Meta dhe Thaçi dërguan mesazh urimi për Kurban Bajramin

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një mesazhi kanë uruar besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesazhin e urimit të publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, Meta thekson se “Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta”.

“Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Evropa”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit Meta.

Më tej Meta në urimin e tij thekson se “Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar”.

Ndërsa presidenti Thaçi, në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale shkruan se “Kjo festë na kujton sakrificën që bëjmë për veten dhe të tjerët, për besimin në jetë më të mirë, na kujton nevojën për të qenë solidarë me njëri tjetrin, të kujdesemi për çdo pjesëtar të shoqërisë, të dhurojmë dashuri e mirësi për të gjithë”

“Në këto ditë festash edhe më shumë dalin në dritë vlerat e shoqërisë sonë: toleranca, bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellë, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Urime Festa e Kurban Bajramit”, ka shkruar Thaçi.

Besimtarët muslimanë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe vende të tjera sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button