së njohur aristokrate shqiptare-Kastriotëve. Gjon Kastrioti (babai i Skënderbeut) në dokumentet e shekullit të XV–të paraqitet  si princ në rajonin e Dibrës dhe  madje konsiderohej edhe si zot i Krujës. Në atë kohë si të nënshtruarit e perandorisë Osmane, Gjoni i fal tre djemtë e tij sulltan Muratit të I-rë, ndër të cilët Gjergji ishte më i vogli (8-9 vjeç). Aty  u rrit e u edukua. Gjergjin në sarajet e quajtën Skender dhe me vonë merr titullin Beg, gjegjësisht – Skenderbeg. Pas një lufte të gjatë të ashtuquajtur “ngadhënjimtare” kundër turqve (1443), të udhëhequr nga Duka i Erdelit, Janjosh Hunjadi, Skënderbeu ik nga Stambolli me një grup shokësh e kthehet në Shqipëri dhe pushton Krujën. 

Fillimisht sulltan Murati i II-të e njohu atë si princ atributiv shqiptar, mirëpo së shpejti Skënderbeu organizohet dhe fillon luftërat për çlirim të trojeve tjera shqiptare. Katër herë ai triumfoi mbi ushtritë osmane. Në vitin 1445 në Krujën e rrethuar vërsulet edhe vetë sulltan Murati i II-të, ku edhe pse kishte sjellë një ushtri numerikisht shumë më të madhe (100 mijë) aty vritet edhe vetë sulltani. Pesë vite më vonë, në pjesën e Shqipërisë jugore, në betejën e Beratit, Skënderbeu pëson disfatë dhe përkohësisht largohet për Napoli. Në Napoli behet dukë  i ushtrisë së Aragonëve kundër Anxhuinëve. Në luftën e ashpër venediko-turke (1466-1467) Skënderbeu edhe njëherë triumfon dhe përsëri kthehet në Krujën e tij, por së shpejti pas kësaj i rraskapitur nga beteja të shumta, vdes.

Skënderbeu përveç që mbrojti vendin dhe popullin e vet, ai u bë sinonim i mbrojtjes së qytetërimit evropian dhe simbol i mbrojtjes së çdo gjëje fisnike nga luftërat ekspansioniste e barbare osmane qe po i kërcënohej tërë Europës.

Jehona e veprës së  Marin Barletit: “Mbi jetën dhe luftërat e Skënderbeut”

Humanisti dhe historiani shkodran Marin Barleti  (“Skodrensis”) përndryshe profesor i  shquar në Dubrovnik, Breshë e Padovë në vitin 1508-1510 në Rome botoi librin biografik “Mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut” (“De vita et gestis Skanderbegi”). Ky libër është botuar disa herë, ndërsa të gjitha shkrimet e mëvonshme për Skënderbeun mbështeten kryesisht në këtë burim. Në vitin 1743 Franjo Taus e përktheu në kroatisht dhe po në këtë  vit botohet në Zagreb.
Figura e heroit tonë kombëtar – Skënderbeut, bëhet frymëzim për shumë vepra artistike barokiene, por natyrisht edhe më vonë. Më 1585 Baldazare Skaramelli boton librin e soneteve ku ndër të tjerat, janë edhe dy vjersha nga poema heroike e Skënderbeiut: ”Due canzoni del poema eroico di Scanderbeg”. Trimërisë dhe heroizmit të tij iu kushtuan edhe Ronsarini, La Martini, E. Spenseri Bajroni e shumë letrarë të tjerë. Libretisti francez Antonione Houdar d’la Motte (anëtar i akademisë franceze) shkruan tekstin “Skanderbeg”, në bazë të së cilit dy kompozitorë të njohur të operas franceze: Francois Rebel dhe Fransua Franker bashkërisht kompozuan  operën me të njëjtin emër e  cila, (siç shkruan në një shkrim At Vink Malaj), në vitin 1735 në Paris realizohet 35 herë rresht edhe atë me një sukses shumë të madh. At Malaj, një kohe ishte në shërbim të kishës katolike në Kosovë dhe aty kah vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, jep të dhëna se kjo operë është e ruajtur gati në tërësi, si libretoja e partiturat, ashtu edhe ca nga skicat e kostumografisë shqiptare të asaj kohe. 

Në vitin 1968  kompozitori shqiptar, Prenk Jakova në tekstin (libreton) e Llazar Siliqit, merr guximin dhe i rreket punës për të shkruar operën kushtuar udhëheqësit ushtarak, diplomatit dhe heroit tonë kombëtar – Skënderbeut. Kjo vepër muzikore – skenike ka dy akte dhe tetë pamje – e ndërtuar mbi tabanin e melosit kombëtar shqiptar dhe me një harmoni të ndërlikuar e të vendosur me mjeshtri të njohjes së orkestracionit e kompaktësisë profesionale operistike.

Trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit Shqiptar me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit Shqiptar, nxjerr nga arkivat e vendit dhe e vendos në repertorin e saj dhe më datë18-22 qershor 2012 në Operën e Tiranës e realizon me shumë sukses. Repriza e parë e saj, duke falënderuar Qeverinë e  Shqipërisë, Komunën e Çairit me në krye z. Izet Mexhitin, Qendrën informative-kulturore dhe Ambasadën e R. së Shqipërisë në Shkup me ne krye Ekselencën e tij z. Agim Çejku bënë që kjo vepër grandioze të realizohet edhe në Shkup.

Forca magjepsëse e këtij ansambli operistik i cili numëronte mbi 200 veta, la mbresa që gravohen thellë në kujtesën e spektatorëve të kësaj mbrëmjeje. Maestro Zhani Ciko udhëhoqi me një energji djaloshare për gati tre orë, sa zgjati ky spektakël i kombinuar dhe me një teknikë fragmentare kinematografike nga regjisori italian Carlo Saletti. Në rolin e Skënderbeut ishte tenori nga SHBA-të Roy Stivens (i cili ndoshta nuk arriti të jep maksimumin e potencialit që ka), ndërkaq befasia shumë e këndshme ishte sopranoja nga Shkupi, Dëshira Ahmeti-Kërliu si dhe shumë zëra të niveleve botërore si Armaldo Kllogjeri, Irida Dragoti, Ivana Hoxha, Sidrit Bejleri, Ylber Gjini, Sokol Tomorri e shumë të tjerë. Kori i operës dhe ai i fëmijëve të liceut të Tiranës si dhe orkestra filharmonike ishin në nivel të lartë duke realizuar në mënyrë  briliante partiturat që ato mbanin. Mbresë e veçantë ka lënë edhe veshja ose kostumet e trupës së operës, të punuara me një mjeshtri të rrallë dhe njohje të thellë të kostumografisë të periudhës mesjetare barokiene të shqiptarëve nga krahina të ndryshme. 

Urojmë që kësilloj evenimentesh të na përsëriten edhe në të ardhmen, por nuk do jem i qetë që me këtë rast mos ta apostrofoj gjendjen e përgjithshme të popullatës shqiptare këtu në Maqedoni, ku fatkeqësisht dukshëm ngec përkushtimi dhe puna për ndërtimin e institucioneve dhe ngritjen institucionale të vlerave artistike që bart populli ynë në trashëgiminë e gjatë shekullore dhe e cila gjithnjë e më shumë kanoset në zhdukje ose grabitje nga të tjerët. Duhet të jetë prioritet i politikave për mbindërtimin intensiv kadrovik dhe edukimin e shëndoshë edhe në fushat e arteve. Nuk mjafton ngaldimi i sukseseve të asocioneve të ndryshme nga shteti shqiptar, ne duhet të ngrihemi këtu mbase dhe këtu investojmë, prandaj duhet të marrim dhe menaxhojmë hisen tonë.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button