“Pallati me tre kate” (Pjesa I)

Sipas doktrinave fetare që nga kohërat e lashta, Antikiteti, Mesjeta, në kohën e lulëzimit të dinastive mongole e më vonë të Perandorisë Otomane dhe akoma sot në vendet e Lindjes, njerëzit kanë besuar se skizofrenia, neurozat, fobitë dhe paranojat janë sëmundje shpirtërore. Sindromi i këtyre sëmundjeve krijohej nga besimi se truri dhe shpirti i njeriut komandohej dhe mbizotërohej nga djajtë, xhindët. Të gjithë të sëmurët shkonin për të gjetur shërim te teologët, klerikët dhe magjistarët.

Pas revolucionit frojdian dhe përhapjes së teorive të Frojdit, babait të psikoanalizës, për trajtimin e sëmundjeve nervore, terapia e thjeshtë psikologjike u zëvendësua me terapinë komplekse të psikoanalizës, hipnozës e shkencës së neurologjisë. Sipas doktrinës së Frojdit, njeriu vepron nën shtysën e forcave të brendshme në dy nivele – forcave të pavetëdijshme dhe forcave të vetëdijshme. Frojdi thotë se ne veprojmë me pavetëdije, sikur të na komandojnë djajtë, sikur trupi ynë të jetë marrë me qira. Individët të cilët dominohen më së shumti nga forca të pavetëdijshme janë individë që nuk mund të dallojnë realitetin nga imagjinata. Truri u dërgon impulse dhe komandohet nga forca të pavetëdijshme dhe instinkti. Sipas Frojdit, këta individë jetojnë në një botë imagjinare, i takojnë klasës së ulët, irracionales, platonikes dhe mitikes.

Filozofi guru, spiritualisti dhe mistiku indian Osho ose Bhagwan Shree Rajneesh (1931-1990) në veprën e tij “Intuita: Njohja përtej logjikës”, (botuar në vitin 2001, pas vdekjes), shpjegon se “logjika është si e njeh mendja realitetin, kurse intuita është si e përjeton shpirti realitetin.” Mes tjerash, ai shkruan dhe përdor metaforën “pallati me tre kate”. Osho-ja i ndan njerëzit sikur banojnë në kate të ndryshëm të një pallati me tre kate. Sipas tij, në katin e parë banojnë të pavetëdijshmit; në katin e dytë banojnë të vetëdijshmit, kurse në katin e tretë banojnë super-të vetëdijshmit.

Sipas Oshos, banorët e katit të parë veprojnë nën shtysën e forcave të pavetëdijshme, komandohen më së shumti nga instinktet dhe i takojnë botës shtazore. Ata hasin në vështirësi për të dalluar arsyen, realen nga imagjinata.

Banorët e katit të dytë i takojnë botës së arsyes, reales dhe logjikës.

Kurse në katin e tretë, sipas Oshos, banorët i takojnë shtresës më të lartë. Këta, përveç intelektit, zotërojnë dhe intuitën, e cila u del si xixa nga shpirti. Këta banorë të katit të tretë janë krijuesit, shpikësit, i takojnë botës së artit, poezisë, muzikës, pikturës, skulpturës, etj .

Shembull, po të përzihen banorët e gjithë pallatit, ata në shikim nga lart identifikohen si me flamuj dhe ndahen të marrët me të marrët, të mençurit me të mençurit, të urtët me të urtët. Kur tentonin banorët e katit të dytë dhe të tretë të zbrisnin poshtë që t’i këshillonin, t’u rrëfenin ndonjë fjalë të urtë dhe t’i edukonin ata të katit të parë që edhe ata të ngjiteshin së paku deri në katin e dytë, ata dështonin, përpjekjet e tyre shkonin kot. Banorët e katit të parë as nuk dëgjojnë, as nuk mbjellin ndonjë fjalë të urtë që të zërë vend në trurin e tyre. Këta të marrë, meskinë dhe mendërisht të varfër as nuk i dëgjojnë ata të sipërmit, as nuk marrin, as nuk duan, as nuk japin dhe në fund të fundit as nuk vlejnë.

Shembull, unë kur takohem me banorët e katit të parë, jem i etur për të shkëmbyer ndonjë bisedë me ta. I dëgjoj me vëmendje, i shikoj në sy dhe ndonjëherë i pyes. Por kur unë së paku dua të flas, ata kthejnë kokën mënjanë, nuk duan as të dëgjojnë, nuk pyesin, ta presin fjalën pa e nxjerrë nga maja e gjuhës, flasin me zë të lartë, vetm zbrazin barkun dhe në fund kënaqen e habiten me veten si dinë aq shumë.

“Rekomandimi mes hypothalamusit dhe kores së trurit”

Para disa muajve lexova një kolumnë nga zoti Arben Taravari. Doktor Taravari si neurolog me shumë eksperiencë elaboron me sindromën e banorëve të “pallatit” të Oshos. Zoti Taravari sugjeron se kjo sindromë është një lloj sindrome që formohet mes hypothalamusit dhe kores së trurit. Në këtë rast truri nuk komandohet nga hypothalamusi dhe këta individë komandohen më së shumti nga forcat e pavetëdijshme. Sipas zotit Taravari, ironia therëse dhe paradoksi është se këta individë që vuajnë nga kjo sindromë na qeverisin dhe kanë marrë në dorë fatet e popullit. Do të thotë që këta, sipas diagnozës së neurologut, Doktor Taravarit, u ngjajnë banorëve të “pallatit” të Oshos. Kjo përputhet edhe me maksimën e filozofit kinez Konfucit se “tragjedia e një populli fillon kur të paditurit, hipokritët, të korruptuarit dhe kriminelët marrin në dorë fatin dhe kauzën e popullit, kurse të diturit, fisnikët dhe intelektualët ngelin në pasivitet.”

Te ne (dhe kjo ndoshta ndodh në të gjitha trojet shqiptare), sipas metaforës së Oshos, banorët e katit të parë kanë marrë në dorë frerët e gjithçkaje dhe drejtojnë timonin e anijes. Kurse ata lart, intelektualët dhe të mençurit që e duan popullin si shpirtin e tyre janë strukur, i kanë zënë veshët me pambuk dhe janë margjinalizuar.

Kur këta mjeshtra të mashtrimit, domethënë banorët e katit të parë, kishin marrë në dorë fatin dhe kauzën e popullit, turmat e manipuluara iu shkonin pas dhe iu ngjiteshin si mizat e kalit. Ata të katit të tretë shikonin se si nëpër tubime e manifestime, në sheshe e salla këta mjeshtra të mashtrimit i premtonin turmës se do ta bënin vendin si Zvicra, i premtonin turmës standard të lartë jetese, begati, luks, mjaltë e qumësht blete, por në fakt shtonin pasuritë personale e mbushnin xhepat e tyre.

Më në fund, një banor i katit të tretë duke parë se këta mjeshtra mashtrues janë duke e gënjyer, duke e mashtruar turmën, zbriti nga kati i tretë dhe veproi sikurse profeti persian Zarathustra (Zoroaster), i cili zbriti në qytet nga malet ku jetonte me kafshët e tij. Ky banor i katit të tretë u përpoq ta këshillonte turmën dhe filloi t’i bindë njerëzit me logjikë, arsye dhe intuitë. Mirëpo njëri nga banorët e katit të parë iu vërsul atij duke thirrur: “Ja, ky është ai ateisti, tradhtari i kombit!” Kur banori i katit të dytë pa se turma më shumë u besonte mjeshtreve mashtrues, i tha banorit të katit të tretë: “Ikim, ikim, se turma më shumë u beson këtyre palaçove, hipokritëve dhe magjistarëve se neve”. Të dy këta banorë, ai i katit të tretë dhe ai i katit të dytë, u tërhoqën të frustruar, të zhgënjyer e të revoltuar. Duke hyrë në pallat, njëri urinoi te porta e katit të tretë, kurse tjetri, duke iu ngjitur shkallëve shtrëngoi dhëmbët e grushtet dhe thirri me zë të lartë: “Na e hëngshi atë me nder me thënë.” Ja, kjo ishte e gjitha; ata nuk mundën të bënin asgjë më shumë se kaq.

Autori: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button